E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Sali Berisha merr fjalën në Takimin e kryeministrave të vendeve të Kartës së Adriatikut

Në takimin e Kryeministrave të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Zëvendës Presidentit amerikan Dick Cheney, përpara diskutimit dhe shkëmbimit të ideve mbi çështjet specifike, secili prej pjesëmarrësve bëri një ndërhyrje formale. Në ndërhyrjen e tij, kryeministri Sali Berisha, ndër të tjera, u shpreh:

"Zoti Zëvendës President,

Kombet tona janë shumë krenarë për miqësinë dhe bashkëpunimin me kombin tuaj të madh. Ndonëse në rrugën e tyre të gjatë mund të themi se historia jo vetem që nuk ka qenë një nënë, por as edhe një njerkë e kujdeshme për ta. Megjithë këtë ata kanë patur fat se SHBA-të kanë mbështetur gjithnjë çështjen e tyre të drejtë dhe fisnike, përpjekjet e tyre për liri, dinjitet dhe të ardhme.

Po t'u referohemi vetëm këtyre dekadave të fundit, politika e qeverisë së SHBA-ve, vendimet e saj, si dhe forca ushtarake e vendit tuaj kanë qenë përcaktuese në kalimin e rajonit tonë nga koha e ultranacionalizmave të verbëra, barabarive dhe spastrimeve etnike, nga të cilat, pas boshnjakëve, shqiptarët dhe kroatët vuajtën më së shumti, në kohën e bashkëpunimit, mirëkuptimit, miqësisë dhe, mbi të gjitha, në kohën e një të ardhmeje të ndritur.

Prania juaj sot këtu, në këtë takim, është një dëshmi tjetër e re madhore e mbështetjes dhe inkurajimit që ju, Presidenti Bush dhe vendi juaj i bëni integrimit të vendeve tona në NATO. Unë dua t'ju garantoj, se për këtë i mbetemi thellësisht borxhlinj dhe mirënjohës kombit tuaj të madh

I dashur Ivo,

Është kënaqësi e veçantë që, pas Selanikut, të takohem sot me ty, për hërë të dytë brenda kësaj jave, në këtë qytet të mahnitshëm. Miqtë sa më shumë takohen aq më shumë i mungojnë njëri-tjetrit. Faleminderit shumë për këtë mikëpritje kaq të ngrohtë, në këtë qytet që me vlerat e tij i përket jo vetëm kroatëve, por edhe çdo njërit prej nesh.

I dashur Vlado,

Është kënaqësi e madhe t'ju përshëndes përzemërsisht, por edhe të falenderoj ju, qeverinë që ju kryesoni, agjensitë e zbatimit të ligjit të vendit tuaj për lajmin e mirë që u dhatë shqiptarëve me arrestimin në Tetovë të njërit prej bosëve më brutalë dhe më të rrezikshëm të mafias shqiptare. Vendet tona janë më të sigurta pas arrestimit të tij.

Unë dua gjithashtu t'ju falendëroj për përkushtimin që tregoni për bashkëpunmin e gjithanshëm midis Maqedonisë dhe Shqipërisë në përgjithësi dhe në kuadrin e A3 në veçanti.

Zoti Zëvendës President,
Zotërinj Kryeministra,
Zonja dhe zotërinj,

Me rënien e perdes së hekurt, për të cilën SHBA-të luajtën rol përcaktues, kombet tona u ndanë nga regjimet totalitare armike të lirive të tyre. Por shumë shpejt, terrorizmi ndërkombëtar u paraqit dhe konsolidua si kërcënim serioz për to dhe të gjitha kombet e lira.

Agresiviteti dhe barbaria e tyre u treguan qartë në New York, Madrid, Londër, Bali dhe qytete të tjera të botës së lirë. Shkaqet e fuqizimit me shpejtësi të tij, pas renies së përdes së hekurt, janë komplekse, por në gjykimin tim modest, shkaku kryesor qëndron sërish në regjimet totalitare dhe teokratike. Prandaj ne jemi të vendosur dhe krenarë të qëndrojmë krah jush dhe kombit tuaj kudo që ju përpiqeni për të mbrojtur vlerat e lirisë. Ne jemi të bindur se vetëm me përkushtim dhe bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të, NATO-n dhe vendet anëtare mund të përballojmë me sukses rreziqet e sotme. Pikërisht për këtë, perspektiva e anëtarësimit në NATO dhe BE është përparësia jonë më madhore. Qeveria shqiptare e konsideron Planin e Veprimeve për Anëtarësim dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit si udhëdrejtues të saj drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Shqipëria është e vendosur të ndërmarrë të gjitha vendimet, të paguaj çdo çmim, që sëbashku me të dy vendet mike, Kroacinë dhe Maqedoninë, të meritojë në samitin e parë që do të vendosë për zgjerimin, ftesën për anëtarësim në NATO.

