Kryeministri Fatos Nano, duke iu përgjigjur të Martën në seancë plenare pyetjeve të deputetëve për programin e qeverisë, rikonfirmoi "angazhimin e kabinetit që drejton për të respektuar sh

Kryeministri Fatos Nano, duke iu përgjigjur të Martën në seancë plenare pyetjeve të deputetëve për programin e qeverisë, rikonfirmoi "angazhimin e kabinetit që drejton për të respektuar shtetin e së drejtës dhe për të bashkëpunuar me opozitën për hartimin e strategjisë kombëtare të zhvillimit". "Forca politike që unë drejtoj është dalluar si në opozitë dhe në pozitë, për aftësinë e saj vetëkontrolluese dhe vetëkorrigjuese", tha z.Nano, duke vijuar se "zhvillimet brenda mazhorancës kanë provuar se debati dhe zhvillimi i hapësirave demokratike janë vlerësuar si shtrati i vetëm për të korrigjuar vetveten dhe të tjerët, pa hequr dorë në asnjë çast nga parimi i gjithëpërfshirjes dhe i ndarjes së përgjegjësive". Në këtë koncept, tha kryeministri Nano, ka angazhim politik dhe përfaqësues për të realizuar objektivat e votuesve që na kanë zgjedhur. Ndërkaq, i pyetur se nëse do të kërkohet heqja e ligjit të luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë, bazuar në programin e qeverisë sipas të cilit "aleati strategjik i Shqipërisë është Greqia", ai tha se "nuk është ky mesazhi i programit që paraqita dje, por dua të ritheksoj se marrëdhëniet bilaterale me Greqinë do të vijojnë të jenë miqësore, ndërsa lidhur me ligjin e luftës e konsiderojmë atë thjesht një mbetje joaktive të një periudhe që tashmë ka vdekur njëherë e përgjithmonë" Kryeministri Nano iu përgjigje dhe pyetjeve për çështjen çame. Ai theksoi se "filozofia bazë që orienton edhe programin e qeverisë, është ajo e integrimit, përmes së cilës do të gjejnë zgjidhje edhe konfliktet tashmë të krijuara nga historia tragjike e Ballkanit". Ndërsa për çështjen e kthimit të pronave, kryeministri Nano u shpreh se, zgjidhja përfundimtare e kësaj çështjeje do të jetë prioritet i veçantë i qeverisë. "Eshtë strukturuar një angazhim i mazhorancës për të përfunduar brenda vitit 2004 regjistrimin e tokës bujqësore dhe është në proces regjistrimi i pasurive të paluajtshme në përgjithësi", tha z.Nano. Ai shtoi se "rishpreh vlerësimin e qeverisë së re se, zgjidhja e çështjes së pronave shihet jo thjesht në shuarjen e konflikteve civile mes pronarëve të vjetër e të rinj, por zhvillimi i reformave transformuese të ekonomisë, legalizimi i pronës kërkon pa dyshim zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave". Për mënyrën sesi do të përfshihen ekspertët e opozitës për hartimin e një strategjie të zhvillimit kombëtar dhe mënjanimin e barrierave burokratike që rrjedhin nga praktika tradicionale të abuzimit administrativ, kryeministri Nano u shpreh se "roli i opozitës në këtë strategji është i pazëvendësueshëm, e mazhoranca dhe qeveria po vazhdojnë të bashkëpunojnë institucionalisht me opozitën, për të përmirësuar standartet demokratike për procesin e integrimit dhe çështje të tjera me interes kombëtar". "Lufta kundër praktikave burokratike nuk do të jetë e suksesshme, duke mbetur vetëm mbi bazat e vullnetit politik, ndaj qeveria e re mendon ta realizojë përmes forcimit të kontrollit dhe të përgjegjësive administrative, duke zbatuar me përpikmëri ligjislacionin në fuqi", përfundoi kryeministri Nano