E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në Takimin e kryetarëve të qeverive të vendeve të Kartës së Adriatikut

Sot u zhvillua në Dubrovnik të Kroacisë takimi i kryeministrave të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut. Në takim, së bashku me Kryeministrin e Kroacisë Ivo Sanader, Kryeministrin e Maqedonisë Vlado Buckovski dhe Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, merrte pjesë Zëvendës Presidenti i SHBA-ve Zoti Dick Cheney.

Takimi rikonfirmoi aspiratat e vendeve të Kartës së Adriatikut për anëtarësim në NATO. Në të u diskutuan përpjekjet e bëra prej tyre për të përmbushur standartet e anëtarësimit, rolin e SHBA-ve në këtë proçes, zhvillimet në rajon si dhe bashkëpunimin midis të tre vendeve në kuadrin e integrimit në NATO dhe BE. Në mënyrë të veçantë kryeministrat e të tre vendeve theksuan rëndesinë që ka për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në rajon anëtarësimi i tyre në NATO. Ata shprehen besimin se në zgjerimin e parë të NATO-s të tre vendet do të ftohen t´i bashkohen Aleancës. Anëtarësimi i tyre në NATO, u shprehën kryeministrat, do të zvogëlojë ndjeshëm zonën e pasigurisë në rajon.

Kryeministrat riafirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar përpjekjet për përmbushjen e standarteve të anëtarësimit, duke theksuar se anëtarësimi duhet të jetë një proçes i merituar nga të tre vendet.

Pjesëmarrja e Zëvendës Presidentit Cheney në takim rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen që SHBA-të i japin anëtarësimit në NATO të vendeve të Kartës së Adriatikut.

Zëvendës Presidenti Cheney shprehu mirënjohjen e qeverisë amerikane për aleancën e ngushtë dhe mbështetjen e të tre vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe veçanërisht mbështetjen dhe pjesëmarrjen e tyre në misionet ushtarake për vendosjen e paqes dhe demokracisë në vende të ndryshme të botës.

Zëvendës Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu se aspirata, përkushtimi dhe përpjekjet e të tre vendeve për anëtaresim në NATO janë mbresëlënëse dhe SHBA do të mbështesin përpjekjet e tyre për anetarësim në Aleancë. Zoti Cheney theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të futjes së gjakut te ri ne NATO në mënyrë që aleanca të përballojë rreziqet e reja, sikurse theksoi se të treja vendet duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standartet e nevojshme për anëtarësim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›