E Diel, 1 Nëntor 2026

Më mirë në burg sesa të paguajmë gjobën

Prokuroria kërkon në gjykatë konvertimin për 65 të dënuar me gjobë. Një ditë burg është baras me 5 mijë lekë

Dhjetëra qytetarë shqiptarë të gjykuar dhe të dënuar me gjobë për një vepër penale preferojnë të shkojnë në burg. Kriza ekonomike ka prekur rëndë financat e familjeve shqiptare aq sa shumë qytetarë, të dënuar me gjobë nga gjykata, preferojnë të shkojnë në qeli, pasi një ditë burg është baras me 5 mijë lekë (të reja). Në harkun kohor të një muaji (12 prill-12 maj), në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar 65 kërkesa nga prokuroria, e cila e ka pasur të pamundur të ekzekutojë vendimet penale. “është shumë e vështirë të mbledhim dënimet e gjykatës me gjobë të cilave u janë adresuar qindra qytetarëve. Megjithëse vendimi ka marrë formë të prerë, shumë qytetarë nuk kanë derdhur në bankë gjobën, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin”, deklarojnë burimet nga seksioni i ekzekutimeve penale në Prokurorinë e Tiranës. Sipas tyre, shumë persona të dënuar me gjobë janë paraqitur në prokurori dhe kanë deklaruar se “më mirë në burg sesa të paguajmë gjobën”. Kjo pasi, një ditë burg është e barasvlefshme me 5 mijë lekë (të reja). Nëse një shtetas është dënuar me njëqind mijë lekë, atëherë ai duhet të vuajë 20 ditë burg. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranë, personat që nuk paguajnë gjobën janë në kushte të vështira ekonomike.

Rastet

Kërkesat e organit të akuzës për konvertimin e dënimit kanë filluar të gjykohen në gjykatë. “Me kërkesë të organit të prokurorisë, gjykata duhet të zbatojë parashikimet e nenit 467 të K.Pr.Penale, i cili parashikon se ‘Kur vërtetohet pamundësia e marrjes së gjobës ose e një pjese të saj, prokurori i bën kërkesë gjykatës që ka dhënë vendimin për të bërë konvertimin”. Një i dënuar me inicialet D.B ishte dënuar me 100 000 (njëqind mijë) lekë gjobë, e cila, bazuar në nenin 34 Kodit Penal do të konvertohet me 20 (njëzet) ditë burgim, pasi sipas këtij neni “Kur gjoba nuk paguhet në afatin e caktuar, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim, duke llogaritur 5 mijë lekë për një ditë burgim”. Sipas vendimit të gjykatës për këtë rast, prokuroria ka paraqitur kërkesë për konvertimin e dënimit nga gjobë penale në ditë burgimi për këtë të dënuar. Një vendim i mëparshëm i gjykatës kishte dënuar shtetasin D.B. Në vendim thuhej se “Deklarimin fajtor të pandehurit D.B për kryerjen e veprës penale të ‘Lidhjes së paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike’ dhe e dënon të pandehurin me 100000 (njëqind mijë) lekë gjobë, e cila do të paguhet nga i pandehuri në favor të shtetit brenda 6 (gjashtë) muajve nga dita kur vendimi të marrë formë të prerë”. Ndërkohë, rezultoi e provuar se pasi ky vendim ka marrë formë të prerë, nga ana e Prokurorisë dhe e Zyrës së Përmbarimit Tiranë, ku i dënuari ka vendbanimin, janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme për marrjen e gjobës, por kjo ka qenë e pamundur. I dënuari nuk ka kryer pagimin vullnetar të saj dhe nuk rezulton të ketë pasuri për marrjen e kësaj gjobe. Gjykata e thirri këtë të pandehur në gjykatë dhe filloi procedurat e konvertimit, duke vendosur për të 20 ditë burg. Vendimi duhet të ekzekutohet menjëherë pas arrestimit dhe nëse nuk kapet ai duhet të shpallet në kërkim. Ndërkohë, një i dënuar tjetër me inicialet E.J ishte dënuar me 10000 (dhjetë mijë) lekë gjobë, e cila iu konvertua me dy ditë burgim. Rastet për konvertimin e gjobës janë të ngjashme në Gjykatën e Tiranës, ndërsa masa e dënimit ndryshon nga gjoba me të cilën janë dënuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›