Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Fillimisht, Kryeministri u ndal në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, çka bën të mundur jo vetëm rritjen e rrogave dhe pensioneve, por edhe fillimin e menjëhershëm të projekteve të mëdha infrastrukturore.
Më tej, Kryeministri u ndal në përgatitjet për fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit, ku kërkoi që grupet e punës të nisin menjëherë funksionimin e tyre.
Kryeministri u ndal edhe në hetimet e 21 janarit, duke theksuar se “shokët dhe shoqet e ‘ngjarjes së bulevardit’ po bëjnë gjithçka për të penguar një proces jetik dhe vendimtar për këtë vend: hetimin e pavarur, të besueshëm, gjithëpërfshirës, të asaj që ata e quajtën me emrin e koduar ‘ngjarje në bulevard’ dhe që për ne ishte qartësisht një grusht shteti në të gjithë elementët e tij”. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria është dhe mbetet për një hetim të pavarur, të besueshëm, gjithëpërfshirës dhe se pas ardhjes së prokurorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo ka vendosur bashkëpunim të plotë dhe total me institucionin e prokurorisë.
Më gjerësisht, në mbledhjen e grupit parlamentar, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zonja deputete,
Zotërinj deputetë,
Së pari ju përshëndes përzemërsisht. Së dyti, kam kënaqësinë që t’ju informoj se janari natyrisht që kishte aktin më të shëmtuar të historisë sonë, puçin e udhëhequr nga Edvin Kristaq Rama dhe organizuar nga shokë dhe shoqe të bulevardit që mbi këtë puç dhe në kurriz të shqiptarëve kishin vendosur ëndrrën e mandatit të tyre të dytë. Por, përsëri, aq sa e fortë u dëshmua demokracia shqiptare, ligji, shteti ligjor dhe rendi kushtetues, po aq e fortë dhe vibrante u dëshmua ekonomia e Shqipërisë.
Unë dua t’ju informoj ju se këtë janar doganat shqiptare realizuar 12 përqind më shumë të ardhura se janarin e vitit të kaluar. Tatimet e Shqipërisë realizuan 6 përqind më shumë se janarin e vitit të kaluar. Eksportet shqiptare kaluan rritje të papërmbajtur. Ato krahasuar me janarin e vitit të kaluar janë 64 përqind më shumë. Në total eksportet e këtij vendi janarin e kaluar, në vlerë, ishin 9.4 miliardë lekë, ndërsa këtë janar janë 14.6 miliardë lekë. Specifika e strukturës së eksporteve është më pozitivja në tërë sistemin e shtetit shqiptar. Kjo pasi eksportet ‘Made in Albania’ tejkalojnë për herë të parë qartësisht eksportet të bazuara në mallra të importuara, siç quhen rëndom rieksportet.
Me këtë trend, jashtëzakonisht pozitiv, vazhdon me ritme të shpejta rritja e punësimit. Asgjë nuk rrit punësimin e një vendi sa rritja e prodhimit. Asgjë nuk rrit ekonominë sa rritja e prodhimit. Rritja e prodhimit është gjeneratori i prosperitetit. Kjo rritje prodhimi, rritje eksportesh dhe të ardhurash, mundëson plotësisht dhe totalisht zbatimin pikë për pikë, në frymë dhe në germë, të programit të kësaj qeverie. Kjo mundëson fillimin e menjëhershëm të projekteve të mëdha infrastrukturore, para së gjithash autostradën Tiranë – Elbasan, për të cilën ju jeni informuar se kanë qenë 26 kompani, ndër më të mëdhatë në Evropë dhe në botë, që kanë paraqitur dokumentet. Në një proces krejtësisht transparent janë përzgjedhur 12 prej tyre, të cilat i plotësonin të gjitha kushtet. Brenda një harku të shkurtër kohor do të shpallet fituesi, kompania që do ta ndërtojë atë me kushtin e prere: të përfundojë brenda 18 muajve. Një nga autostradat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët është autostrada, me tunel, Tiranë – Elbasan.
Por ky buxhet garanton, në këtë trend, rritjen e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri. Garanton rritjen konsistente më të madhe se të çdo vendi tjetër në Evropë të rrogave të arsimtarëve, mjekëve, punonjësve të administratës, ushtarakëve, policisë dhe të gjithë sektorëve; garanton rritjen e premtuar të pensioneve; garanton rritje të të ardhurave personale të 800 mijë familjeve shqiptare. Buxheti mbështet tërësisht reformat në arsim, në shëndetësi, high tech dhe në të gjitha fushat. Fillim i shkëlqyer. Reformat tona janë reformat e suksesit.
Ndërkohë dje, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, diskutuam gjerësisht për fushatën elektorale. Edhe një herë, zotërinj deputetë, ftesa ime është që të angazhoheni totalisht në mënyrë që t’i japim Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të cilat ka nevojë demokracia shqiptare dhe çdo demokraci e një vendi të lirë. Ju lutem, dhe një herë, të fillohet menjëherë nga puna. Grupet e punës të nisin menjëherë funksionimin e tyre.
