E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kam kënaqësinë sot të komunikoj drejtpërdrejt me ju për të përuruar dhe këtë qendër të komunikimit publik të Qeverisë, këtë qendër të re që do të disiplinojë, zgjerojë dhe instit

Kam kënaqësinë sot të komunikoj drejtpërdrejt me ju për të përuruar dhe këtë qendër të komunikimit publik të Qeverisë, këtë qendër të re që do të disiplinojë, zgjerojë dhe institucionalizojë transparencën e punës së qeverisë me median e lirë dhe me qytetarët. Para se të hyja këtu, bëra një bisedë shumë të frytshme me Drejtorin Ekzekutiv të Organizatës Artikulli i 19-të z. Endriu Puetend dhe po e vazhdoj këtë komunikim të drejtpërdrejtë edhe me Organizatën e Gazetarëve Profesionistë që kam vizituar në Bruksel, apo me organizata të tjera që mbrojnë të drejtat tuaja, lirinë e fjalës, të medias dhe të transparencës së autoriteteve dhe institucioneve shtetërore për publikun.
E bëra këtë bisedë për të vendosur një bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe me organizatat e gazetarëve profesionistë për të zgjidhur çdo problem që kërkon edhe angazhimin e shtetit në mbështetje të medias të lirë, apo për të përballuar me transparencë dhe angazhime të drejtpërdrejta të Kryeministrit çdo çështje që ju mund të paraqisni këtu ose në organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë tuaj, për dhunim të drejtash apo abuzim, nga autoritetet shtetërore në raport me profesionin dhe punën që ju kryeni.
Ju e dini besoj se qeveria në aksionet e saj, prioritare, ka luftën ndaj informalitetit, krimit të organizuar dhe trafiqeve, pa suksesin e të cilës- dhe do t'ju falenderoja për mbështetjen që i jepni rritjes së angazhimeve të të gjithëve në këtë funksion- është i pasigurt progresi jo thjesht në negociata por në përafrim për asociim dhe anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Natyrisht kjo çështje, siç del edhe nga raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë, 2003, ju afekton edhe ju, dhe unë jam këtu për të vendosur dhe konsoliduar një partneritet të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e medias së lirë dhe me publikun në funksion të mbrojtjes së interesave tuaja edhe në raport me ligjin, edhe në raport me sektorë të ekonomisë informale që cënojnë integritetin tuaj juridik apo ekonomik. Kjo qendër moderne e shtetit që përurojmë sot, prezanton edhe një koncept konkurues dhe bashkëkohor të qeverisë për marrëdhëniet me publikun.
Shqipëria ka një ndër ligjet më të avancuara të transparencës dhe informimit të publikut, i cili ka nevojë, dhe unë do të kërkoja kontributin tuaj në funksion të dobishmërisë suaj shoqërore gjithashtu, që të njihet dhe të zbatohet më mirë dhe më shumë nga të gjithë. Ne duam të zgjerojmë nivelin e komunikimit me publikun për të shtuar produktin që ju paraqisni në tregun me konkurrencë kaq të egër të medias gjithashtu. Ne duam të zgjerojmë respektin për median sepse pa të dhe kontributin e saj nuk mund të rritet as përgjegjësia dhe saktësia e vendimmarrjes të ekzekutivit as informimi dhe edukimi i publikut për avantazhet dhe kostot e reformave që nxit qeveria.
Pra, kam kënaqësinë t'ju njoftoj se, duke filluar që sot, ju përfaqësuesit e medias ligjore dhe të lirë, por edhe çdo shtetas tjetër i interesuar, ka në dispozicion këto mjedise, këto zyra, një teknologji dhe staf profesional, të vënë në dispozicion nga Kryeministria për tu informuar për të gjitha veprimet e ekzekutivit, për të gjitha aktet që shqyrton dhe miraton qeveria, për të gjitha problemet që mund të prekin interesa komunitetesh dhe qytetarësh dhe që ka nevojë për një angazhim të drejtpërdrejtë të qeverisë.
Ne do të vemë në dispozicion të publikut dhe tuajin, numra telefoni nëpërmjet të cilëve, çdo qytetar gjithashtu, do të informohet drejtpërdrejt për gjithçka që nuk e ndalon ligji dhe për gjithçka për të cilën qeverinë e detyron ligji të japë informacion dhe të ketë transparencë. Pra ne synojmë që, jo vetëm ju si institucione të lira të informimit të publikut, por edhe drejtpërdrejtë shtetasit e këtij vendi, të kenë të drejtë dhe akses me informacionin për vendimmarrjen e niveleve të larta shtetërore. Do të keni informacionin e nevojshëm nga stafet e kësaj zyre dhe të qeverisë që unë drejtoj për nevojat e funksionimit të kësaj qendre dhe lehtësi të tjera që ofrohen që nga interneti deri tek infrastruktura dhe logjistika bashkëkohore për të marrë dhe riprodhuar dokumentacion apo informacion.
Më lejoni gjithashtu, t'ju garantoj se ky model dhe kjo logjistikë për transparencë për komunikim me publikun do të ngrihet dhe funksionojë së shpejti në institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave, pra në gjithçka që natyrshëm gjen vend në headline-t, analizat, apo raportet tuaja investigative.
