E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Rama uron fituesin e Festivalit të këngës në RTSH

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur fituesin e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, këngëtarin shkodran Alis Kallaçi, i cili me këngën “Nân” rrëmbeu çmimin e parë dhe të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026 që do të mbahet në Vjenë, Austri.

Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama shkruan: “Urime për ‘Nân’, Alis Kallaçi”

Spektakli madhështor “Fest 64” u mbyll me triumfin e këngëtarit shkodran Alis Kallaçi, i cili me interpretimin e fuqishëm të këngës “Nân” fitoi zemrat e publikut dhe vlerësimin e jurisë, duke u shpall kampion i edicionit dhe duke marrë trofeun kryesor të Festivalit të Këngës.

Në vendin e dytë dhe të tretë të Festivalit të 64-t të Këngës u renditën Inis Neziri dhe Sheila. Mbrëmja finale, e katërta me radhë, solli në skenë 23 këngëtarë që garuan për trofeun, por spektakli u pasurua edhe nga performancat e të ftuarve specialë.

Publiku shqiptar u emocionua me rikthimin e Bleona Qerretit, e cila interpretoi hitin e saj të paharruar “Lërmëni”.

Një tjetër moment i veçantë ishte dueti mes dy ikonave të muzikës pop shqiptare, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka, që ndezën atmosferën me interpretimin e tyre.

Gjithashtu, grupi “Shkodra elektronike” prezantoi krijimin e ri “Fosforon”, duke sjellë një frymë moderne në festival.

Ndërkohë, një nga kulmet e mbrëmjes ishte performanca e artistit estonez Tommy Cash, i cili electrizoi skenën e Pallatit të Kongreseve me këngën e tij ndërkombëtare “Espresso macchiato”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›