Puçistët kishin vetëm një qëllim: të përmbysnin pushtetin e kësaj mazhorance dhe të mos bënin zgjedhje, por të ndanin mandatet me dhunë dhe pa zgjedhje. Ne jemi burrat dhe gratë, qytetarët dhe qytetaret që besojnë në votën e lirë. Aty qëndron e tërë forca jonë. Sepse ne besojmë në një vlerë universale, e cila i ka bërë shoqëritë të lira, të denja, të prosperta dhe ne do t’i përmbahemi asaj.
Dua, gjithashtu, t’ju informoj se shokët dhe shoqet e ‘ngjarjes së bulevardit’ po bëjnë gjithçka për të penguar një proces që është jetik dhe vendimtar për këtë vend: hetimin e pavarur, të besueshëm, gjithëpërfshirës, të asaj që ata e quajtën me emrin e koduar ‘ngjarje në bulevard’ dhe që për ne ishte qartësisht një grusht shtetit në të gjithë elementët e tij.
Dua të informoj qytetarët shqiptarë se pas ardhjes së prokurorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës qeveria ka vendosur bashkëpunim të plotë dhe total me institucionin e prokurorisë së këtij vendi. Natyrisht, qeveria është dhe mbetet për një hetim të pavarur, të besueshëm, gjithëpërfshirës, ashtu siç është e domosdoshme dhe që është interesi i çdo qytetari shqiptar. Kemi shprehur dhe shprehim sërish besimin tonë në institucionet e këtij vendi dhe nuk i konfondojmë ato me disa persona të caktuar, por nuk mund të mos theksoj se çdo ditë, për të sabotuar këtë proces, shokët dhe shoqet e bulevardit botojnë në media dokumente të dosjeve sekrete të hetimit. Ata çdo ditë fabrikojnë në mediat e tyre dhe të tjera akuza të trilluara, siç ishte ajo se Garda e Republikës po i fsheh serverin, ndërkohë që ajo ka qenë e gatshme në çdo kohë dhe çdo moment të bashkëpunojë me institucionin e akuzës. Garda e Republikës ka gjithçka transparente dhe nuk ka fshehur asgjë. Në personelin e Gardës është një pasuri e vërtetë e këtij shteti. Në ndërlidhjen mund të ketë persona që punojnë në të prej 25 vjetësh. Ata dhe askush nuk mund të kenë asnjë moral për të fshehur asnjë dokument, lere më serverët. Para se të lëshojnë një akuzë të tillë, militantët në radhët e shokëve dhe shoqeve të ‘ngjarjes së bulevardit’ duhet të peshojnë e të masin mirë se, absolutisht, ky problem nuk zgjidhet dhe nuk do të zgjidhet, në mënyrë kategorike, pa një hetim të plotë, të gjithanshëm, gjithëpërfshirës dhe të pavarur. Kjo nuk mund të kapërcehet. Kjo kapërcehet vetëm në këtë mënyrë. Hetimi nuk mund të kryhet duke e sabotuar e duke e trilluar atë.
Ndaj dhe unë dua t’i informoj shqiptarët se ka gjashtë ditë që kjo qeveri i është përgjigjur çdo kërkese të ardhur. Natyrisht, kjo edhe në dijeninë e ekipit që erdhi për të kontribuar në këtë hetim. Por në mënyrë të përsëritur janë konstatuar shkelje të tjera të rënda të procedurës dhe marrëveshjeve të bëra. Qeveria është thellësisht dhe tërësisht e interesuar, më shumë se kushdo tjetër, për hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Ajo është thellësisht e interesuar për rrethanat në të cilat humbën jetën 4 qytetarë. Një prej tyre paska qenë si pasojë e një rikoshetë, siç po i botojnë vetë këta në media. Po të tjerët, kush i vrau? Cila është dora e zezë që i ekzekutoi? Këto duhet të sqarohen një për një. Duhet të keni besim të plotë. Mirë njëri, siç e botojnë vetë, qenka plumb rikoshetë. Po tjetri? A është kjo pjesë e skenarit që unë do të kaloja mbi kufoma? Nuk them, por hetimi duhet të jetë i plotë dhe për çdo gjë. Ne jemi të përcaktuar për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Unë kam besim dhe u premtoj familjarëve të viktimave se qeveria do të bëjë çdo gjë që të ketë në dorë për të zbardhur të vërtetat. Ndonëse, ata e kanë shumë të qartë se kush ua pruri njerëzit e tyre më të dashur në një akt të rëndë antikushtetues. E kanë shumë të qartë se kush e solli të ndjerin Ziver nga emigracioni për të luftuar Sali Berishën.
Jam i bindur se për të gjitha këto do të ketë një hetim të plotë, të gjithanshëm. Por, nga ana tjetër, me duhet të paralajmëroj në mënyrën më serioze se pengesat ndaj hetimit nuk do të tolerohen. Askush nuk mund të pengojë këtë proces jetik dhe nuk mund ta parandalojë atë.
Edhe një herë, ftoj të gjithë qytetarët të kontribuojnë në hetimin e kësaj ngjarje. Shpreh mirënjohjen për qindra dokumente të sjella, dëshmi shumë të rëndësishme. Por është në interesin më të madh të secilit për të zbardhur me vërtetësinë më të madhe një ngjarje, e cila synonte të këpuste në mes demokracinë e këtij vendi, të përmbyste nga pushteti një shumicë legjitime të dalë me votën e lirë.
Faleminderit!”
07/02/2011