Në këtë kuadër, duke bashkëpunuar për këto funksione dhe dobishmëri edhe me institucionet ndërkombëtare që kanë ekspertizë të nevojshme ne po përpunojmë një program që do të përmirësojë ndjeshëm transparencën dhe komunikimin me publikun. Pra Zyra e Shtypit dhe e Marrëdhënieve me Publikun do të jetë shumë më mirë se deri dje në shërbim të qytetarëve. Veç të tjerash po përpunojmë një grafik sipas të cilit zyrtarët e lartë të shtetit dhe zyrat e tyre do të jenë të hapura për publikun edhe për kontakte të drejtpërdrejta, edhe për konferenca të drejtpërdrejta për shtypin, edhe për vizita kureshtarësh dhe qytetarësh që duan të shikojnë sesa të sofistikuara ose jo janë tryezat apo kasafortat tona të punës.
Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen, për praninë në këtë përurim më lejoni ta inaguroj unë si Kryeministër komunikimin e parë publik me përfaqësuesit e medias të akredituar pranë qeverisë. Jam i hapur për të gjitha pyetjet tuaja të ditës, apo të stinës.
Gazeta Albania: Nënvizuat mediat ligjore në fjalën tuaj, kush është media antiligjore në Tiranë?
Kryeministri Nano: Kjo qendër do ta pakësojë edhe mundësinë e pyetjeve dhe përgjigjeve replikë, dhe replikë quaj- lind një sensibilitet në këtë sallë dhe duhet të përgjigjemi. Nuk besoj se "Albania" është gazetë e gjërave të vogla dhe prandaj po ju përgjigjem se për mua media nuk ndahet në ligjore dhe antiligjore. Kur them media ligjore kam parasysh të gjitha aspektet që duke u formalizuar, regjistruar dhe siguruar në kontakt me institucionet e shtetit ligjor që mbron lirinë e medias dhe pakëson pjesën e paregjistruar, pra e palegalizuar, rrjedhimisht e panjohur për t'u mbrojtur dhe për të përfituar nga ligji dhe ekzekutivi që zbaton ligjin si një nga aspektet themelore të funksionimit të medias së lirë dhe të lirive dhe të drejtave themelore të gazetarëve.
Në qoftë se nuk kuptoni dot me kaq sa thashë më lejoni të ilustroj duke përmendur ciklin që nga sigurimi shoqëror i punonjësve të medias deri tek partneriteti miqësor dhe ligjor midis zyrave të administratës shtetërore që sigurojnë rregullat e konkurrencës së ndershme në tregun mediatik, shpërndarjen transparente të buxheteve publike të dikastereve apo të shoqërive anonime për publicitet në mediat dhe në tregun e medias, për shkak të detyrimeve ligjore për të njoftuar garat për fonde publike apo për vende pune në shërbimin civil, apo për çdo informim që rrit performancën dhe kualitetin e produktit, që sipas ligjit duhet ta bëjnë zyrat dhe kompanitë publike. Më në fund për të pakësuar të gjithë elementët që kërcënojnë median e lirë rrjedhimisht edhe integritetin dhe lirinë tuaj si punonjës apo pronarë të medias jo vetëm nga abuzimi i zyrtarëve me ligjin apo korrupsioni, por edhe nga kërcënimi i informalitetit dhe i të gjitha veprimtarive joligjore që fshihen në tregun informal. Pra gjithçka që legalizohet, jo vetëm Bathorja, është më e mbrojtur dhe më e sigurt për një zhvillim të lirë dhe europian.
Gazeta Shqiptare: Ju folët për mbështetjen që qeveria dhe ju personalisht do t'i jepni medias për të zgjidhur problemet që has media, gazetat dhe televizionet. Doja t'ju pyesja per diçka më konkrete. Disa media të cilat njihen që nuk janë të mbështetura në interesat e bizneseve të ndryshme, ndryshe nga të tjera që janë krijuar nga këto interesa, po vuan nga gazetat nën kosto, të cilat nuk përdoren thjesht për informacionin por edhe për problemet e tjera që pronarët, apo grupet e tjera të interesit të biznesit ose të politikës i përdorin. Mund të na jepni qëndrimin tuaj, apo si e keni menduar ju për të zgjidhur në mënyrë direkte apo indirekte, si Kryeministër apo Kryetar i maxhorancës këtë çështje që shqetëson vërtet median?
Kryeministri Nano: Unë besoj se ju vini një theks të nevojshëm- dhe nuk dua të polemizoj tani- të munguar në një masë të ndjeshme apo jo të ndjeshme deri më sot. Vetë roli i qeverisë, i Kryeministrit apo i maxhorancës që miraton legjislacionin apo inicion plotësimin e kuadrit ligjor në gjirin e medias, në tregun e medias, në integritetin e medias së lirë apo në kapërcimin e pengesave që ju i njihni më mirë se kushdo tjetër, por që edhe për mua nuk janë të panjohura për ushtrimin e profesionit tuaj të pazëvendësueshëm. Përveç kësaj ka edhe një numër institucionesh të tjera dhe institucioni më i mirë siç po shfaqet dhe më koshient për boshllëkun që ka ekzistuar në mbikqyrjen e rregullave të konkurencës apo të kushteve të konkurimit të barabartë të operatorëve edhe në tregun e medias përveç tregut ekonomik në tërësi, është Komisioni i Konkurencës i krijuar kohët e fundit, i cili jam i sigurtë ka një autoritet ekskluziv që detyron edhe ekzekutivin të ndërhyjë në çdo rast që nuk respektohen rregullat e konkurencës, raportet çmim me kosto, financim dhe detyrime që lidhen me funksionimin ekonomik në tregun mediatik të subjekteve të caktuara apo në marrëdhënie të deformuara të institucioneve shtetërore, të zyrave shtetërore, të kompanive publike me median, me tregun e hapur.
