E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Pa mençurinë dhe përkushtimin e nënave, grave dhe vajzave, Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, përshëndeti takimin, e organizuar nga Lidhja Demokratike e Grave të Shqipërisë me rastin e 8 marsit si një tribut për gruan shqiptare dhe u përcolli urimet më të ngrohta të gjithë nënave, grave dhe vajzave shqiptare “për këtë ditë nderimi për kontributin e gruas shqiptare në të gjitha kohërat”.

Takimi, nën sloganin “Shihe botën me syrin e gruas”, mblodhi sëbashku gra, personalitete të njohura në fusha të ndryshme, në politikë, në kulturë dhe art, arsim, në fushën e të drejtave të njeriut etj., me kontribute te shquara në shoqërinë shqiptare.

Kryeministri Berisha në përshëndetjen e tij, u shpreh:

Të dashura dhe të nderuara zonjusha dhe zonja, nëna, motra dhe vajza,

është një privilegj i veçantë dhe nder i madh për mua të përulem me një nderim shumë të madh para jush, të përulem me nderim të madh para të gjitha vajzave, grave, nënave, motrave shqiptare në një homazh të madh për veprën e rolin e tyre, për kontributin e jashtëzakonshëm në ekzistencën, zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Nderimi ndaj jush është nderimi më i parë, sepse gratë dhe vajzat shqiptare ia dolën të mbrujnë në mënyrë të mrekullueshme vlerat më themelore të një shoqërie të qytetëruar, vlerat e familjes, pa të cilat shoqëria nuk ecën dhe zhvillohet, pa të cilat një shoqëri nuk mund të jetë shoqëri e qytetëruar. Por gratë dhe vajzat shqiptare meritojnë sot nderimin më të madh, sepse ato vijnë në këtë ditë si një shumicë kombëtare, si një shumicë në vlerat e familjes, një shumicë në fushën e dijes, në universitetet dhe shkollat e vendit, si një shumicë në administratën e vendit, si një shumicë në kontributin e gjithanshëm për transformimin më të vështirë të një vendi, ashtu siç ishte Shqipëria. Pa optimizmin tuaj, pa mençurinë, pa përkushtimin, dijet, pa shpirtin tuaj të qytetëruar, ky vend, që 20 vjet më parë përjetonte kolapsin e plotë total të mjerimit, që 20 vjet më parë rreshtohej ndër 3-4 vendet më të varfra dhe më të mjera të planetit, nuk do të mund të ishte kurrë ky që është sot. Ju keni luajtur një rol përcaktues në ët gjitha zhvillimet e këtij vendi dhe keni bërë të mundur që Shqipërinë, e keqja të mos mund ta mundë, përkundrazi të predominoni ju, me virtytet e shpirtit tuaj.

Sot, nuk ka fushë të jetës, në të cilën të mos jetë thelbësor kontributi dhe ndihma juaj. Kudo, jam dëshmitar i këtij kontributi dhe roli. Ju, sëbashku me të rinjtë shqiptarë, ishit forca kryesore që shembët diktaturën. Ju me fisnikëri të madhe përballuat dhimbje nga më të ndryshmet, nga më të mëdhatë, por nuk u mposhtët, në emër të një të nesërme më të mirë. Ju, në të gjitha rrethanat, bëtë zgjidhjet dhe zgjedhjet më të drejta për vete, për vendin, për shoqërinë shqiptare. Ndaj sot, është një ditë nderimi të madh për ju, nderimi për kontributin e gruas shqiptare në të gjitha kohërat, nderimi për vizionin e shkëlqyer të nënës, motrës, bashkëshortes, për të sotmen dhe të ardhmen e familjes dhe shoqërisë.

Sot, ne mblidhemi në këtë festë, por mblidhemi në prag të një përvjetori të madh, të 100 vjetorit të lindjes së shqiptares më të madhe të të gjitha kohërave, por edhe të gruas më të madhe të shekullit kur jetoi, Nënë Terezës, e cila me virtytet e shpirtit dhe të zemrës së saj ia doli të pushtojë mbarë njerëzimin. Cilësitë e gruas shqiptare janë cilësitë dhe virtytet më të arrira. Në të gjitha problemet e mëdha të kombit, po t’u rikthehemi atyre, spikat me një madhështi unike solidariteti i shqiptarëve. 11 vjet më parë 1 milion shqiptarë u përzunë nga vatrat e tyre. 1 milion dyer shqiptare u hapën për to, në Shqipëri. Pa shpirtin tuaj të madh, pa mikpritjen tuaj, ky solidaritet nuk mund të shkëlqente, ashtu siç shkëlqeu. Dy muaj më parë patëm një përmbytje të madhe në nën Shkodër. Përgatitëm me mijëra vende në hotele dhe shkolla për të strehuar të shpërngulurit, por që të gjithë, veçse fare pak prej tyre, u pritën në familjet shqiptare përreth zonave të përmbytura. Kjo është në meritën më të madhe të shpirtit dhe solidaritetit tuaj.

Natyrisht, në këtë shoqëri sërish nuk mund të themi se kemi arritur barazinë reale midis burrit dhe gruas, vëllait dhe motrës, nënës dhe babit. Në të vërtetë, kjo përbën një sfidë të madhe. Një sfidë të madhe, se kurrë ndonjëherë shoqëria shqiptare nuk do mund të jetë plotësisht e emancipuar pa realizimin e kësaj barazie. Hapa të mëdha janë hedhur. Sot, në shkollat tona, vajzat janë shumicë. Sot, në administratën shtetërore vajzat dhe gratë janë shumicë. Por sërish nuk kanë vendin që meritojnë në vendimmarrjen e lartë shtetërore. Ndaj le të zotohemi këtu bashkërisht, të luftojmë për barazinë e plotë, reale midis burrit dhe gruas, midis djalit dhe vajzës, nënës dhe babit, si një detyrim madhor, por edhe si një kusht për emancipim të vërtetë kombëtar. Këtë vit, parlamenti ka një përbërje më të mirë, sesa 4 vjet apo një vit më parë. Unë shoh me kënaqësi se me sa dinjitet ju përfaqësojnë juve zonjat që kemi zgjedhur në parlament. Unë zotohem se në të gjitha rastet, ky numër do të njohë rritje të vazhdueshme, gjersa të kapë nivelet e barabarta e të merituara.

Të dashura vajza, gra dhe zonja të pranishme në këtë sallë,

28 qershori ishte një ditë e madhe, ditë në të cilën ju përcaktuat jo vetëm rezultatin e zgjedhjeve, por realizuat administrimin më të shkëlqyer të tyre. Këto ishin zgjedhjet e para, në të cilat ne vendosëm një barazi pothuajse në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore dhe në fakt ky është edhe një nga shkaqet më kryesore që ne ia dolëm që më 28 qershor të realizojmë zgjedhje të lira e të ndershme. Unë ju ftoj të vazhdojmë betejën tonë, të ecim të sigurt drejt zgjedhjeve lokale, të sigurt për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, të sigurt për një fitore të merituar, të sigurt se me vlerat dhe përkushtimin tonë, do të shndërrojmë sëbashku në realitet ëndrrën më të bukur europiane të shqiptarëve, ëndrrën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Europë. Edhe një herë gëzuar festën.”


08/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›