Kryeministri Rama dënon dhunën në Kuvendin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër dhunës në Kuvendin e Kosovës, ndërsa i bëri thirrje opozitës në këtë vend që të distancohet sipas tij “nga një shëmti e tillë”, pas përplasjes së dhunshme në seancën parlamentare me kryeministrin Albin Kurti.
Në një reagim në Twitter zoti Rama shkruante se ” Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin…”, pasi ai kishte deklaruar rreth ngjarjes se “Duhet të luftohet me ide, jo me grushte” dhe se “Opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme”.
“Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjujti i pari atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme” shkruan zoti Rama.
Kryeministri shqiptar u shpreh i shqetësuar ” …si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj”. “Unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!” përsëriti qëndrimin e tij kryeministri Edi Rama në status në Twitter.
Në një reagim të mëparshëm zoti Rama kishte deklaruar se “Duhet të luftohet me ide, jo me grushte! Opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme” ishte shprehur ai.
/ rtsh.al /