Kryeministri Berisha zhvilloi, sot, një vizitë në Korçë, gjatë së cilës mori pjesë në inagurimin e disa objekteve infrastrukturore. Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohej nga ZëvendÃ

Kryeministri Berisha zhvilloi, sot, një vizitë në Korçë, gjatë së cilës mori pjesë në inagurimin e disa objekteve infrastrukturore. Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohej nga Zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, ministri i Finacave Ridvan Bode, njëkohësisht deputetë të Korçës, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha dhe autoritete të pushtetit vendor.
• Kryeministri përuroi fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës në hyrje të qytetit, investim i qeverisë shqiptare, me vlerë 95 milion lekë.
Kryeministri e vlerësoi rikonstruksionin e kësaj rruge një investim të rëndësishëm për Korçën që, së bashku me unazën qytetit, kanë vlerë 130 milionë lekë. Ky inagurim, - theksoi Kryeministri, - shënon fillimin e investimit të rreth 14 miliardë lekë, që do të investohen në infrastrukturën rrugore të Korçës. Në këtë kontekst, rreth 85 milion euro, apo afër 10 miliardë lekë, do të jetë investimi në autostradën Korçë-Qafë Thanë, financimi për të cilën është siguruar plotësisht. Ndërsa rreth 40 milion euro të tjerë do të investohen në infrastrukturën e zonës turistike dhe bujqësore të Korçës.
Kryeministri siguroi se, në këtë 4 vjeçar, rrugët e këtij rrethi do të asfaltohen në tërësinë e tyre. "Përparësi, - u shpreh Kryeministri, - kanë sigurisht zonat turistike Korçë-Voskopojë, Korçë-Liqenas, por do të përfitojë edhe e gjithë zona bujqësore, një nga zonat më të zhvilluara të vendit. Korça nuk do të ketë vetëm këto investime në rrugë, por do të ketë investime të mëdha edhe në sistemin e kanalizimeve dhe përpunimin e ujrave të zeza, në tregje, si dhe për ndërtimin e banesave sociale. Vitin që vjen parashikohet një trefishim i fondeve për strehimin dhe kjo përbën një risi të vërtetë dhe Korça do të jetë një nga qytetet që përfitojnë."
• Më pas, Kryeministri u ndal në tregun e fruta-perimeve të qytetit, ku u takua dhe bashkëbisedoi me tregtarë dhe fermërë korçarë mbi punën, prodhimin dhe tregtimin e produkteve vendase dhe krijimin e lehtësirave për ta në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha, duke komentuar bashkëbisedimin me fermerët, u shpreh: "Në të gjitha takimet që pata me prodhuesit e produkteve të cilësisë e standarteve më të lartë dhe shijeve më të mira, prodhimeve të të gjitha llojeve, pra tek të gjithë këta prodhues të shkëlqyer konstatoj dy gjëra;
Së pari, kanë ndjerë përpjekjen tonë të ndershme për t'i ndihmuar ata. Prodhimet shqiptare janë bio dhe si të tilla kanë vlera ushqimore shumë herë më të larta se të gjitha prodhimet e tjera. Ndaj dhe hapi i parë që bëmë këtë vit për t'i çliruar nga kontrabanda, për t'i cliruar nga pesha e saj, është mirëpritur nga fermerët. Unë i siguroj ata që hapi i dytë tjetë i rëndësishëm do të jetë në mbrojtje të tyre. Korca është një nga rrethet më të ftohta, por këtu në këtë treg, jo një por disa nga fermerët, kërkuan të rrisim kapacitetet ftohëse sepse natyrisht duhet që në mënyrë të përshkallëzuar të shesin prodhimet e tyre. Ju siguroj se qeveria, vitin që vjen, do të nisë investime serioze për të rritur kapacitetet ftohëse këtu dhe në Kolonjë.
Së dyti, ne jemi për tregtinë e lirë, por çdo vend mbron fermerët. Edhe ne do të mbrojmë fermerët tanë. Subvencionet nuk mund të bëhen shkak për falimentimin e fermerëve tanë. Ne do të gjejmë të gjitha mënyrat që ata, me prodhimet e tyre të mrekullueshme, të qëndrojnë denjësisht në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Hapja e tregjeve, garantimi i tyre, çertifikimi i prodhimeve të tyre, rritja e cilësisë, janë disa nga objektivat tona madhore.
