Kryeministri Rama në Sarajevë, pritet nga Kryetarja e Këshillit të Ministrave, takime dhe me delegacionet përkatëse

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama u prit në Sarajevë nga Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Borjana Kristo.
Kjo e fundit së bashku me Kryeministrin Rama kanë zhvilluar një takim, në kuadër të turit ballkanik që kreu i qeverisë shqiptare po zhvillon për procesin e Samitit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.
Pas takimit mes dy liderëve, Rama dhe Kristo kanë zhvilluar një tjetër takim me delegacionet përkatëse, sikurse shihet dhe në fotot e mëposhtme të siguruara nga RTSH.
Sikurse bëri me dije gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani në një raportim live nga Sarajeva, turi i Ramës në Ballkan,vjen në kuadër të procesit të Samitit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.
“Rama u prit në kryeqytetin e Bosnjes nga znj. Kristo dhe me të cilën po zhvillon takim dypalësh e më pas, takim së bashku me delegacionet. Në këto takime priten dhe deklarata për mediat ku do ndajnë atë çfarë është diskutuar në takimet e sotme.
Kjo është vizita e parë e Ramës, ku rreth mesditës do takohet me Abazoviç e në mbrëmje me presidentin Vuçiç.
Kryeministri Rama po merr masat dhe po koordinohet me vendet e Ballkanit Perëndimor mbi atë se çfarë do diskutohet në Samitin e Tiranës ku në fokus do jetë integrimi i rajonit në BE, shkëmbimi tregtar, siguria dhe stabiliteti i rajonit”, tha Shkodrani.
Në orën 13:45 është planifikuar një takim tetë-a-tetë mes Ramës dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, teksa në orën 15:40 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp.
Më pas, Rama do të udhëtoj drejt Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin Aleksandër Vuçiç në orën 19:30 dhe 30 minuta më pas do të mbajnë edhe konferencën për shtyp.
/rtsh.al/