Kryeministri Sali Berisha pret një delegacion të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës
Sot paradite, Kryeministri Prof. Dr. Sali Berisha priti një delegacion të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Ministri Enver Hoxhaj.
Bashkëpunimi arsimor midis Shqipërisë dhe Kosovës është i një rëndësie të veçantë, theksoi në fillim të fjalës së tij përshëndetëse Kryeministri Berisha. Qeveria jonë, vazhdoi ai, do të bëjë çdo përpjekje dhe është tërësisht e gatshme që ky bashkëpunim të jetë me dobi për të dy vendet tona, në të gjitha ato fusha ku ka interes të ndërsjellë.
Ne duhet të kalojmë në programe dhe tekste të përbashkëta për shumë lëndë, si në nivelin parauniveristar, duke filluar me abetaren e deri në nivel universitar me tekste fundamentale të përkthyera, të cilat janë pranuar gjerësisht nga komuniteti akademik ndërkombëtar si referenca me vlerë unikale shkencore. Kjo do t’i shërbente formimit më të mirë të studentëve dhe do të lehtësonte punë e profesoratit.
Përpjekje serioze do të bëhen edhe në drejtim të bashkëpunimit universitar për programe të përbashkëta studimi, për shkëmbime të ndërsjella të profesoratit, për kontribut në përgatitjen e shkencëtarëve të rinj në studimet doktorale, si në Universitetet e Tiranës ashtu edhe në atë të Prishtinës dhe për të arritur në diploma të përbashkëta, të cilat lehtësojnë punësimin e të diplomuarve në vendet tona.
Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të zhvillojnë takime të rregullta vjetore në nivel ministrash dhe do të ketë grupe të veçanta pune të cilat do të takohen rregullisht gjatë vitit, në Tiranë dhe në Prishtinë.
08/03/2010