Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me një delegacion të nivelit të lartë të USAID, i kryesuar nga z. Kent Hill, Ndihmës administrator për Europën dhe Euroazinë. Të prani
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me një delegacion të nivelit të lartë të USAID, i kryesuar nga z. Kent Hill, Ndihmës administrator për Europën dhe Euroazinë. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Zëvendësambasadori i SHBA në Tiranë, z. Stiven Zate, si dhe Drejtori i USAID në Shqipëri z. Harry Birnholz.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmën e Qeverisë Amerikane nëpërmjet programeve të USAID për zhvillimin në Shqipëri të një shoqërie demokratike. E rëndësishme për ne, tha zoti Nano, është vazhdimi i bashkepunimit dhe i asistencës në drejtim të luftës kundër korrupsionit, në përputhje me inisiativat e Qeverisë Shqiptare, që kanë nxitur pjesëmarrjen edhe të aktorëve të tjerë, përfaqësues të biznesit, medias dhe shoqërisë civile, të cilët kanë përgjegjësi dhe aftësi për të nxitur progresin e zhvillimeve në Shqipëri.
"Shqipëria tashmë është në një rrugë që synon thellimin e reformave, veçanërisht në forcimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor për të ngritur një sistem efiçent drejtësie me qëllim për t'ju përgjigjur korrupsionit dhe krimit të organizuar me një drejtësi të organizuar", tha më tej zoti Nano.
Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi ndihmën e qeverisë amerikane veçanërisht për programet që i përgjigjen nevojave prioritare të zhvillimit të vendit dhe reduktimit të varfërisë. Zoti Nano theksoi në këtë takim se për Shqipërinë mbetet parësore mirëorientimi i bizneseve drejt tregtisë dhe eksporteve, duke cilësuar si mjaft të rëndësishëm në këtë drejtim ndihmën e madhe që po jepet nga USAID përmes programeve të ndryshme.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi disa programe të USAID me synim mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave të njohura apo të arritura si harmonia fetare, shoqëria civile aktive, media e lirë etj. "Ne kemi të gjithë vullnetin politik, tha zoti Nano, për të zgjeruar bashkëpunimin me ju dhe kemi provuar se jemi seriozë në administrimin e ndihmës dhe të mbështetjes që na jepet". Zoti Nano shprehu gadishmërinë për të punuar bashkarisht në këtë mision për të sfiduar vështirësitë që Shqipëria të përfshihet në listën e vendeve që do të përfitojnë nga programi amerikan i ndihmës MCA.
Qeveria që unë drejtoj është e angazhuar gjithashtu dhe po punon me përgjegjshmëri për të shtuar kapacitetet administrative, vijoi më tej z. Nano.
Nga ana e tij, zoti Hill vlerësoi faktin se Shqipëria ka arrittur parametra pozitivë dhe theksoi vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare për realizimin e programeve të ndryshme ku priorite mbetet zhvillimi i sektorëve të ndryshëm duke i sjellë ata në standartet e kërkuara. "Shqipëria është në rrugë të drejtë dhe ne do t'ju mbështesim në rrugën tuaj drejt sfidave te se ardhmes", vlerësoi zoti Hill.