Kryeministri Fatos Nano është takuar sot në Irlandë me Kryeministrin irlandez Bertie Ahern. Kryeministri irlandez në fillim të këtij takimi duke i uruar mirëseardhjen zotit Nano është shp
Kryeministri Fatos Nano është takuar sot në Irlandë me Kryeministrin irlandez Bertie Ahern.
Kryeministri irlandez në fillim të këtij takimi duke i uruar mirëseardhjen zotit Nano është shprehur se është i kënaqur që Irlanda tashmë po lidhet drejtpërdrejt me një vend i cili ka hyrë ne proceset integruese të anëtarësimit në BE. "Ky fakt ka rëndësi të vecantë sepse në Janar të vitit 2004 Irlanda merr kryesinë e rradhës së Presidencës së BE-së, pas përfundimit të mandatit nga Italia. Ne do të tregojmë interes maksimal për rajonin tuaj, për stabilitet dhe progres, duke u udhëhequr nga parimi i konsoliduar i strukturave të BE-së se nuk mund të ketë Bashkim Europian pa Ballkanin Perëndimor", tha z.Ahern.
Kryeministri Nano e ka njohur kryeministrin irlandez me hapat që po hidhen nga shqiptarët në procesin e stabilizim-asociimit në BE, duke ndarë të njëjtën pikëpamje me zotin Ahern, se ky proçes ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të krejt Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër Kryeministri Ahern tha se i njeh përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e reformave integruese europiane si dhe rolin moderator që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në iniciativat që nxisin stabilizim dhe paqe.
Duke u ndalur në Samitin e Selanikut, Kryeministri Nano tha se shpresojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë vëmendjen dhe mbështetje më të fortë nga strukturat e BE-së, duke theksuar se futja e Kosovës në proçeset integruese do të ndihmonte të gjithë rajonin në këtë drejtim.
Në përfundim të këtij takimi, Kryeministri Ahern i ka konfirmuar zotit Nano mbështetjen e tij të plotë duke u shprehur "ju keni tashmë një mik të fortë, këtu në Irlandë, që do t' ju mbështesë në përpjekjet tuaja".