E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri i Estonisë vizitë në Kosovë

Kryeministri i Estonisë, Andrus Ansip, mbërriti sot për një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku fillimisht në takimin me presidentin Fatmir Sejdiu shprehu kënaqësinë e tij që gjendet në Republikën e Kosovës të lirë dhe të pavarur dhe theksoi përkrahjen për zhvillimet demokratike të vendit. "Është koha për t'u fokusuar në zhvillimet demokratike, për të ndihmuar ekonominë e Kosovës, ndërkohë që stabiliteti është kusht i domosdoshëm për investimet e jashtme dhe direkte", theksoi ai."Suksesi i Estonisë bazohet në investimet direkte të jashtme, si dhe bashkëpunimin me fqinjët", tha kryeministri Ansip. Presidenti Sejdiu e falënderoi kryeministrin Ansip për mbështetjen e fuqishme që Estonia i ka dhënë Kosovës në procesin e pavarësimit, për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe kontributet e veçanta në nivele të ndryshme për Kosovën dhe me prezencën me kontingjentin estonez në kuadër të trupave të KFOR-it. Kryeministri i Estonisë do të takohet gjatë ditës së sotme edhe me homologun kosovar, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Estonia është ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, më 21 shkurt, vetëm pak ditë pas shpalljes së saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›