Delegacionet e dy vendeve zhvillojnë bisedime midis tyre, si dhe firmosin marrëveshje të përbashkëta bashkëpunimi
- Vizat e udhëtimit për në Kuvajt, për qytetarët shqiptarë, do të kthehen në viza kufitare.
- Kryeministri i Kuvajtit konfirmoi se brenda verës së këtij viti do të vihet në funksionim një linjë ajrore direkte me Shqipërinë, duke bërë të mundur që qytetarët dhe investitorët kuvajtianë të vijnë më me lehtësi në Shqipëri për tu njohur me potencialet që ajo ofron
Në vijim të vizitës zyrtare në Kuvajt, Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, si dhe zhvilluan bisedimet zyrtare me delegacionin kuvajtian të kryesuar nga Kryeministri i Kuvajtit, Lartësia e tij Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah
Gjatë këtij takimi, Kryeministri i Kuvajtit shprehu kënaqësinë për vendosjen së shpejti të ambasadave respektive në të dy vendet, duke e cilësuar këtë, si një tjetër kontribut të thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kuvajtit. Duke theksuar nevojën e lehtësimit të lëvizjes për qytetarët e të dyja vendeve, Kryeministri kuvajtian u shpreh se qytetarët duhet të pajisen me viza, në kufi, në mënyrë që të ketë një lehtësim të shkëmbimeve tregtare apo turistike mes dy vendeve, gjë të cilën qeveria e Kuvajtit do ta aplikojë në ditët në vijim. Në këtë mënyrë, vizat për qytetarët shqiptarë do të kthehen në viza kufitare, pra do të merren në aeroportin e vendit.
Kryeministri i Kuvajtit theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera, si ato financiare, në fushën e kulturës, ushtarake, etj. Duke vlerësuar shumë të rëndësishëm rolin e sektorit privat, në marrëdhëniet mes dy vendeve, Kryeministri i Kuvajtit, Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah u shpreh: “ Jam i lumtur që Kryeministri Berisha ka zhvilluar bisedime, me përfaqësuesit më të lartë të Fondit për Zhvillim Ekonomik, të Kuvajtit, që do të kenë si produkt, marrëveshje të përbashkëta, mjaft të frytshme për të dyja vendet.”
Gjithashtu, Kryeministri i Kuvajtit konfirmoi, se brenda verës së këtij viti, do të vihet në funksionim një linjë ajrore direkte me Shqipërinë, duke bërë të mundur që qytetarët dhe investitorët kuvajtianë të vijnë më me lehtësi, në Shqipëri, për tu njohur me potencialet që ajo ofron.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi Kryeministrin e Kuvajtit Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah për mbështetjen që Kuvajti i ka dhënë Shqipërisë, në gjithë këto vite në fusha të ndryshme, duke vënë theksin veçanërisht në ndihmën e Fondit Kuvajtian për Zhvillim Ekonomik, i cili që prej vitit 1993 ka ndihmuar dhe mbështetur financiarisht, në qindra projekte të rëndësishme për Shqipërinë.
Kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare do të lehtësojë maksimalisht investimet e ardhshme në Shqipëri. Në këtë kuadër, kryeministri shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare, për të mundësuar pajisjen me viza të qytetarëve kuvajtianë, në pikat kufitare.
Gjatë këtij takimi, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se kjo vizitë solli një optimizëm të madh, duke hapur një kapitull të ri mes dy vendeve.
Gjatë ceremonisë, midis dy qeverive, u nënshkruan këto marrëveshje:
-nënshkrimi i konventës mes Shqipërisë dhe Kuvajtit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin
-nënshkrimi i programit ekzekutiv për bashkëpunimin në fushën e turizmit
-marrëveshja për bashkëpunim në fushën e aviacionit civil.
Në përfundim të vizitës zyrtare në Kuvajt, Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte morën pjesë në një darkë të shtruar, për nder të tyre, nga Kryeministri i Kuvajtit, Lartësia e tij Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah.
04/04/2010