Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nderim të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve
Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në nderim të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. Të pranishëm në këto homazhe ishin edhe Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ministra të kabinetit qeveritar, Prefekti i Tiranës Keltis Kruja, familjarë të dëshmorëve, qytetarë të Tiranës, etj.
Kryeministri Berisha vendosi një kurorë me lule në përkujtim të veprës së atyre që sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kryeministri tha se sot bëjmë nderimin më të madh ndaj atyre që të gjithë ne u detyrojmë më të shtrenjtën gjë që ka njeriu i qytetëruar, dinjitetin dhe lirinë. Ata flijuan gjithçka, theksoi Kryeministri, që ne sot të festojmë 100 vjetorin e Shqipërisë së pavarur të lirë, kudo që ndodhemi në trojet tona.
Por, Kryeministri nënvizoi se secili prej tyre që prehet sot në flamurin e kombit, kur vështron kombin e tij, i cili 100 vjet më parë përpëlitej midis ekzistencën e mos - ekzistencës së tij si shtet, sheh sot një Shqipëri anëtare të NATO-s, një Shqipëri që rend me ritmet më të shpejta, për të kapur dekadat e pse jo, shekujt, që iu grabitën asaj nga diktatura e pushtimet, sheh shqiptarë që janë të lirë e të sigurt në të ardhmen e tyre.
Në mesazhin e tij për këtë ditë të shënuar për kombin shqiptar, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Kjo është një ditë në të cilën fjalët kurrë nuk mund të shprehin atë që ndjen zemra dhe shpirti, për të gjithë ata të cilët flijuan jetën, rininë, flijuan gjithçka që ne sot të festojmë 100 vjetorin e Shqipërisë së pavarur të lirë, kudo që ndodhemi në trojet tona. Ideali i tyre kombëtar ishte liria e kombit dhe sot shqiptarët janë të lirë, kudo që ndodhen. Ata luftuan që trojet shqiptare të jenë të bashkuara dhe trojet shqiptare sot janë të lira dhe në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar në të ardhmen evropiane që meritojnë.
100 vjet më parë, me mijëra e mijëra burra e gra shqiptare, u flijuan që Shqipëria të bëhej e pavarur dhe e lirë. Në luftën e dytë botërore, mijëra e mijëra shqiptarë, djem e vajza, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kohërat kishin njohur, derdhën gjak, luftuan me trimëri të madhe, çliruan vendin, në kuadër të një koalicioni antifashist botëror. Shqipëria, më pas, ra në zgjedhën më të egër që ajo kishte njohur në tërë historinë e saj. Një diktaturë mizore u vendos në këtë vend dhe e shkëputi Shqipërinë nga trungu evropian. Sërish, në pothuajse gjysmë shekulli diktaturë, me dhjetëra e mijëra shqiptarë flijuan jetën e tyre, u burgosën, u persekutuan, provuan torturat e kampet e përqendrimit, vetëm e vetëm për të mbrojtur ato vlera që janë sa njerëzore aq dhe hyjnore, liritë themelore të njeriut.
Pas 100 vitesh, sot ne duhet të përulemi me nderim të madh, 100 herë, para të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre. Le të shprehim nderimin më të madh ndaj familjeve të tyre, për më të dashurit që ata humbën për lirinë kombëtare.
Por, secili prej tyre që prehet sot në flamurin e kombit, kur vështron kombin e tij, i cili 100 vjet më parë përpëlitej midis ekzistencën e mos - ekzistencës së tij si shtet, sheh sot një Shqipëri anëtare të NATO-s, një Shqipëri që rend me ritmet më të shpejta, për të kapur dekadat e pse jo, shekujt, që iu grabitën asaj nga diktatura e pushtimet. Sheh shqiptarë që janë të lirë, kudo që janë, janë të sigurt në të ardhmen e tyre.
Ndaj, edhe njëherë, le të shprehim nderimin më të madh ndaj atyre që të gjithë ne u detyrojmë më të shtrenjtën gjë që ka njeriu i qytetëruar, dinjitetin dhe lirinë”.
05/05/2012