Kryeministri Erdogan viziton Turqinë, perspektivë pozitive për të dy vendet
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, bëri dje një vizitë dyditore në Athinë, e cila pritet të hapë një perspektivë shumë optimiste në marrëdhëniet greko-turke. Gjatë vizitës pritet të nënshkruhen një numër marrëveshjesh bashkëpunimi, ndërkohë që të dy palët janë shprehur të gatshme të diskutojnë edhe pakësimin e armatimeve. Axhenda e takimit të Kryeministrit Erdogan me homologun e tij grek, Jorgos Papandreu, parashihet mjaft e pasur, sa në sensin politik, aq edhe ekonomik. Të dy kryeministrat synojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik, si një “hap të parë” që do t’i prijë normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe, me theks në mosmarrëveshjet për detin Egje. Si pika kulmore e vizitës konsiderohet zyrtarizimi i Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit, nën kryesimin e dy kryeministrave, ku do të marrin pjesë gjithashtu anëtarë të të dy qeverive. Këshilli konsiston në mbajtjen e kontakteve të drejtpërdrejta të nivelit të lartë, për çështje të ndryshme që preokupojnë marrëdhëniet dypalëshe. Pritet që gjatë vizitës së Kryeministrit turk në Athinë të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit, energjisë, arsimit, transporteve dhe bashkëpunimit në sektorin bankar. Ndërkohë që të dy palët janë shprehur të gatshme të diskutojnë edhe pakësimin e armatimeve. Një tjetër veprimtari e rëndësishme do të jetë edhe Forumi i Biznesit, ku do të marrin pjesë biznesmenët më të fuqishëm, grekë dhe turq, e ku do të flasin dhe të dy kryeministrat. Athina dhe Ankaraja kërkojnë të inaugurojnë një periudhë të re bashkëpunimi, të ngjashme me atë që ishte iniciuar në fillim të viteve 2000, kur ministër i Jashtëm i Greqisë ishte Kryeministri i sotëm, zoti Papandreu. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Drucas, tha se vizita do të jetë nisja e një përpjekjeje serioze për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit të ngushtë me Turqinë. Ndërkohë që shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu, e ka cilësuar vizitën si një revolucion në marrëdhëniet dypalëshe. Ne duhet të kalojmë në një etapë tjetër psikologjike pas disa dekadash armiqësi”, deklaroi zoti Davutoglu, 24 orë para mbërritjes në Athinë. Në shenjë predispozicioni të mirë, zoti Erdogan nuk ka përfshirë në programin e tij ndonjë vizitë në zonën e Trakës ku jeton një popullsi turqishtfolëse, që Turqia e konsideron si minoritet etnik turk, por Greqia vetëm si minoritet fetar.
#