Vite e vite ndiqja problemet e fermave dhe fermerëve. Kisha konstatuar se qeveria kleptokratike socialiste i kishte braktisur totalisht. Nga biseda të brendshme të tyre u informova se ata adaptuan teorinë "lëri se janë privat e nuk na duhen". Kjo është arsyeja që në sektorin, i cili jepte 30 për qind të prodhimit të brendshëm të vendit, invetohej vetëm 1 për qind. Kjo situatë merr fund përfundimisht. Për ne bujqësia është përparësi reale dhe potencial shumë i madh për tu shkëputur nga varfëria.
Krahas projektit të përkujdesjes, që të shiten prodhimet duke modeluar subvencionin që bëjnë të tjerët për fermerët e tyre me çmimet tona të referencës, bëmë një hap të madh për pensionet në fshat, duke vendosur që nga data 1 janar rregullin se nuk do të ketë pension nën 50 mijë lekë në fshatrat e Shqipërisë. Ky është vetëm hapi i parë. Objektivi ynë është barazimi i pensioneve fshat-qytet.
Sikundër, zotohemi para jush për të ndërmarrë projektin më të madh në historinë e vendit për asfaltimin e rrugëve tuaja. Ne nuk jemi përqendruar vetëm në autostrada e superstrada. Ne kemi një projekt, të cilin e kam premtuar këtu në Korçë dhe punojmë me përkushtim të madh për asfaltimin e 6 mijë kilometrave rrugë dytësore rurale. Qarku i Korcës do të jetë nga përfituesit kryesorë të këtij projekti.
Një vit më parë kam ardhur në komunat tuaja dhe ju kam premtuar se nuk do të ketë pension nën 50 mijë lekë, kam shumë kënaqësi ta shoh të realizuar në datën 1 janar. Ju kemi premtuar se do të mbrojmë prodhimet tuaja, i kemi mbrojtur ato. Natyrisht, jo çdo gjë është e lidhur me këtë mbrojtje, sepse tregu është një proces kompleks, por për të gjithë është shumë e qartë se një hap shumë i rëndësishëm është bërë.
Ju premtoj se do të asfaltojmë rrugë dhe do të keni mundësi të dilni më shpejt në treg, do të zgjerojmë kapacitetet ftohëse, do të hapim tregjet edhe në vende të tjera për prodhimet tuaja. Të gjitha këto jemi të vendosur t'i bëjmë realitet.
Ju përshëndes dhe ju përgëzoj për punën e mrekullueshme që bëni. Dëshiroj ta mbyll me një episod të jetës sime në Polenë. Vite më parë kam ardhur me një mik të huaj në Polenë dhe vizituam një shtëpi. E zonja e shtëpisë kishte qëndisur çdo gjë dhe miku im u mahnit me këtë. Në fakt, ju tani po e qëndisni Korçën siç e kishte qëndisur ajo zonjë të gjithë shtëpinë e saj në Polenë.
• Kryeministri mori pjesë edhe në ceremoninë e përurimit të përfundimit të dy banesave të reja, të ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave, për të pastrehët në këtë qytet. Në këtë qytet, kanë përfunduar dhe janë në përfundim e sipër 150 apartamente të reja, të cilat synojnë të zbusin problemet e strehimit.
Duke i konsideruar problemet e strehimit jo elektorale, por probleme të mëdha njerëzore dhe familjare, Kryeministri vlerësoi se me ndërtimin e banesave të reja shënohet një kthesë reale në qëndrimin ndaj këtij problemi. Për vitin 2007, - theksoi Kryeministri, - ministria e Financave ka marrë konfirmimin e një fondi prej 15 milion euro, me të cilin trefishohet investimi i qeverisë në fushën e strehimit dhe me të cilin ne synojmë të ecim drejt zbutjes së ndjeshme të këtij poroblemi. Sikundër do të shohim dhe forma të tjera, si kreditin bankar, në mënyrë që të mund ta zgjidhim këtë problem, i cili për ata që nuk kanë strehë është realisht një problem jashtëzakonisht i madh. 150 familje strehohen, i bindur se vitin tjetër ky numër mund dyfishohet. Këto projekte përfshijnë të gjitha qytetet, janë nga Shkodra deri në Gjirokastër. Pavarësisht se ka nga ata, që në 8 vite nuk çelën derën e një banese për t'i qarë hallin qytetarëve, që thonë se nuk po ndërtohen shtëpi, por fakt është se pallatet po ndërtohen e do të ndërtohen shumë më tepër."
Kryeministri bëri të ditur se këtë vit mbidyfishojmë grantin konkurues për pushtetit vendor, i cili nga 7.1 shkon në 16.2 miliard dhe në këtë mënyrë financat e qeverisjes vendore dyfishohen brenda një viti. Kjo është e rëndësishme për komunitetit.