Kryeministri Berisha zhvillon një takim dypalësh me Kryeministrin slloven Pahor
Kryeministri Berisha, gjatë vizitës në Slloveni, zhvilloi një takim dypalësh me Kryeministrin slloven Borut Pahor.
Kryeministri Berisha vlerësoi si mjaft të rëndësishme këtë Konferencë për bashkëpunimin rajonal, në realizimin e integrimit në Bashkimin Europian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shprehu vlerësimet për organizimin e shkëlqyer të këtij evenimenti.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Sllovenisë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit të saj në BE, si dhe theksoi se marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve do të njohin thellim të mëtejshëm.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin slloven me hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare drejt realizimit të standardeve dhe përmbushjen e kritereve të kërkuara për integrimin në BE dhe liberalizimin e vizave.
Në këtë kontekst, Kryeministri slloven shprehu mbështetjen e plotë te qeverisë sllovene për integrimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave për shqiptarët.
Gjatë takimit, u diskutua gjerësisht për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, duke u ndalur veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik me interes të përbashkët, në energji, transport, turizëm, infrastrukturë, porte etj..
Kryeministri slloven tha se së shpejti ai do jetë në Shqipëri në një vizitë zyrtare, i shoqëruar nga një delegacion shumë i gjerë me investitorë të vendit të tij, për të prekur nga afër mundësitë dhe potencialet e shtimit të investimeve sllovene në vend.
20/03/2010