Në këtë funksion më lejoni të tentoj t'ju jap pak më shumë informacion si Kryeministër edhe për faktin që siç thashë një nga detyrimet dhe angazhimet që ne po monitorohemi nga task force e posaçme e Komisionit Europian që shoqëron procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me BE është dhe vendosja e rregullave të qarta për funksionimin e tregut të medias dhe bërja e transparencës veçanërisht në këtë treg, që nga pronarët e medias së lirë deri tek gjithçka që duke ndërtuar marrëdhënie korrekte me ligjin dhe institucionet që e zbatojnë atë shtojnë garancitë për mbrojtjen tuaj ligjore.
Në raportin e fundit të BE për vitin 2003 për Shqipërinë këto çështje kanë theksin e duhur, duke theksuar rritjen e transparencës për pronësinë e mediave si çështje jetike dhe marrjen e masave për përmirësimin e kushteve të punës së gazetarëve, sepse siç vlerësohet gjendja e tanishme nuk nxit zhvillimin e gazetarisë objektive dhe profesionale. Citova dy pasazhet e raportit të BE për Shqipërinë 2003. Pra, këtu menjëherë qeveria merr angazhime dhe nis të aktivizohet siç është dhe inisiativa e sotme, që shpresojmë të pasohet edhe nga pronarët e medias, që përfaqëson kushtet e punës dhe të funksionimit tuaj.
Ka ardhur koha të dallojmë me të njëjtin koncept ligjor dhe me të njëjtin standart të vendeve të BE ku duam të integrohemi fjalën e lirë nga biznesi me fjalën, biznesin e medias nga bizneset në media. Unë i kuptoj shumë mirë dhe jam gati ta përmirësoj këtë kuptim me kontributin tuaj, vështirësitë e medias për t'u rritur dhe modernizuar. Por ndërkaq më lejoni dhe më ndihmoni të informoj publikun për një informacion që nuk është shumë trasparent deri më sot dhe që shpreh angazhimin e qeverisë që ju të jeni po kaq të mbrojtur nga ligji sa çdo subjekt tjetër legal.
Kontributi fiskal i gjithë medias së lirë sot në Shqipëri është sa bizneset e vogla, dmth e gjithë media paguan mesatarisht në vit 350 mijë lekë tatim fitim ose në nivelet e biznesit të vogël, ose 20 herë më pak se reklamat që kanë përfituar tre televizionet kombëtare vetëm nga një kompani publike siç është Albtelekomi për 2003.
Mediat e shkruara, gazetat dhe revistat, ndërkohë janë të privilegjuara nga sistemi fiskal sepse janë përjashtuar nga pagesa e TVSH për mallrat lëndë e parë që konsumojnë dhe shesin dhe nuk marrin TVSH, pra nuk tatohen për shërbimet e reklamave që ofrojnë në këtë treg. Një pjesë tjetër e informacionit që është i nevojshëm për publikun lidhet me faktin se të gjithë punonjësit e mediave private, që duhet të jenë të paktën mesatarisht 10 herë më shumë sesa jeni ju këtu të marrë sëbashku nga drejtorët, kryeredaktorët, gazetarët deri tek rojet apo shoferët paguajnë tatim fitimi vetëm sa 20 zyrtarë shteti me një rrogë 70 mijë lekë në muaj.
Unë nuk besoj se me këto nivele legalizimi dhe transparence janë borderotë e medias së sotme. Ju mund të ndjeheni të mbrojtur dhe nuk kam parasysh kohën kur do të dilni në pension, por për çdo sekondë apo ditë të veprimtarisë suaj, të cilat duke vlerësuar kurajon me të cilën operoni ju bën natyrisht edhe shqetësues jo vetëm për ata që shkelin ligjin, por edhe për zyrtarë që shkelin ligjin, të cilët mund të reagonin duke u përpjekur ose t'ju blejnë, kur jeni kaq pak të mbrojtur nga pikëpamja financiare apo fiskale, ose t'ju dhunojnë për t'ju vënë në shërbim apo për t'ju mbyllur gojën apo lirinë e informimit të publikut.
Me këtë dua të them se detyrat e integrimit nuk janë vetëm të qeverisë, por edhe të të gjitha institucioneve të tjera, janë edhe të opozitës, pra janë edhe të medias gjithashtu, që si rregull i gjithpranuar është në opozitë me qeverinë përgjithësisht. Edhe këto institucione edhe ju duhet të vini në standartet europiane. E ritheksoj angazhimin tim të drejtpërdrejtë për të bashkëpunuar me të gjitha organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve profesionistë brenda dhe jashtë vendit për të kapërcyer çdo pengesë dhe për të zgjidhur çdo ankesë që lidhet me shkeljen dhe dhunimin e të drejtave tuaja ekonomike apo ligjore. Nuk besoj se nuk mund ta vazhdojmë këtë arsyetim më tutje jo vetëm për shkak të kësaj zyre, por edhe për shkak të vazhdimit të hapjes së zyrës sime, të vendimarrjes së qeverisë gjithashtu për të gjitha inisiativat që ashtu si deri më sot mund të vazhdoni të ndërmerrni për të përmirësuar legjislacionin apo për të identifikuar politika financiare apo publicitare që ju mbështesin më mirë. Jam në dispozicion në mënyrë të pandërprerë.
