E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri PS-ja po e perdor pushtetin per te bllokuar ligjet per integrimin

Kryeministri Berisha vizitoi sot Beratin, ku mori pjesë në përurimin e dy rrugëve të rëndësishme për komunat e këtij qarku.

Në fillim të vizitës, ai së bashku me drejtuesit vendorë të zonës inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të rrugës nacionale - Lapardha 2, me gjatësi 3.5 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë investimi 67 milion lekë.

Rruga e rikonstruktuar do t’i japë një hapësirë të re komunikimit për 12.500 banorë, ku përfitues direkt janë fshatrat Lapardha 1 dhe Lapardha 2, ndërsa indirekt do të përfitojnë edhe 12 fshatra të komunës Lumas.

Gjithashtu, rruga vjen në ndihmë edhe të fermerëve të zonës, duke lehtësuar shërbimet për produktet bujqësore e blegtorale, si dhe për nxjerrjen e tyre më shpejt në treg.

Gjatë 6 viteve të fundit, në qarkun e Beratit janë ndërtuar 430 km rrugë, duke përfshirë 230 rrugë, në të gjitha njësitë vendore.

Janë ndërtuar dhe restauruar 82 shkolla e kopshte, 89 qendra shëndetësore e ambulanca, si dhe 74 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh.

Në sektorin bujqësor janë investuar 633 milion lekë, të cilat përfshijnë subvencionimin e 2500 ha blloqe të reja.

Investimet në infrastrukturë i kanë dhënë një shtysë të re turizmit, duke bërë që Berati gjatë këtij viti të vizitohet nga 200 mijë turistë, kundrejt 30 mijë në vitin 2005.

Për sa i përket bizneseve të reja numri i tyre është shtuar dy herë, duke arritur në 5260 të tilla, krahasuar me 2830 biznese që ishin në vitin 2005.

Në takimin me banorët e zonës, Kryeministri shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në inaugurimin e një rruge të denjë për çdo qytezë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe të Evropës.

Kryeministri garantoi banorët dhe drejtuesit vendorë të komunave se qeveria do të mbështesë fuqishëm çdo projekt të tyre për ndryshimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, për urbanizmin më të mirë të zonës, për daljen më të lehtë ne treg të prodhimeve të mrekullueshme bujqësore, etj.

Gjithashtu, kryeministri ftoi fermerët që të kenë përparësi mbjelljen e sa më shumë drurëve frutorë, me premtimin se do të subvencionohen nga qeveria.

Kryeministri shprehu ndër të tjera angazhimin e qeverisë për përfundimin e projekteve të rëndësishme në
infrastrukturë, si rrugën Berat-Lushnje, segmentin Berat-Elbasan, rrugën për në Përmet, rrugën Duhanas-Roshnik, etj

“Por sot çfarë ndodh, krerë të opozitës shqiptare për të sulmuar qeverinë,kërkojnë heqjen e TVSH-së për prodhimet tuaja.

Cili është qëllimi i tyre, nga më të ligët që mund të ekzistojnë.

Qëllimi është që juve tu mbeten prodhimet në fushë dhe kjo vetëm e vetëm që ju të ktheheni kundër e të mos votoni për qeverinë, por kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Ne nuk heqim TVSH-në për prodhimet tuaja. Ne nuk e heqim sepse në Evropë për çdo kokë lopë fermerët marrin çdo ditë 3 euro subvencion.

Sigurisht që atij ia del të shesë qumështin më lirë, sepse merr subvencionin. Në Evropë për çdo ha grurë marrin pothuajse aq sa ç’është çmimi i grurit.

Në Evropë për çdo kuintal fruta marrin subvencion pothuajse sa çmimi i tyre dhe unë ju them ju këtu se nga 188 miliard euro buxhet në BE, më shumë se 90 miliard jepen për të subvencionuar prodhimin bujqësor.

Ndërkohë sipas këtyre zotërinjve, ne do të mbushin tregun, ndërkohë kur ata kanë TVSH me prodhime të huaja dhe të lëmë në fushë prodhimet tona. Nuk e bëjmë këtë edhe për një arsye tjetër. Ju jeni njerëz të punës dhe i kuptoni mirë këto gjera.

Sot në Shqipëri, 51 % e popullatës jeton në fshat. Në Shqipëri, sot, njësoj si në çdo vend tjetër të Evropës, të ardhurat për frymë të popullsisë në qytet janë qartësisht më të larta se sa në fshat. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne? Ta thellojmë më tej këtë pabarazi? Të bëjmë që produktet tuaja të shiten për 5 lekë në treg? Jo, ne nuk e bëjmë këtë.

Edhe me këtë politikë ne bëjmë një shpërndarje më të ndershme të të ardhurave kombëtare. Vërtet mund të paguajnë pak më shumë në qytet, por ajo që paguajnë shkon në favor të fermerëve shqiptarë dhe të prodhuesve shqiptarë sepse në qytet marrin shumë më tepër të ardhura, se sa marrin ata në fshat.

Ne nuk e heqim TVSH për importet siç kërkojnë shokët e Partisë Socialiste. Nuk e bëjmë sepse në mënyrë absolute, asnjë nga këta biznesmenë nuk ul çmimin, përkundrazi çmimi mbetet aty ku është. Prodhimet tuaja zvogëlohen, të ardhurat tuaja zvogëlohen , rriten të ardhurat e klaneve dhe të atyre që ka shndërruar partia vetë, në parti të biznesit.

Ndaj dhe kjo është arsyeja që ne qëndrojmë pas jush, do ju mbështesim, do rrisim subvencionet dhe do të ndjekim rregullat më të mira të mundshme në mënyrë që prodhimet tuaja të shiten në mbarë tregun shqiptar, të shiten në Kosovë, të shiten në Maqedoni, të shiten në Evropë , të shiten kudo.

Sot, krerët e PS përdorin pushtetin që ju kanë dhënë zgjedhësit e Lapardhasë, të Korçës, të Tropojës, të Gjirokastër, të Tiranës, për të bllokuar ato pak ligje që janë të domosdoshme të votohen me tre të pestat për integrimin e vendit në Evropë”, deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›