E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një mëngjes pune me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Ahmet Davutoğlu

Në ditën e dytë të vizitës në Turqi, Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një mëngjes pune me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë Ahmet Davutoğlu.   

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Ministri Davutoğlu theksoi se Kryeministri Berisha ndodhet në një vend mik të vërtetë dhe të gjithë kanë kënaqësinë ta mikpresin në Turqi. Në këtë kontekst, ministri Davutoğlu e uroi Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Më tej, ministri Davutoğlu vlerësoi arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, në veçanti performancën e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se ekonomia shqiptare, falë politikave dhe reformave të suksesshme të qeverisë, i ka qëndruar kësaj kohe të vështira për ekonominë globale.   

Kryeministri Berisha e falenderoi ministrin Davutoğlu për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu mirënjohjen më të thelle për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve, bazuar në miqësinë e gjatë tradicionale midis të dy popujve. Në veçanti, u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Erdogan, në konsolidimin e mëtejshëm të kësaj tradite të shkëlqyer dhe në zgjerimin e bashkëpunimit të frytshëm midis të dy vendeve.

Ne takim u vlerësua rritja e madhe e shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis të dy vendeve, gjatë këtyre 5 viteve, e cila ka kapërcyer vlerën e 400 milionë dollarëve dhe e investimeve turke në Shqipëri, të cilat i kanë kapërcyer një miliardë dollarë, çka dëshmon për besimin që investitorët dhe biznesi turk kanë në ekonominë shqiptare dhe politikat e qeverisë, të cilat kanë krijuar klimën më të favorshme për biznes e investime.

Ministri Davutoğlu i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e ministrisë dhe shërbimit diplomatik të Turqisë për të zhvilluar modelet më të shkëlqyera të bashkëpunimit me shërbimin diplomatik shqiptar, përfshi edhe ofrimin e shërbimeve konsullore apo të tjera për qytetarët shqiptare në përfaqësitë turke nëpër botë, në ato vende ku nuk ndodhen përfaqësi diplomatike shqiptare.

Kryeministri Berisha e falenderoi ministrin Davutoğlu për këtë gatishmëri bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe shfrytëzoi rastin për t’i përsëritur mirënjohjen e të gjithë shqiptareve për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer që të dy vendet kanë ndërtuar në fushën e sigurisë dhe në kuadër të NATO-s, si edhe u theksua roli i rëndësishëm, strategjik e i moderuar që Shqipëria ka luajtur në vijimësi në dobi të forcimit të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.


06/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›