E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano, ka zhvilluar një vizitë punë njëditore në Ohër të Maqedonisë me ftese te zotit Branko Cervenkovski Presidet i ri i vendit fqinj. Ne kete kuader Kryeministri Nano dhe

Kryeministri Fatos Nano, ka zhvilluar një vizitë punë njëditore në Ohër të Maqedonisë me ftese te zotit Branko Cervenkovski Presidet i ri i vendit fqinj. Ne kete kuader Kryeministri Nano dhe z. Cervenkovski jane takuar sebashku ne rezidencen qeveritare ne Oher ku kane diskutuar ceshtje te bashkepunimit dy palesh,zhvillimet rajonale,pershpejtimin e proceseve integruese etj.

Pas takimit të zhvilluar të dy autoritetet e larta kanë dalë perpara medias në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku kanë deklaruar:

Presidenti Cervenkovski: Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano ndodhet sot, për një vizitë pune në Ohër, të Maqedonisë. Ka shumë arsye për këtë vizitë, pasi për një kohë të gjatë kemi marrëdhënie shumë të mrekullueshme bashkëpunimi, pune dhe miqësore, si kryetarë qeverish e tani me marrjen e funksionit si President i ri i shtetit dëshiroj që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe në të ardhmen.

Gjatë ditës do të na bashkohet edhe i mandatuari për krijimin e qeverisë së re z. Harri Kostov, dhe unë shpresoj që qysh sot, do të bëhet një lidhje vërtet e mrekullueshme mes z. Nano dhe kryetarit te ardhshëm të qeverisë maqedonase, z. Kostov.
Në drekën e punës do të jetë gjithashtu, edhe zoti Ali Ahmeti ( kryetar i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni). Unë mendoj se dhe në periudhën që pason do të kemi raporte dhe marrëdhënie të mrekullueshme, pasi të dy vendet tona i pret një punë e madhe, siç është integrimi në strukturat euroatlantike.

Kryeministri Nano: Pata nderin të jem mysafir i parë i Presidentit të ri të Maqedonisë mike dhe fqinje, mikut tim Branko Cervenkovski, të cilin e urova për detyrën e re edhe në emër të Presidentit Moisiu.

Kemi vërtet një bashkëpunim të shkëlqyer midis dy vendeve dhe qeverive përkatëse. Ky bashkëpunim ka disa komponentë. Është ai që palët, si dy vende fqinje që udhëheqin shumë iniciativa të bashkëpunimit rajonal, si dy anëtarë aktivë të Kartës së Adriatikut mes Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë dhe SHBA për anëtarësimin në NATO dhe si dy vende me qëndrime shumë konstruktive në procesin e përafrimit, asocimit dhe integrimit në BE, në zonën e Ballkanit.
Praktikisht, ne po përcjellim dhe prezantojmë tek njëri-tjetri protagonistë të tjerë të marrëdhënieve midis nesh. Pra, sot do të takohem me Kryeministrin Harri Kostov. Gjithashtu, edhe z. Cervenkovski është në prag të një sërë takimesh me Presidentin Moisiu, një sërë takimesh rajonale, si dhe me Samitin e Stambollit.

Komponent shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit midis dy vendeve është dhe bashkëjetesa midis maqedonasve dhe shqiptarëve, si dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe për këtë biseda me zotin Ali Ahmeti është mjaft e rëndësishme në këtë funksion. Në të dy vendet tona nuk ka opozitë për këtë partneritet dhe miqësi shqiptaro- maqedonase.

Pyetje për z.Cervenkovski: A do të ketë ndonjë shtysë të Presidentit për zëvendësimin e ushtrisë me polici kufitare në kufirin me Shqipërinë?
Z.Cervenkovski: Kjo është përgjegjësi që e ka ndërmarrë Ministria e Mbrojtjes dhe tani jemi duke bërë realizimin e këtij plani. Kemi filluar me kufirin me Greqinë dhe brenda vitit kjo përfundon me të gjithë kufijtë e shteteve që na rrethojnë.

Pyetje drejtuar z. Nano dhe z. Cervenkovski: Cili do të jetë bashkëpunimi konkret midis dy vendeve për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Europian?
Z. Nano: Tashmë jemi partnerë dhe mbështetës respektivë të procesit. Unë jam i bindur që në Samitin e Stambollit vendet tona së bashku me Kroacinë do të marrin mbështetjen e sigurtë dhe të qartë, që do të jetë grupimi i ardhshëm për vendet e zgjerimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ka një bashkëpunim intensiv midis dy qeverive tona, jo vetëm midis ministrave që punojnë dhe mbulojnë procesin e integrimit europian, por edhe në shumë sektorë të tjerë, që sjellin ritme të tjera, pothuajse të njëjta në reformat për kapjen e standarteve dhe për anëtarësim në BE. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe parlamentet e të dy vendeve duke bashkëpunuar për adoptimin dhe përafrimin e legjislacionit me vendet e BE-së. Ne kemi ushtrime të përbashkëta dhe programe të sigurta kolektive për të arritur në standartet e NATO-s. Një numër marrëveshjesh dhe bashkëpunimesh në fushën e shkëmbimeve të lira tregtare, në tregun e përbashkët të energjisë, të cilat na krijojnë një zonë të shkëmbimit europian në Ballkan. Dhe në fund, çdo avancim i vendeve të rajonit si Kroacia apo Maqedonia drejt anëtarësimit në BE është një stimul edhe për Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit, në procesin e europianizimit të rajonit.

Z.Cervenkovski: Ndaj të njëjtin mendim me z. Nano se bashkimi ose bashkëpunimi rajonal është një nga elementët kyç për afrimin e të gjithë rajonit drejt BE-së dhe NATO-s. Në këtë kontekst marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Shqipërisë janë një shembull i mirë për të gjitha vendet e rajonit.

Më pas, Kryeministri Nano gjatë një dreke pune me Presidentin Cervenkovski, me z. Harri Kostov, i mandatuar si kryeminister për krijimin e qeverisë së re maqedonase dhe z. Ali Ahmeti Kryetar i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni kanë diskutuar lidhur me forcimin e bashkëpunimit dypalësh, procesin e përafrimit të vendeve tona në strukturat euroatlantike, si dhe mbi situatën në rajon.

Intensifikimi i bashkëpunimit rajonal, u tha në këtë takim, përforcon bindjen për bashkëjetesë dhe të ardhme të ndryshme për të gjithë rajonin. Në këtë kuadër autoritetet u shprehën se izolimi nuk sjell progres.

Aksi Tiranë-Shkup, u theksua gjate takimit, është i rëndësishëm edhe për nxitjen e iniciativave rajonale integruese dhe për aktivizimin e të gjithë elementëve që çojnë në këtë drejtim.
Kryeministri Nano u shpreh se Maqedonia tashmë është shembull i bashkëjetesës. Autoritetet e larta maqedonase u shprehen se ata janë të angazhuar për tu ndarë nga e kaluara përfundimisht dhe për të parë drejt të ardhmes sëbashku. Zoti Nano nga ana e tij u shpreh se tashmë gjërat po shihen me më shumë realizëm dhe besim për zgjidhje konkrete, larg propagandës në interes të integrimit rajonal.

Z. Nano dhe personalitetet e larta maqedonase diskutuan edhe për përshpejtimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në këtë funksion, si dhe mbi vizitat e ardhshme që do të zhvillohen përkatësisht në Shkup dhe Tiranë, në vijim të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›