Zëri Amerikës: Është folur kohët e fundit për mundësi të shtimit të trupave shqiptare në Irak. Ju keni dhënë një deklaratë në një gazetë italianë, presidenti ka folur në Poloni, ndërkohë këtu ish ambasadori amerikan Xhefri ka thënë se ka bërë bisedime me qeverinë shqiptare dhe kanë ngelur thjesht çështje teknike. Doja të dija këto bisedime vazhdojnë të mbeten të hapura apo janë hipotetike. Nëse po, doja të dija çfarë kapacitetesh mund të ofrojë ushtria shqiptare për trupat në Irak dhe sa i rëndon kjo buxhetit të shtetit shqiptar?.
Kryeministri Nano: Angazhimi ynë me trupa paqeruajtëse që siç dihet publikisht sot, është aktiv në Bosnje, në Afganistan dhe në Irak me një numër rreth 150 komando, që janë stërvitur me programe të posaçme të NATO-s për këto lloj operacionesh, nuk është një aksion thjesht politik i qeverisë apo i partneritetit tonë me SHBA, por është pjesë e angazhimeve tona në planin e veprimeve për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Kjo është pjesë e ushtrimeve që kryejnë forcat tona të armatosura dhe strukturat tona të sigurisë për të rritur kapacitetet, për të mësuar dhe bërë të tyret standartet e sigurisë dhe të ndërveprimit me ushtrinë apo shtabet e Aleancës së Atlantikut të Veriut apo të vendeve dhe forcave të ndryshme anëtare të Aleancës në kuadrin e afrimit për anëtarësim të plotë.
Një nga treguesit më delikatë dhe kuptimplotë të këtij transformimi thelbësor që vazhdon të pësojë struktura jonë e mbrojtjes, e sigurisë dhe Forcat tona të Armatosura është raporti midis angazhimeve dhe kostos, pra koeficienti i mbështetjes buxhetore dhe financiare të reformimit dhe modernizimit të ushtrisë dhe strukturave tona të mbrojtjes për anëtarësim në NATO. Dhe të gjitha diskutimet nuk bëhen pa këtë element, i cili të çon më pas në një përqindje të caktuar për t'u respektuar si standart të buxhetit në dobi të mbrojtjes. Kjo është një nga prioritetet e ushtrimit tonë buxhetor vjetor, që natyrisht vjen edhe në angazhimet për të realizuar mbledhjen e të ardhurave fiskale, sepse nëse ka defiçite në to afektohet edhe ky komponent, i cili natyrshëm nuk ka ardhur dhe nuk mund të vijë ndesh me shpenzimet prioritare për sektorë civilë, do të veçoja sidomos prioritetet e nivelit më të lartë për arsimin dhe shëndetësinë, infrastrukturën, energjinë etj.
Nuk është e pakët dhe as e papërballueshme kostoja e pjesëmarrjes sonë në operacionet paqeruajtës. Kostoja e një komandoje në Irak aktualisht është 36 mijë dollarë në vit e drejtëpërdrejtë dhe mund të ketë edhe një koefiçient të tillë të përafërt me logjistikën që ata e marrin me vete dhe i ndihmon të jenë operativ në terren. Ne po përpiqemi të arsyetojmë me të gjithë elementët që ka vazhdimi i këtij angazhimi me partnerët tanë më të rëndësishëm dhe këtu dua të theksoj për t'u dhënë fund edhe lojrave dhe spekulimeve me këtë angazhim kombëtar, që mund të vijë nga mungesa e informacionit apo nga thyerja në realitetin tonë politik apo mediatik edhe të debateve ndërkombëtare për angazhimin apo jo të një vendi apo grupi vendesh në koalicionin e luftës kundër terrorizmit, se arsyetimi është shumëplanësh dhe sovran.
Në rast se ky dialog vazhdon, duhet të kemi të njëjtin informacion për të kuptuar se nuk është vetëm një shërbim politik as dhe një shërbim klientelist, por është dhe një kosto që duhet të përballohet dhe një vullnet që nuk mund të jetë as vetëm i Kryeministrit, as vetëm i Presidentit, por sipas Kushtetuës dhe ligjeve që burojnë prej saj çertifikohet nga Parlamenti i vendit.
Aspektet korrekte të këtij dialogu që do t'i japin përgjigje pyetjes a do të kemi të njëjtin angazhim apo më shumë përballohen nga disa struktura aktualisht, jo vetëm politike dhe diplomatike, por edhe të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe agjencive të specializuara të sigurisë, që punojnë me NATO-n dhe Ministrinë e Mbrojtjes, deri tek përballimi i përgjigjeve që në mënyrë sovrane jo vetëm qeveria, por edhe institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë do t'i përgjigjen po apo ndryshe pyetjes, nëse komandot apo trupat tona në operacionet paqeruajtëse janë jo vetëm të stërvitura, por edhe të gatshme për të marrë pjesë në luftime.
