Kryeministri dhe teatri
Është hera e parë në historinë e pluralizmit, por kam frikë se edhe në të gjithë njëqindvjetshin e shtetit shqiptar që një kryeministër flet publikisht për teatrin. Më besoni se kjo është një ngjarje në historinë e varfër të teatrit dhe kulturës shqiptare. Kryeministri gjeti rastin të fliste për ndërtimin e një kompanie të re teatrore shtetërore dhe pa dyshim që një gjest i tillë, i papritur për veshët tanë të mërtisur politike, duhet duartrokitur edhe më me frenezi se një shfaqje e mirë
Është hera e parë në historinë e pluralizmit, por kam frikë se edhe në të gjithë njëqindvjetshin e shtetit shqiptar që një kryeministër flet publikisht për teatrin. Më besoni se kjo është një ngjarje në historinë e varfër të teatrit dhe kulturës shqiptare.
Kryeministri gjeti rastin të fliste për ndërtimin e një kompanie të re teatrore shtetërore dhe pa dyshim që një gjest i tillë, i papritur për veshët tanë të mërtisur politike, duhet duartrokitur edhe më me frenezi se një shfaqje e mirë.
Duke e admiruar një nismë kësisoj, më duhet të nënvizoj se reformat politike në sistemin teatror e në përgjithësi në sistemin kulturor shqiptar janë më të domosdoshme se kurrë dhe se kjo nismë duhet të jetë element i një konteksti të ri politik kulturor dhe pjesë e një sistemi të ri reformash në fushë të kulturës.
Në parathënien e Raportit Kombëtar të Politikave Kulturore të Francës shkruhet se në historinë e jetës politike franceze të pas Luftës së Dytë nuk mbahet mend që një iniciativë kulturore e propozuar nga të majtët të jetë kontestuar nga të djathtët dhe anasjelltas. Prej këndej mund të mësohet se në çështje kulturore të dy krahët klasikë dhe historikë të politikës gjenden bashkë. Megjithatë, metodologjia dhe teknologjia që ata përdorin në zbatim të programit kulturor, kanë qenë dhe mbeten të ndryshme.
Fatkeqësisht, në historinë e shkurtër të politikës pluraliste shqiptare të pas 90-s duket se nuk kemi asnjë projekt kulturor serioz mbi të cilin mund të debatohet apo prej të cilit të hamendësohet perspektiva kulturore e vendit.
Për rrethana tashmë të njohura historike në Shqipëri nuk ekziston një përkufizim kombëtar për kulturën dhe nga ana tjetër asnjëherë komuniteti i artistëve së bashku me strukturat menaxhuese dhe politike nuk ka debatuar në mënyrë serioze dhe të vazhdueshme, për të shkuar drejt përpilimit të një skice të mendimit politik mbi kulturën.
Kemi pasur ministra Kulture të djathtë që kanë vepruar si të majtë dhe ministra të majtë që kanë kryer aksione të djathta. Por më e keqja është se kemi pasur ministra pa krahë. Në këtë kuptim sistemi kulturor shqiptar paraqitet si sistemi më konservator, më komunist dhe më monopolist krahasuar me të gjitha aspektet e tjera të jetës së vendit.
Gjatë regjimit komunist, kultura qe përkufizuar si një amalgamë e identitetit kombëtar shqiptar me identitetin politik dhe që patjetër duhej të nxiste sjelljen socialiste. Kurse në ditët e sotme, në Evropë, kujdesi për identitetin kulturor po përfshin dita-ditës në mënyrë të specifikuar mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, gjuhës dhe jetës së gjallë kulturore.
