E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Kurti takon Erdogan në New York: Aktgjykimi ndaj katërshes së UÇK-së duhet të korrigjohet në Apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me presidentin e Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, në nisje të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Pas njoftimit të presidencës turke lidhur me këtë takim, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës kanë bërë të ditur se Kurti dhe Erdogan kanë diskutuar edhe për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në takimin e zhvilluar në New York, Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.

“Në takim kryeministri Kurti diskutoi edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel”, thuhet në njoftim.

Një tjetër temë e diskutimit ishte edhe pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kurti, së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, ngritën para Erdogan çështjen e trajtimit të shqiptarëve nga Serbia.

Në njoftimin e Kryeministrisë përmenden pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave dhe nënpërfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Kurti ka theksuar se simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet përkatëse është e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe të barabartë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›