Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nderim të regjisorit Hysen Hakani
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë homazhe në nderim të regjisorit të shquar Hysen Hakani, i cili u nda dje nga jeta.
Duke e vlerësuar atë si një nga personalitetet më të mëdha të artit tonë skenik, Kryeministri Berisha u shpreh : “Erdha për të shprehur nderimin dhe respektin tim më të madh, ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të thella, për themeluesin e filmit shqiptar, regjisorin e talentuar z. Hakani, i cili në një krijimtari të disa dekadave dha një ndihmë cilësore në filmin dhe artet skenike të vendit.
Nën regjinë dhe veprat e tij u formuan artistë të mëdhenj të kombit, të cilët i bënë të pavdekshme krijimet e regjisorit të nderuar.
Dhe njëherë ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella, familjes, miqve, por dhe botës së artit që humbi njërin prej personaliteteve të shquara të tij”.
09/02/2011