Situata në veri të Kosovës, Mimi Kodheli: Duhet të dish t’i rrish dialogut për të ardhmen e vendit dhe mbarë shqiptarisë

Situata në veri të Kosovës ishte pjesë e intervistës që gazetari Andri Xhahu realizoi paraditen e sotme në Radio Tirana 1 me kryetaren e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli. “Situatën në veri të Kosovës e shikoj të bezdisur, të sikletshme, në disa momente dhe të rrezikshme”, shprehet Kodheli.
Sipas saj, ajo që është fituar deri më sot nuk duhet të zhbëhet. “Në qoftë se kemi mbërritur në një stad të caktuar të marrëveshjeve Kosovë-Serbi, të situatës së qëndrueshme në Ballkan, të suksesit që ka pasur misioni më jetëgjatë i NATO-s, KFOR-i, të njohjes së Kosovës nga shumë vende në mbarë botën, të gjitha këto procese të çojnë në qëllimin final të njohjes reciproke të Kosovës nga Serbia dhe nga ato vende që nuk e kanë njohur, që duhet dhe mund t’ia mbërrijnë kësaj dite. Mendoj që disa gjëra mund dhe duhet të evitoheshin në mënyrë që të mos bëhen hapa mbrapa. Është harxhuar shumë mund, shumë jetë, shumë para taksapaguesish dhe shumë vite energji me qëllim një Kosovë të pavarur, Ballkan të ekuilibruar dhe një perspektivë euroatlantike krejt të qartë.”
Se cili do të ishte hapi i duhur për t’u ndërmarrë për zgjidhjen e konfliktit të rizgjuar mes Kosovës dhe Serbisë, Kodheli shprehet: “Platforma më e rëndësishme është ajo franko-gjermane. Nuk është një platformë e pakonsultuar dhe e padakordësuar me partnerin tonë strategjik, SHBA, të cilëve duhet t’u jemi brez pas brezi mirënjohës pse ekzistojmë ne si shqiptarë dhe shqiptarët e Kosovës në anën tjetër. Jemi vullnetmirë dhe liridashës për t’i kuptuar aleatët tanë dhe për t’u besuar atyre edhe platformat që na vënë mbi tyrezë. Sigurisht kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ketë dialog, diskutim dhe të merret si shabllon, por do mendje të hapur dhe vizion për të ditur se ku do të shkosh pas shumë vitesh. Në një situatë që është fituese për të dyja palët, do të thotë që unë lëshoj diçka dhe ti lëshon diçka, unë fitoj diçka dhe ti fiton dicka. Është e dyanshme. Duhet të dish t’i rrish dialogut, diskutimit në tryezë për të mirën dhe të ardhmen e Kosovës, të mbarë shqiptarisë dhe Ballkanit.”
Për qëndrimin që ka mbajtur Shqipëria për këtë situatë, Kodheli vlerëson: “Shqipëria është lavdëruar shpeshherë për një qëndrim shumë te ekuilibruar dhe kjo falë politikës së jashtme, jo vetëm të qeverisë 9-vjeçare Rama. Shqipëria përgjithësisht në politikën e saj të jashtme, në vitet e tranzicionit, ka mbajtur një qëndrim të lavdërueshëm që ka qenë i njëzëshëm me partnerët tanë strategjikë. Shqipëria është vullnetmirë, mendjehapur dhe qëllimi i saj final është bashkërrugëtimi me vëllezërit tanë kosovarë nën ombrellën europiane dhe të NATO-s. Vetëm në këtë mënyrë do ta bënte rajonin të ekuilibruar dhe të ardhmen e fëmijëve tanë të sigurt.”
Lidhur me sanksionet kundër Kosovës nga Bashkimi Europian për shkak të mospërfilljes së kërkesave për uljen e tensioneve në veri, Kodheli shprehet se është pro për një arsye të vetme. “Mesazhi ka qenë i tillë, që nuk është se do të sanksionohet Kosova, por po i vëmë këto sanksione të përkohshme shpresoj, në mënyrë që të ketë një zgjidhje e cila do të sjellë një win-win situation’, një situatë ku nuk ka rëndësi fare se kush ka 100 për qind të drejtë, sepse në një situatë ambigue si kjo duhet të kemi qetësi dhe një marrëveshje, e cila nuk zhbën atë që kemi ndërtuar deri më sot por ndërton të ardhmen.”
/rtsh.al/