Sistemi teatror shqiptar i përbërë prej 8 kompanive shtetërore-publike, prej rreth 12 sallave profesionale dhe rreth 200 profesionistëve, në pikëpamje të menaxhimit, produktit dhe aksesit në jetën publike të vendit është i një niveli të mjerueshëm, shumë larg standardeve të vendeve fqinje. Ai paraqet një sistem monopolist që jeton në një treg të mbyllur dhe që do tia kishte zili vetëm një diktaturë. Teatri Kombëtar nuk arrin dot të ketë një audiencë më të madhe se 20.000 vetësh në vit apo 2-2.5% të popullsisë së kryeqytetit.
Përpjekjet për ta reformuar sistemin janë të arkivuara vetëm në fletoret zyrtare të vitit 2000 dhe 2006, kur dhe u ndërmorën dy iniciativa ligjvënëse dhe u formuluan si dhe u miratuan dy ligje Për teatrin, respektivisht në shkurt të vitit 2000 dhe në tetor të vitit 2006. Ligji i parë i bërë nga specialistë vizionarë dhe ekzigjentë nën kujdesin e një ekspertize profesionale të KE-së nuk u implementua as edhe një ditë. Në këto kushte ai u abrogua dhe u ndërmor një nismë tjetër ligjvënëse, larg shumë profesionalizmit të të parit, por që gjithsesi kishte trashëguar nga i pari disa parime të shëndosha. Por fatkeqësisht edhe ky ligj i dytë mbeti pa u implementuar.
Është e rëndësishme të kujtohet se të dyja ligjet kanë të përbashkët krijimin e Qendrës Kombëtare të Artit Skenik, e cila për momentin do të ishte e vetmja zgjidhje për krijimin e një tregu të hapur, të lirë dhe me rregulla loje të parashkruara.
Nga ana tjetër koncepti i krijimit të qendrave kombëtare të arteve të veçanta (sipas modelit të nisur e të lënë përgjysmë që më 1996, me krijimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë) do ta çlironte ministrinë nga funksionet e një fondacioni, do ta demokratizonte vendimmarrjen në shpërndarjen e fondeve publike dhe do ta liberalizonte pjesëmarrjen në projekte kulturore (shikoni modelin bullgar, grek, francez etj.). Është e domosdoshme që të gjitha degët e arteve duhet të kenë qendrat e veta dhe të mos mendohet se ata mund të përmblidhen në një qendër të vetme, gjë që do të krijonte një centralizim të ri.
Kështu, nisë edhe prej precedentit pozitiv të QKK-së sistemi kulturor mund të strukturohej si më poshtë:
1. Qendra Kombëtare e Teatrit
2. Qendra Kombëtare e Librit
3. Qendra Kombëtare e Muzikës
4. Qendra Kombëtare e Arteve Pamore
5. Qendra Kombëtare e Kinematografisë (kështu siç është)
Të gjitha këto qendra duhet të kenë zë më vete në buxhetin e shtetit, të paracaktuar sipas politikave kulturore të ministrisë. Në këtë mënyrë ministria do ruante rolin e vet monitorues dhe hartues politikash, duke i lënë vetes vetëm ekskluzivitetet e projekteve të mëdha operacionale në fushë të kulturës, varësisht prej konteksteve të reja.
Përfituesit prej një decentralizimi të tillë të kompetencave do mund të shumëfishohen me shpejtësi dhe kjo do përbënte një nxitje shumë të madhe në lindjen e iniciativave private në fushë të kulturës, do rriste numrin e të punësuarve, e veçanërisht do të hapte tregun e punës për të rinjtë.
Hugo von Hofmannsthal është shprehur me këta terma në një nga shënimet e tij të shkruara që do të doja tjua citoja: Teatri është i vetmi institucion njerëzor që ka mbetur, i fuqishëm dhe universalisht i vlefshëm, ende i aftë të lidhë harenë e festës, ëndjen për spektakël, ëndjen për të qeshur, ëndjen për të qenë i mallëngjyer, për të qenë i tërhequr, për të qenë i provokuar, për të qenë i shkundulluar nga koka te këmbët nga impulsi antik i festës që pikërisht prej antikes është gjini e përjetshme njerëzore.