E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano, prezantoi në seancën plenare të së Hënës, programin e e qeverisë së re, që do të votbesohet nga Kuvendi. Prioritetet e qeverisë mbeten integrimi Europian, konsolidi

Kryeministri Fatos Nano, prezantoi në seancën plenare të së Hënës, programin e e qeverisë së re, që do të votbesohet nga Kuvendi. Prioritetet e qeverisë mbeten integrimi Europian, konsolidimi i rregullave dhe institucioneve demokratike, duke filluar me përmirësimet e sistemit dhe administrimit të procesit zgjedhor, luftën pa kompromis kundër fenomeneve të trafiqeve, krimit të organizuar, korrupsionit, konsolidimit të administratës publike dhe institucioneve themelore të shtetit, konsensusin për reformat strukturore të ekonomisë, etj. Programi i kësaj qeverie bazohet në programin elektoral të koalicionit, "Aleanca për Shtetin", në arritjet pozitive të dy kabineteve qeveritare të mëparshme, në dokumenta kombëtare zhvillimi tashmë të konsoliduara dhe në mbështetje të partnerëve ndërkombëtar. Kabineti i ri dhe programi qeveritar vjen si shkak dhe nevojë e menaxhimit sa më efektiv të një klime të re pozitive në marrëdhëniet mazhorancë-opozitë, u shpreh Kryeministri Nano. Sipas tij kjo marrëdhënie vjen edhe si shprehje më e lartë e përgjegjësisë së mazhorancës qeverisëse, përballë angazhimeve të votuara para zgjedhësve të 24 Qershorit, 2001. Z.Nano tha se "janë shtuar shanset dhe hapësirat institucionale që praktikat tradicionale të konfliktit mes pozitës dhe opozitë, të shndërrohen në kontribute të përbashkëta për të instaluar edhe në Shqipëri, përfundimisht rregulla dhe institucione standarte. Objektivat themelor dhe prioritare të qeverisë, janë përcaktuar mbi bazën e një vlerësimi të hollësishëm, profesional dhe të përgjegjshëm, të realitetit politik, ekonomik dhe burimeve natyrore dhe njerëzore që vendi disponon. Një rëndësi të veçantë qeveria do ti kushtojë marrëdhënieve me Kuvendin e Shqipërisë. Qeveria angazhohet të garantojë kushtet e sigurisë rregullat e konkurencës dhe dinjitetin e integrimit të vlerave dhe aftësive të shqiptarëve në ekonominë globale dhe moderne. Qeveria do të godasë korrupsionin, si dhe çdo lidhje të përfaqësuesve të politikës me këtë fenomen, u shpreh Nano. Në fushën ekonomike qeveria sheh me prioritet realizimin e reforma duke harmonizuar institucionet e tregut që mobilizojnë kapitalin ndërkombëtar. Qeveria angazhohet që përmes një programi ambicioz reformash financiare, të rrisë të ardhurat publike përtej limiteve te sotme, duke mundësuar dinamikë të re financimi të ndërtimit të infrastrukturës moderne, duke krijuar hapësira për biznesit privat dhe të huaja, përmes investimeve direkte. Qeveria do të shohë me përparësi zgjidhjen e problemeve të trashëguara të pronësisë. Në fushën e integrimit, synohet që në Shtator përgatitja e projektdirektivës së bisedimeve me KE, në Tetor, fillimi i negociatave dhe vitit 2003 përfundimi i negociatave, dhe fillimi i ratifikimit të marrëveshjes, nga Parlamenti Europian, parlamentet e vendeve anëtare dhe parlamenti shqiptar. Në fushën e politikës së jashtme prioritare mbeten marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet fqinje. Një nga përgjegjësitë kryesore të qeverisë, do të jetë mbështetja dhe zhvillimi i refromave në fushën e mbrojtjes. Transformimi i Forcave të Armatosura në strukturë, në koncepte, do të jenë në vëmendjen e vazhdueshme të të qeverisë. Në këtë kuadër qeveria e konsideron prioritet të saj integrimin në NATO dhe do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë reale të vendit për të mbështetur integrimin në Aleancë. Në fushën e Drejtësisë, synohet reformë në sistemin e Drejtësisë, përsosja e kuadrit ligjor dhe atij institucional, dhe përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit, që rregullon veprimtarinë e gjykatës, prokurorisë dhe policisë gjyqësore. Në fushën e rendit synohet, forcimi i shtetit ligjor dhe imponimi i forcës së ligjit, lufta pa kompromis ndaj trafiqeve, kriminalitetit. Decentralizimi dhe autonomia vendore përbëjnë drejtimet kryesore të punës së qeverisë, për forcimin e organeve të pushtetit vendor. Në këtë kuadër zbatimi i strategjisë së decentralizimit dhe autonomisë vendore, të hartuar në vitin 1999, përbën objektiv real për të arritur standartet europiane. Qeveria sheh me prioritet zhvillimin e burimeve njerëzore, ku arsimi, shkenca, shëndetësia, administrata publike, kultura, sporti, do të jenë në vëmendjen e saj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›