Gjithë ky arsyetim vjen e mbyllet me vazhdimin e partneritetit dhe nuk besoj se ju keni identifikuar ndonjë rezervë substanciale në spektrin publik apo politik që do ta vinte në pikëpyetje vazhdimin e progresit dhe të angazhimeve tona për anëtarësim të plotë në NATO. Kemi përpara samitin e Stambollit, ku për shkak të këtij luajaliteti dhe efikasiteti në zbatimin e angazhimeve për përballimin e kostove Shqipëria e parakualifikuar sëbashku me grupin e Adriatikut 3 për grupin e ardhshëm të zgjerimit, shpresojmë ose të paktën referuar vullnetit të shprehur nga rezoluta e Kongresit Amerikan, që do të vazhdohet edhe nga rezoluta në parlamente europiane.
TV KLAN: Si do të veproni me ata deputetë socialistë, që nuk i janë bindur rregullave të statutit të partisë që ju drejtoni në votimin e projektligjeve në parlament, pra kanë votuar kundër. E dyta, a keni patur ndonjë mosmarrëveshje me institucionin e Presidentit në lidhje me ndryshimet e fundit për legjislacionin që ka të bëjë me Ceremonialin e Shtetit.
Kryeministri Fatos Nano: Unë nuk besoj se ka ndonjë gjë të panjohur apo të re që mund të them për të dyja pyetjet. Më saktë, Statuti i PSSH-së që reflektohet edhe në rregulloren e Grupit parlamentar gjithashtu, nuk është bërë në funksion të Fatos Nanos, dhe më lejoni të ndaj me ju të gjithë humorin dhe jo seriozitetin e mediatizuar për kongresmenët, por me një respekt për të gjithë kongresmenët e të gjitha partive dhe për të gjithë shtetasit që zgjedhin lirisht të angazhohen në parti politike apo të mos angazhohen në parti politike.
Meqënëse statuti nuk është bërë në funksion të Fatos Nanos, apo të kryetarit, por është një tërësi rregullash që garantojnë një skemë institucionale në një parti shumë demokratike dhe të hapur siç është PS-ja dhe natyrisht një kohezion në funksion të aftësisë konkurruese politike të mirënjohur të PS në 13 vjet pluralizëm, është një statut që ka dhe fleksibilitetin e nevojshëm që ka shkaktuar mobilitetin e njohur të socialistëve, kohë pas kohe, apo edhe kohët e fundit me sensibilitetet që sjell pyetja juaj. Ju votoni, apo përjashtoni, apo do vazhdoni të mos përjashtoni? Unë po them se mospërjashtimi nuk është hezitim për të mos zbatuar statutin, sepse dispozitat e statutit janë automatike, pra varet nga individi që ta konsumojë efektin e tyre apo jo. Ndërkaq, vullneti im politik dhe me mbështetjen e institucioneve drejtuese të PS bëhet që ta nxisë mospërjashtimin si një ftesë të hapur për secilin nga përfaqësuesit tanë në legjislativ për reflektim, për bashkëveprim dhe për bashkëpunim politik në funksion të stabilitetit të maxhorancës socialiste dhe të vazhdimit të punës së saj dhe të institucioneve të krijuara nga maxhoranca në një Republikë Parlamentare për rritjen e ritmit të reformave për asociim në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ky është vullneti përfaqësues i shumicës dërrmuese të socialistëve, të anëtarëve dhe të votuesve të PS. Nuk kemi asnjë fuqi për të ndaluar ata që duan të vetëpërjashtohen.
Pyetja e dytë lidhur me spekullimet më të freskëta për ceremonialin shtetëror apo një vendim qeverie të marë para një muaji, më lejoni të them që Kryeministri nuk harton vendime qeverie personalisht dhe vendimet e qeverisë përfshi edhe protokollin apo ceremonialin e shtetit nuk bëhen për persona. Vendimi i qeverisë që plotësoi një detyrim të ligjit të shërbimit të jashtëm dhe hartoi ceremonialin e shtetit si një akt normativ i plotë, që zëvëndësoi akte të pjesshme dhe të vjetëruara apo të munguara deri më sot plotësoi gjithë vakumin që ekziston në këtë fushë. Nuk ka fare lidhje me statuskuonë e sotme të drejtuesve të shtetit shqiptar, është një model standart bashkëkohor në Republika Parlamentare të vendeve të Europës së bashkuar, ku po afrohemi për tu integruar dhe funksionon në bindjen time dhe të qeverisë në transparencën e verifikimin edhe nga ju për standarte të ngjashme me vende të tjera, për një kohë të pacaktuar, që mund ta ndërpresë vetëm Zoti, pavarësisht nga emrat e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe të Kryeministrit.
Pra, kemi marrë përvojën e shteteve të tjera dhe kemi plotësuar një vakum të legjislacionit shqiptar. Detyrimi për të bërë një akt normativ nga qeveria buron nga ligji i Shërbimit Diplomatik i Republikës së Shqipërisë.Çdo gjë tjetër është jashtë vëmendjes dhe interesit tim personal.