Në zgjedhjet e korrikut të vitit të shkuar shqiptarët realizuan ndërrimin paqësor të pushtetit. Ata votuan për të shembur muret e krimit të organizuar dhe korrupsionit të ngritura nga qeverisja e mëparshme kleptokratike, të cilat ishin bërë pengesë për proçesin e integrimit. Qeveria që unë kryesoj përcaktoi si përparsi madhore të saj rivendosjen dhe funksionimin e shtetit ligjor, kushti bazë për garantimin e lirive themelore të qytetarëve shqiptarë, luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, ç'montimin e sistemit të korrupsionit, konsolidimin e institucioneve demokratike. Rezultatet e këtyre muajve janë qartësisht inkurajuese. Ndër të tjera, ndihma e gjithashme dhe mbështetja e institucioneve të vendit tuaj ka qenë shumë e çmuar në arritjen e tyre. Ne jemi të vendosur t'i konsolidojmë këto arritje, për të merituar ftesën në samitin e ardhshëm të NATO-s.

Ndërkohë kam kënaqësinë të pohoj se gjatë këtyre 15 viteve, Shqipëria ka vendosur një bashkëpunim të ngushtë, të pandërprerë dhe besnik me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ajo në të gjitha rastet ka vendosur në dipozicion të Aleancës portet, aeroportet dhe territorin e saj për qëllime stërvitore dhe misione të tjera të rëndësishme. Njësitë e ushtrisë shqiptare janë të shpalosura së bashku me ato të vendeve anëtare e partnere në Bosnje, Afganistan dhe Irak. Ne jemi të angazhuar në reforma të thella në fushat e sigurisë, mbrojtjes dhe modernizimit të forcave të armatosura, të cilat synojnë krijimin e një ushtrie të vogël, të mirëpajisur, mirëstërvitur dhe profesioniste. Për këtë qëlim kemi transformuar komponentin rezervist, hequr nga përdorimi teknologjitë e vjetra në aviacion, si dhe kemi vendosur të rrisim deri në 2 përqind të PBB-së buxhetin në mbështetje të këtyre reformave.

Për në bashkëpunimi trepalesh në kuadrin e A3 është aktiv dhe tejet i çmuar. Ky bashkëpunim përfshin fushat e politikave të sigurisë dhe të mbrojtjes, edukimit ushtarak të gjithë niveleve, kontrollin e armatimeve dhe kufijve. Ekipet tona të përbashkëta ushtarako-mjekësore punojnë së bashku në Afganistan. Ushtarët tanë janë të pranishëm në shtabin e SEEBRIG-ut në Kabul.

Në vazhdim të këtij angazhimi, do të dëshiroja të shfrytëzoja këtë forum të rëndësishëm për të propozuar krijimin e një batalioni të përbashkët operativ në kuadër të Kartës së Adriatikut me pjesmarrje të trupave ushtarake nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, për ta dislokuar në Afganistan.

Shqipëria dhe vendet mike të A3 duke u anëtarësuar në NATO, me pozicionin e tyre gjeografik, burimet dhe kontributet e tyre, do të rrisin më shumë sigurinë e rajonit dhe të vendeve anëtare të Aleancës. Jam i bindur se kështu krahu juglindor i Aleancës, gjeografikisht i kufizuar me një zonë realisht problematike për paqen dhe stabilitetin e rajonit e perëndimit në tërësi, bëhet akoma më i sigurt nga sulmet e terrorizmit ndërkombëtar.

NATO dhe SHBA-të kanë bërë një investim të madh në rajonin tonë, i cili po jep frytet e veta. Por është e rëndësishme që ky investim të vazhdohet me tëj përmes anëtarësimit të vendeve tona në NATO, që jo vetëm do të konsolidojë arritjet e deritanishme, por do të konsolidojë stabilitetin në një zonë ku paqja dhe stabiliteti janë ende të brishta.

Për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO do të thotë shumë. Do të thotë siguri, integrim, mirëqënie. Ai do të jetë realizimi jo thjesht i një procesi, por i një ëndrre të madhe për të të gjithë shqiptarët".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›