Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në ceremoninë e dekorimit të Lordit Rothschild dhe Lordit Saintsbury Preston Candover, themelues të fondacionit Butrinti me titullin "Qytetar Nderi" të
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në ceremoninë e dekorimit të Lordit Rothschild dhe Lordit Saintsbury Preston Candover, themelues të fondacionit Butrinti me titullin "Qytetar Nderi" të Sarandës dhe të Patrick Fairweather, Drejtor i këtij fondacioni dhe ish ambasador jo resident i Britanisë së Madhe në Shqipëri me Urdhërin "Naim Frashëri" i Argjendë.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në qytetin e Sarandës ishin të pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Blendi Klosi, ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Richard Jones, kryetari i Bashkisë së Sarandës, personalitete të fushës së arkeologjisë, historisë dhe kulturës dhe autoritete të tjera të pushtetit lokal etj..
Kryeministri Nano, në fjalën e tij përshëndëse, e konsideroi Lordin Rothschild dhe Saintsbury miq të shquar të Shqipërisë dhe qytetarët më të rinj të perlës turistike e kulturore jo vetëm të vendit tonë por edhe të bregdetit adriatiko-jonian, Sarandës. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e shquar të z.Patric Fairweather për zhvillimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën diplomatike dhe kulturore.
Z.Nano i dorëzoi titullin "Qytetar Nderi" i Sarandës Lordit Rothschild, duke theksuar se veprimtaria humanistike dhe kulturore e tij është vazhdim i kontributit të vyer ndër shekuj të një sërë personalitetesh angleze nga fusha e letrave, të politikës, historisë e humanistikës. Në këtë galeri figurash të ndritura Lordi Rothschild ka vendin e tij të pazëvendësueshëm. Nderimi për të, theksoi z.Nano, shkon njëherësh për të gjithë ekipin e Fondacionit Butrinti, në mënyrë të veçantë për Lordin Saintsbury, z.Patrick Fearweather etj.
Duke theksuar punën e bërë nga Fondacioni Butrinti për restaurimin dhe mirëmbajtjen e qytetit antik dhe shndërrimit të saj në një tempull të turizmit kulturor shqiptar, z.Nano tha se "Butrinti është modeli pas të cilit duhet të rendin edhe qendra të tjera arkeologjike në vend si Amfiteatri i Durrësit, Apolonia, Finiqi etj.".
"Sot, Saranda, tha ai, nuk ka vetëm një qytetar më shumë, por edhe një ambasador të shkëlqyer në botë, i cili me vepra e jo me fjalë, ka dëshmuar se pasioni për kulturën e historinë e ka shtyrë të shpenzojë kohë, energji, burime financiare dhe ç'është më e çmuara dashurinë. Për miq të tillë shqiptarët nuk kanë të hapura vetëm dyert e shtëpive, por edhe të shpirtit të tyre bujar".
Lordi Rothschild vlerësoi kujdesin e vazhdueshëm të Kryeministrit Nano për zhvillimin e Butrintit dhe mbështetjen e inisiativave për promovimin e vlerave të tij, ndërsa vuri në dukje dhe progresin e arritur nga Shqipëria. "Shqipëria ka një mik të vërtetë tek mua dhe gjithë familja ime", tha Lordi Rothschild.
Fondacioni Butrinti është themeluar nga Lordi Rothschild dhe Sainsbury Preston Candover në vitin 1993 me qëllim mbrojtjen dhe konservimin e Butrintit, të përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, duke kontribuar edhe në promovimin e parkut të Butrintit si një vend i mrekullueshëm me vlera unikale për turizmin shqiptar.
Fondacioni ka siguruar fonde gjithnjë në rritje për realizimin e projekteve në Butrint dhe në zonën përreth, të cilat përfshijnë një program arkeologjik ambicioz, konservimin e monumenteve, kërkime arkivore dhe projekte mjedisore. Falë kontakteve dhe punës së dy Lordëve në fushën e konservimit të trashëgimisë kulturore, një numër i konsiderueshëm fondacionesh ndërkombëtare i janë bashkuar Fondacionit Butrinti në financimin e projekteve të ndryshme, siç ështe Instituti Packard i Shkencave Shoqërore e Humane të SHBA-së.
Fondacioni Butrinti mbështet jo vetëm me fondet e veta, por duke siguruar edhe mbështetjen e donatorëve të ndryshëm, për financimin e kërkimive shkencore për historinë, gjeografinë, arkeologjinë e Butrintit dhe për kualifikimin e brezit e ri të studentëve shqiptarë në arkeologji, histori, konservim dhe restaurim.