Televizioni NEWS 24: Duket tashmë utopi tentativa rregulluese për mediat shqiptare, pasi çdo ditë e më shumë lindin media të reja nga përfaqësues të biznesit që pasi kanë fituar një tender hapin gazeta që shiten nën kosto. Ju sapo thatë që keni për qëllim të vini rregull në tregun e mediave, por sinjalet që vijnë nuk duken të tilla. Përmend rastin e gazetës Koha Jonë e cila është një gazetë që në dukje konkurron në treg me çmimin, duke respektuar ekonominë e tregut, ndërsa dje jemi në dijeni të një konflikti mes Drejtorisë së Tatimeve të Tiranës dhe botuesit të kësaj gazete. Si do ta konsideronit këtë sinjal?
Kryeministri Fatos Nano: Ky sinjal nuk është armiqësor, nuk është ekskluziv për kohën tuaj, nuk është i ri dhe as i nxitur nga ndonjë incident i freskët. Ky është pjesë e procesit të bashkëpunimit të nisur nga administrata e tatimeve rreth 18 muaj më parë, që përfundoi edhe në një takim të drejtuesve të lartë të administratës fiskale me të gjithë pronarët dhe drejtuesit e shumicës së mediave kryesore të shkruar apo elektronike, gjatë vitit 2003, për të ndërtuar një proces transparence dhe asistence të ekspertizës fiskale që ka shteti, në funksion të përmirësimit të bilanceve, mbajtjes së llogarive dhe respektimit të detyrimeve ligjore ndaj ekspertizës fiskale që ka shteti në funksion të përmirësimit të bilanceve, mbajtjes së llogarive dhe respektimit të detyrimeve ligjore nga çdo institucion mediatik privat apo publik në raport me shtetin dhe me punonjësit e rekrutuar në të, për të ushtruar profesion të lirë.
I gjithë ky proces është pjesë e angazhimeve tona për të sjellë të gjitha aspektet e tregut, të institucioneve të administratës dhe të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve në standartet e BE. Më në fund unë si Kryeministër nuk e lejoj veten, dhe jam këtu për më shumë transparencë për tu kontrolluar nga gjithë të tjerët, sepse nuk më lejojnë as anëtarët e qeverisë, as ata që kontrollojnë veprimtarinë e Kryeministrit dhe të qeverisë, as maxhoranca që unë drejtoj të përfshij emocione personale apo familjare në raportet e shtetit me median e lirë, përfshi edhe kohën tuaj.
Pra, dua t'ju garantoj që ky qëndrim i Kryeministrit është njëkohësisht kontroll i Kryeministrit mbi çdo zyrtar tjetër, që mund të vepronte ndryshe duke abuzuar me autoritetin shtetëror. Dhe në përgjegjësinë e detyrës që kryej më lejoni t'ju informoj dhe të davaris çdo dizinformacion, se edhe në rastin që ju përmendët nuk ka një abuzim apo ndonjë veprim ekskluzivisht penalizues apo frikues të administratës fiskale ndaj kohës tuaj. Ndërkaq, Kryeministri është person publik, familja e tij nuk është person publik. Bashkëshortja ime është një person jopublik. Në qoftë se ceremoniali i shtetit i jep disa privilegje, nuk i jep kualifikimin dhe ju lutem mos e quani Zonja e Parë e vendit. Këtë e kam edhe për z. Lesi deputet me imunitet.
Personat publik, kur ju dhunohet për shkak të detyrës integriteti moral, dinjiteti dhe nderi me fyerje dhe shpifje i drejtohen ligjit dhe unë do të vazhdoj t'i drejtohem ligjit jo vetëm me padi civile, por edhe me padi penale për Nikollë Lesin. Bashkëshortja ime do të vazhdojë t'i drejtohet ligjit si person jopublik me padi civile dhe penale të cilat për një deputet depozitohen në Gjykatën e Lartë dhe sot janë depozituar dy të tilla nga unë, një në Prokurorinë e Përgjithshme dhe një në Gjykatën e Lartë për të edukar qytetarët, opinionin publik, deputetët që të mos dhunojnë nderin me shpifje dhe fyerje të personit publik dhe familjes së tyre, që edhe pse janë publike nuk janë persona publikë. Kjo është përgjigjja ime për gjithçka që lidhet me kufijtë e qartë dhe të ndarë midis detyrës së Kryeministrit dhe integritetit të personit publik Fatos Nano dhe të familjes së tij.
Gazeta Shekulli: Jeni në dijeni ju që administrata shqiptare konsiderohet në raportet ndërkombëtare për shtypin si ndër më hermetiket? A keni anulluar ju një udhër që nuk i lejoni nëpunësit e administratës së lartë për të komunikuar me shtypin? E dyta, Parlamenti shqiptar miratoi dje një marrëveshje me një kompani italiane për të marrë ekskluzivitetin e depozitimit të naftës në Vlorë. Kjo marrëveshje është kritikuar nga ekspertë dhe analistë vendas për shkak se siç jeni edhe ju në dijeni atje kanë filluar investime të kompanive vendase, ka patur edhe kërkesa nga kompani të tjera të huaja për të kryer investime. Nuk mendoni se në këtë rast është dëmtuar konkurrenca?
