Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot pasdite në një takim z. Peter Reiniger Drejtor i Grupit të Biznesit për energjinë dhe Telekomin pranë BERZH, z. Khrosroë Zamani Drejtor për Europën Jugli
Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot pasdite në një takim z. Peter Reiniger Drejtor i Grupit të Biznesit për energjinë dhe Telekomin pranë BERZH, z. Khrosroë Zamani Drejtor për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore pranë IFC, si dhe z. George Stephanoupulos Drejtor i Strategjive pranë Vodafon Panafon, anëtar i Bordit Drejtues të Vodafone Albania, si dhe Thomas Papaspiru Drejtor Ekzekutiv i Vodafone.
Kryeministri Nano ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm të Qeverisë Shqiptare me këto institucione financiare ndërkombëtare mjaft të rëndësishme, si dhe ka theksuar se financimi i sektorit privat në Shqipëri prej këtyre institucioneve është një instrument që do të prodhojë impakte mjaft pozitive për ekonominë shqiptare.
BERZH, IFC dhe Alpha Bank e njohën Kryeministrin me vendimin e fundit të marrë prej tyre për kreditimin me 85 milionë euro të kompanisë Vodafone që operon në Shqipëri, kredi kjo që do të përdoret për zgjerimin e aktivitetit të kësaj kompanie, për të përmirësuar shërbimet e saj si dhe për të ulur tarifat.
"Kreditimi i sektorit privat luan një rol mjaft të rëndësishëm edhe në konsolidimin e konkurencës ndërsa integrohemi në tregjet globale përveç krijimit të shërbimeve moderne dhe kjo është edhe kredia më e madhe e dhënë deri tani për një kompani private në Shqipëri", tha Kryeministri Nano.
Përfaqësuesit e këtyre institucioneve financuese gjatë këtij takimi u shprehën se ky bashkëpunim është një shembull i mbështetjes së sektorit privat në Shqipëri, i cili menaxhohet mirë dhe ka bërë mjaft progres sidomos në vitet e fundit.
Përfaqësuesi i BERZH z. Reineger dhe ai i IFC z. Zamani konfirmuan edhe një herë vazhdimin e financimit të projekteve në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë financimin e projekteve private duke theksuar mbështetjen në shkallë të gjerë të biznesit në të gjithë vendin.
Ata vlerësuan së tepërmi procesin e privatizimit të sektorëve strategjikë në Shqipëri e sidomos përzgjedhjen e Reiffeissen Bank në privatizimin e Bankës së Kursimeve, e cila njihet si një nga bankat më prestigjoze në tregun financiar europerëndimor, si dhe shprehën gadishmërinë e institucioneve të tyre për të bashkëpunuar për privatizimin e Albtelekomit dhe INSIG.