Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Peshkopisë. Në këtë vizitë, z.Nano shoqërohej nga Ministri i Rendit Publik Igli Toska, Ministri i Transportit dhe Telekomunik
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Peshkopisë. Në këtë vizitë, z.Nano shoqërohej nga Ministri i Rendit Publik Igli Toska, Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Luan Memushi, deputeti i Dibrës Ilir Gjoni dhe autoritete të pushtetit lokal.
Gjatë kësaj vizite, z.Nano u takua me intelektuale, të rinj dhe banorë të qarkut të Dibrës, (Peshkopisë, Bulqizës dhe Matit). Bashkëbisedimi u përqëndrua mbi zhvillimin dhe problematikën e qarkut të Dibrës, shfrytëzimin e potenciale dhe burimeve të konsiderueshme që ka ky qark për zhvillim, financimin e projekteve të ardhshme në fusha prioritare si infrastrukturë, shëndetësi, arsim etj.
Në këtë drejtim, Kryeministri Nano bëri të ditur se vitin e ardhshëm do të fillojnë punimet për rrugën e arbrit. Duke vënë në dukje rëndësinë e ndërtimit të kësaj rruge, e cila do të kushtojë 120 milion dollarë, z.Nano tha se "distanca juaj me tregjet kombëtare dhe rajonale do të shkurtohet ndjeshëm, ndërsa rruga Peshkopi-Tiranë nga 108 km që është aktualisht do të jetë vetëm 72 km". Ai theksoi se vetëm gjatë këtij viti, qeveria shqiptare për mirëmbajtjen e kësaj rruge ka marrë një kredi prej 72 milion lekë nga Banka Botërore.
Kryeministri Nano shprehu mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për të gjitha projektet e zhvillimit të qarkut të Dibrës. "Qeveria që unë drejtoj do të vazhdojë t'ju mbështesë në të gjitha projektet prioritare në infrastrukturë, shëndetësi e arsim, me qëllim zhvillimin e qarkut të Dibrës. Ju ftoj të bëheni partnerë edhe më aktive për zhvillimin e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë, pasi jeni një zonë me potenciale të mëdha ekonomie", tha z.Nano. Ai siguroi se qeveria ka mundësitë financiare për të mbështetur projektet kryesore që do të sjellin zhvillimin e mëtjeshëm të qarkut tuaj.
Në fillim të kësaj vizite, z.Nano zhvilloi një takim me drejtues të strukturave të Partisë Socialiste në Dibër, me të cilët diskutoi çështjet e kuvendimit të madh, zhvillimeve të fundit në PS dhe procesit të ripërtërirjes së strukturave të partisë, nga kryesia e saj deri në strukturat në bazë.
Z.Nano vlerësoi punën e bërë nga strukturat e PS në Dibër, ndërsa theksoi nevojën e një komunikimi më të ngushtë me njerëzit për çështje themelore. "Të gjithë ata që janë shmangur dhe nuk i kanë shërbyer me zemër, nuk kanë ndjekur disiplinën e saj u kthyen në grupin e mëkatarëve", tha z.Nano. Ai theksoi se PS do të hyjë në fushatën e ardhshme me synimin për të fituar tre deputetë në Dibër.
Po ashtu z.Nano vlerësoi se efekti i ripërtëritjes së strukturave në Dibër ka dhënë rezultat, duke theksuar se ky proces nuk duhet të mbetet vetëm në kryesi, por edhe në të gjitha strukturat e partisë, në këshillat zonalë, organizatat e saj etj. "Mesazhi i ripërtëritjes, tha ai, do të jetë drejtësia. Historia e partisë sonë nuk e ka pranuar dhe nuk do ta pranojë klientelizmin dhe ne do ta luftojmë atë". Kuvendim i madh, theksoi z.Nano, do të thotë edhe denoncim publik për të gjithë ata që kanë abuzuar.
Më tej, z.Nano se garantoi se vëmendja dhe mbështetja e qeverisë për zhvillimin e Dibrës do të vazhdojë të jetë e madhe dhe e pandryshuar. "Investimet në Dibër janë të pakrahasueshme me nivelin e tyre në qeverisjen e Berishës, madje ato janë dyfish më të larta edhe sesa në kohën kur qeveria drejtohej nga ndonjë ish kryeminister që pretendon se vetëm ai ka patur rezultate dhe suksese në punën e tij. Vetëm tatimet e doganat sëbashku këtë vit do të dalin me 98.2%, krahasuar me 94% në periudhën e ish kryeministrit meta", tha z.Nano. Qeveria, tha ai, do të vazhdojë t'i kushtojë vëmendje sektorëve prioritarë si infrastruktura, arsimi, shëndetësia etj., duke nënvizuar se në këtë drejtim duhet të përcaktohen qartë projektet prioritare për financim.
Më pas, Kryeministri Nano u takua edhe me kryetarin e Bashkisë, përfaqësues i opozitës dhe anëtarë të këshillit bashkiak, të cilëve u përcolli mesazhin e bashkëpunimit mes strukturave qendrore dhe atyre vendore për zhvillimin e bashkisë së Peshkopisë.