Kryeministri Fatos Nano: Unë nuk kam ndonjë vlerësim më të mirë apo më të keq për transparencën e administratës dhe qeverisë ndaj publikut dhe medias sesa ai që bëra. Nuk shoh ndonjë element të ri për t'iu rikthyer këtij diskutimi. Jam këtu për tu angazhuar për gjithnjë e më shumë transparencë dhe për të marrë edhe sensibilitetet që ju keni si kontribut, për të hapur zyrat që rezultojnë hermetike. Për këtë të jeni të sigurt.
Nga ana tjetër, unë besoj se po japim javë pas jave, muaj pas muaji prova që ka një trysni politike dhe ekzekutive mbi ministrat dhe mbi zyrtarë të tjerë të lartë nga zyra ime për të qenë në kontakt me publikun dhe me mediat, natyrisht jo për propagandë në kuptimin arkaik të kësaj fjale, por për informacion dhe informim të publikut dhe të medias për gjithçka që lidhet me aksionet e tyre prioritare, me detyrat dhe ushtrimin e saj, si dhe për të marrë ndonjëherë edhe reagimin e publikut dhe të medias për gjithçka që formulohet në formë akuze për abuzim apo për mosveprim në nivelin e duhur të titullarëve.
Marrëveshja që kaloi dje Parlamenti për konçesionin e depozitave të stokimit të hidrokarbureve në gjirin e Vlorës është një marrëveshje transparente, e mbështetuir në Kushtetutë dhe në ligjin për Konçesionet e negociuar për një kohë të mjaftueshme midis palëve, pra Kompanisë Intero Romena Petrol, shkurt Petrolitera, që është një nga kompanitë më me reputacion ligjor dhe kompetitiv në tregun europian dhe administratës shtetërore, ministrisë që mbulon hidrokarburet, qeverisë, organeve vendimmarrëse të qarkut të Vlorës dhe përfundimisht KRRTRSH-së.
Gjithë ky proces çoi në shqyrtimin e miratimin në komisione dhe në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë sipas Kushtetutës. Kjo marrëveshje mban parasysh gjithë programet prioritare që gjithashtu janë bërë publike, që do ta kthejnë të gjithë zonën e Vlorës, veçanërisht pjesën ish-industriale të saj nga një riaktivizim i ndotur dhe i braktisur në vitet para pluralizmit, në një park energjitik dhe industrial në funksion të prioriteteve të rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe të integrimit konkurrues të Shqipërisë në rajon, natyrisht të Shqipërisë me sipërmarrje publike dhe private pa tjetër, sepse nuk është qeveria që bën biznes, por janë në rastin më të afërt të saj shoqëritë anonime, kompanitë publike, dhe në rastin më normal që jep 71% të rritjes ekonomike kombëtare GDP, sipërmarrjes private.
Energjia është një prioritet, jo vetëm për shtetin, por edhe për sipërmarrjet private në tregun kombëtar. Kjo inisiativë dhe kjo marrëveshje nuk sposton askënd nga sipërmarrësit privatë aktivë apo të interesuar në tregun e hidrokarbureve, apo në tregun energjitiko-industrial të Gjirit të Vlorës. Do të sjell në vëmendjen tuaj që do të konvergojnë projekte të tjera shumë të rëndësishme siç është Naftë dhe Gazsjellësi AMBO, kompleksi i termocentraleve elektrike me karburant të lëngshëm ose gaz nga 300 deri në 1200 mega vat, në perspektivën afatmesme deri në pesëvjeçare, si dhe interkonjuksionin e tregut shqiptar të energjisë me tregun rajonal të energjisë me sistemet e infrastrukturat e gazit të lëngshëm, qoftë rus që hyn në rajon, qoftë afrikano-verior, me dy terminalet Greqi, Itali si pika lidhëse.
Për pasojë ky është një treg kaq i madh dhe këtu ka kaq projekte sa ne nuk mund të zvarrisim funksionimin e këtij kantieri privat duke përjashtuar sipërmarrës privatë vendas, por ama nga ana tjetër do të kërkoja mirëkuptimin tuaj në informim me publikun për të davaritur spekullimet se nuk mund të përshpejtohet ritmi i zhvillimit dhe i përafrimit me standartet e tregjeve globale i Shqipërisë sonë të shtrenjtë, pa investimet e huaja dhe duke iu kthyer kurrizin kompanive më konkuruese globale, që kanë zhvilluar vendet e industrializuara.
Pra, nuk është fjala për nënkontraktorë vendas ndaj kompanive të mëdha globale por është fjala për partnerë të barazvlefshëm, të shtetit, të parlamentit dhe të gjithë operatorëve financiarë që mbështesin zhvillimin tonë ekonomik, apo të sipërmarrjes që e gjeneron atë, terma transparete ligjore dhe të ndershme.
Më në fund më lejoni të kujtoj edhe elementin tjetër se investimi i huaj, sidomos ai që krijon pronë të patundshme, veçanërisht marrëveshjet konçesionare, që kanë afat nuk ikin nga territori shqiptar, mbeten aty, e zhvillojnë në rastin konkret pyllin e Sotës, dhe me këtë dua të them që të mos helmojmë opinionin me hipotezat se të gjithë turistët vendas e të huaj do të shkonin tek zona te Pylli i Pishporos për të bërë plazh, se pastaj nuk do të na linte Z.Ruka dhe të gjithë agjencitë e mbrojtjes së mjedisit, si dhe Z.Solis me të gjitha klinikat e antitrafikut të organeve. Pra faleminderit për pyetjen sepse më lejuat të shtoj kontributin tim për moshelmimin e opinionit me të vërteta hipotetike.
