Jam përpara jush për të bërë publike aktet ligjore më të rëndësishme që miratoi sot mbledhja e Këshillit të Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, të cilat synojnë përmi
Jam përpara jush për të bërë publike aktet ligjore më të rëndësishme që miratoi sot mbledhja e Këshillit të Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, të cilat synojnë përmirësimin e legjislacionit në fushën e privatizimit dhe integrimin e shtresës së ish të përndjekurve politikë në këtë drejtim.
• Është miratuar projektligji "Për një ndryshim në ligjin nr.8334, datë 23.4.1998, "Për privatizimin e shoqërive tregtare, që veprojnë në sektorët jostrategjikë".
Pikërisht në nenin 1 të ligjit të mësipërm do të shtohet "Këshilli i Ministrave mund të vendosë shitjen e paketës së aksioneve për ish të përndjekurit politikë, brenda strukturës së formulës së privatizimit". Kjo paketë shitet në ankand me bono dhe lekë privatizimi.
Ndryshimi i miratuar mundëson përfshirjen e letrave me vlerë (bono dhe lekë privatizimi, që aktualisht nuk janë përdorur), në mbështetje të procesit të integrimit të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, në procesin e privatizimit të paketave shtetërore të aksioneve në shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, si dhe në privatizimin e disa objekteve potenciale në rrethet kryesore të vendit.
Ky vendim është një ndër hapat konkrete të angazhimit të Kryeministrit dhe Qeverisë për integrimin dhe reahabilitimin e ish-të përndjekurve politik.
Gjithashtu, ky hap është iniciuar në zbatim të urdhërit të Kryeministrit për krijimin e grupit ndërinstitucional të punës për ndjekjen dhe ecurinë e rehabilitimit të ish të përndjekurve.
• U miratua projektligji "Për një shtesë në ligjin nr.7512, datë 10.8.1991, "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, nismës së lirë, të veprimtarive të pavarura dhe privatizimit", të ndryshuar".
Projektligji synon decentralizimin për privatizimin e pasurive të luajtshme, si dhe realizon thjeshtëzimin e hallkave të shumta e të panevojshme në këtë proçes të rëndësishëm. Po ashtu, ai siguron një transparencë të plotë në proçesin e privatizimit, si dhe rrit efiçencën.
• Po sot, Kryeministri Fatos Nano ka pasur një bisedë telefonike me Kryeministrin e Maqedonisë Branko Cervenkovski. Pasi i ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet për humbjen tragjike të Presidentit Trajkovski, Kryeministri Nano e garantoi z. Cervenkovski, se Qeveria e Shqipërisë ka vullnetin e plotë për të vazhduar të punojë sëbashku me Qeverinë maqedonase për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit, paqes, zhvillimit dhe integrimit në strukturat euroatlantike.
Gjithashtu, Kryeministri Nano ka shprehur bindjen se faktori shqiptar në Maqedoni do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm dhe moderator për të ardhmen e Maqedonisë. Kryeministri Cervenkovski ka falënderuar për mesazhet e rëndësishme në këtë moment të vështirë për Maqedoninë dhe ka theksuar se ndan të njëjtën pikëpamje për marrëdhënie të ngushta në rrugën e integrimit të të dy vendeve, por edhe të krejt rajonit.
Më tej, Zëdhënësi i Kryeministrit iu përgjigj interesimit të mediave.
Pyetje: A është diskutuar në mbledhjen e Qeverisë në lidhje me Rezolutën e fundit të Kryesisë së Partisë Socialiste?
Përgjigje: Kryeministri në përfundim të mbledhjes së qeverisë në vijim të rezolutës së miratuar nga Kryesia e Partisë Socialiste është shprehur se anëtarët e kabinetit qeveritar do të nisin vizita pune në çdo qark të vendit.
Sëbashku me deputetë të Qarqeve dhe zyrtarë të tjerë të specializuar të administratës, në bashkëpunim dhe me shoqërinë civile, ata do të diskutojnë për problematikën themelore të çdo qarku dhe masat që po ndërrmerr qeveria në këtë drejtim
Ky hap do të bëhet pikërisht tani kur është faza e plotësimit të buxhetit me një amendim të ardhurash dhe shpenzimesh shtesë në mënyrë që edhe partnerët lokalë të njohin dhe të kontribuojnë për prioritetet e buxhetit vendor dhe të përcaktohen saktë financimet lokale.
Në këtë funksion do të fillojnë takimet edhe të autoriteteve të partive të Koalicionit për Integrim për të qenë pjesë e këtij procesi.