E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Bertone

5 maj 2012
Shteti i Vatikanit

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në Selinë e Shenjtë, zhvilloi sot një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Tarçizio Bertone. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Rrok Logu.

Duke vlerësuar këtë takim, Presidenti Topi vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për rolin e rëndësishëm të Shtetit të Vatikanit në drejtim të evidentimit të vlerave të besimit shpirtëror, si dhe për kontributin e madh në fushat parësore jetësore, si shëndetësia, arsimimi e punësimi, porse dhe për ndihmesat e vazhdueshme humanitare, veçanërisht në situata të vështira e në raste fatkeqësish në vendin tonë.

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu ndikimin pozitiv fetar të Kishës Katolike në Shqipëri nëpërmjet shtimit të veprimtarive të saj sociale e humanitare për të orientuar njerëzit drejt vlerave të vërteta njerëzore, por dhe në zhvillimin e mëtejshëm të traditës së marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare në vend.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Tarçizio Bertone, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi, vlerësoi lart rolin e rëndësishëm e moderues të Presidentit Topi në ruajtjen e paqes e harmonisë në vend, por dhe të qëndrueshmërisë në Ballkan e më gjerë, duke vënë në pah shembullin shumë pozitiv të Shqipërisë e shqiptarëve në reflektimin e vlerave të pamohueshme të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›