TV Koha:Çfarë prisni ju nga Samiti i Stambollit? Dhe e dyta shqetësues është fakti se dy forcat politike kryesore, të cilat janë udhëzuar të kenë vullnet politik dhe konstruktivitet në zgjidhjen e mjaft çështjeve përpara se të shkojnë në zgjedhjet e rradhës, duket se janë shumë larg arritjes së këtij vullneti politik, i cili nëpër media shprehet rëndom. Cili është opinioni juaj ju lutem për këto dy çështje?
Kryeministri Fatos Nano: Ju falenderoj për pyetjet cilësore në kuptimin e prioriteteve që ka vendi, jo thjesht qeveria. Ne në Samitin e Stambollit po punojmë me një program veprimesh shumë të harmonizuara midis sektorëve të ndryshëm të shtetit dhe institucioneve të ndryshme nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, apo Ministria e Mbrojtjes deri tek diplomacia apo Ministria e Jashtme, për të ruajtur dhe konsoliduar kualifikimin që erdhi nga ngjarja amerikane, për vendet e Adriatikut 3,- jo thjesht pjesëmarrja e Shqipërisë në ceremoninë e zgjerimit të NATO-s si një nga vendet pjesëmarrëse të kësaj inisiative shumë të suksesshme që është Karta e Adriatikut, e Shqipërisë Maqedonisë dhe Kroacisë me SHBA,- por edhe Rezoluta e Kongresit amerikan që sanksionoi këtë vullnet politik për këtë grup vendesh nga lideri i Aleancës së Atlantikut të Veriut, që janë Shtetet e Bashkuara për kualifikimin zyrtar të këtij grupi vendesh si grupi i zgjerimit të ardhshëm para vitit 2007, që do të thotë në Samitin pas atij të Stambollit.
Ne po përpiqemi ta konsolidojmë këtë kualifikim dhe ta çertifikojmë edhe në deklaratën politike apo në dokumentin final të Samitit të Stambollit, ku nga të dhënat që kam unë si Kryeministër dhe si drejtues i këtij procesi dioalogu, konsultimesh dhe bashkëpunimi, të ketë një gjuhë të qartë për Shqipërinë dhe grupin e Kartës së Adriatikut, që do të harmonizojë politikën e dyerve të hapura të NATO-s me promovimin për kualifikim si grupi i ardhshëm i zgjerimit të NATO-s i vendeve tona.
Më lejoni të shtoj edhe elementin që ne po bashkëpunojmë edhe për zgjerimin e konceptit të sigurisë transadriatike,- transatlantiku ka ardhur në transadriatik- Itali, Greqi, Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, Bullgari, Rumani, edhe për pjesën e mbetur të vendeve të Europës Juglindore, Serbi Mali i Zi, Bosnjë Hercegovinë, të cilët siç u shpreh edhe në Samitin e Sarajevës, por edhe në trepalëshen e Podgoricës, Kryeministri i Maqedonisë, ai i Malit të Zi dhe unë, janë vlerësuar si partnerë në dialog me vendet e Kartës së Adriatikut në përputhje me statusin e tyre më të vonuar, sepse Serbia dhe Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina nuk kanë hyrë ende në Partneritetin për Paqe me NATO-n, apo nuk kanë filluar ciklet e planeve të veprimit për anëtarësim, mund të ftohen për të shtuar kontaktet që të përshpejtojnë procesin e reformave të tyre, në mënyrë që siguria dhe stabiliteti në Ballkan të mos jetë i pjesshëm dhe siguria transadriatike e Aleances së Atlantikut të Veriut të mos lejojë në mes të rajonit vatra të paqëndrueshme apo të pasigurta, jo vetëm nga kriminaliteti apo trafiqet, por edhe nga nacionalizmi dhe radikalizmi apo ekstremizmi politik që karakterizon pas zgjedhjeve të fundit situatën politike në Serbi.
Lidhur me pyetjen e dytë, elementi dhe ringu më i fundit, si dhe raporti midis dy blloqeve dhe angazhimet e tyre në funksion të stabilitetit të institucioneve dhe funksionimit të tyre. Më lejoni të përgjigjem me një anekdodë. Për shkak se nuk kam çfarë t'i shtoj angazhimeve tona politike, vullnetit të shprehur publikisht për të qëndruar të gjitha proceseve përfshi dialogun e drejtpërdrejtë me opozitën për të kryer ndryshimet e nevojshme në kuadrin zgjedhor, në reformën institucionale që përshpejtojnë procesin e kapjes së standarteve për anëtarësim në BE. Nuk besoj se ka prioritet më të madh për këtë vend që është edhe atdheu ynë edhe i opozitës.
Ne e dimë se Sokrati, filozofi i lashtë grek u godit nga disa të rinj të shkollës kundërshtare të Platonit. U hap procesi gjyqësor dhe gjyqtari iu drejtua profesorit, Sokratit, "profesor i nderuar, ç'mendim keni ju, çfarë dënimi mund t'ju japim këtyre të rinjve të paedukuar?" Sokrati u përgjigj me këtë anekdotë: Isha në Pazar, më sulmuan nga prapa, u nxeha. Ktheva kokën ishte një gomar, vazhdova rrugën...

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›