E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano së bashku me Kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi kanë përuruar sot, rreth orës 11.00, në një ceremoni të veçantë, kompleksin e ri doganor të Morinës pas moderniz

Kryeministri Fatos Nano së bashku me Kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi kanë përuruar sot, rreth orës 11.00, në një ceremoni të veçantë, kompleksin e ri doganor të Morinës pas modernizimit të tij përmes një investimi të bërë nga Banka Botërore. Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe zëvendës shefi i UNMIK-ut Charls Braishoi, autoritetet lokale të Kukësit, deputetë të zonës etj.

Kryeministri Nano e konsideroi përurimin e kësaj pike doganore të modernizuar si një eveniment të rëndësishëm që lidhet drejpërsëdrejti me lehtësimin e lëvizjeve ndërkufitare të njerëzve, vlerave dhe kapitaleve, e cila do të promovojë akoma më shumë intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe do të rrisë më tej nivelin e standarteve të shërbimeve që do të ofrojë.

"Operatorët e të dy vendeve dhe në veçanti ato të zonave më të afërta në të dy anët e kufirit do të dinë të përfitojnë nga klima e përshtatshme e krijuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë dhe asaj për Mbrojtjen e Investimeve, si dhe vënien në funksion të plotë doganor të pikave të kalimit kufitar, për të vendosur kontaktet dhe bashkëpunimin e nevojshëm, gjë që do të ndikonte edhe në rritjen e nivelit ekonomik të zonës", tha z. Nano në këtë ceremoni.

Po ashtu Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi e vlerësoi si shumë të rëndësishme hapjen e pikës doganore të Morinit, si një mënyrë që do të çojë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve."Kjo pikë doganore hapet në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo përballon fluksin më të madh të shkëmbimeve mes të dy vendeve prandaj ishte shumë e rëndësishme modernizmi i saj", tha Z. Rexhepi.

Pika doganore e Morinës është porta kryesore e komunikimit me Kosovën. Investimi i realizuar nga Banka Botërore përmbushi një nga objektivat e Qeverisë Shqiptare për t'i dhënë frymëmarrje ekonomike veriut të Shqipërisë, si dhe për të shtuar urat e komunikimit midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Projekti i modernizimit të pikës doganore të Morinës u krye në kuadër të Paktit të Stabilitetit dhe kap vlerën e 900 mijë dollarëve. Eksportet vjetore arrijnë në rreth 4.8 milion euro në vit, ndërsa importet arrijnë në 2.3 milion euro në vit. Shkëmbimet tregtare janë rritur në këtë pikë sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Shqipëri-Kosovë, që hyri në fuqi në 1 tetor 2003. Ky projekt e ka shndërruar këtë pikë doganore në përputhje me parametrat bashkëkohorë për një shërbim doganor sipas standarteve ndërkombëtare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›