Kryeministri informon PPE-në për hetimin e Prokurorisë së Shkodrës
Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha, i pranishëm dje në Samitin e Partive Popullore Europiane në Bruksel, deklaroi se pranon çdo hetim për zgjedhjet, por që të jetë në përputhje me Kushtetutën. Ai gjithashtu garantoi se Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ashtu sikurse çdo vend tjetër në Bashkimin Europian. Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar me presidentin e PPE-ve, Uilfrid Martens, Berisha tha se Prokuroria e Shkodrës, pasi hetoi zgjedhjet, vërtetoi se nuk ka pasur asnjë manipulim në procesin zgjedhor. Edhe presidenti Martens deklaroi se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira e të ndershme dhe bëri thirrje që opozita shqiptare të pranojë rezultatin.
“Ne jemi të hapur për çdo formë hetimi, në përputhje me ligjet e Kushtetutën e vendit.
Në mënyrë absolute ne nuk paragjykojmë asnjë formë hetimi. Sikundër jemi të vendosur të qëndrojmë plotësisht në zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit”, - tha Berisha dje në Bruksel. “Në rast se Rama pranon gjuhën e ligjit, pra pranon që këto dyshime të mbështeten mbi bazën e fakteve, grup fakteve dhe provave, që nesër, që të gjitha, pa asnjë hezitim. Jam gati të numëroj çdo votë, jam gati të ndryshoj çdo rezultat, por me kusht që të ndiqet procedura ligjore. Edhe tani jam gati për çdo hetim, por jo ligjet sipas meje, as sipas zotit Rama, por ligjet ashtu siç janë votuar në Parlament dhe kjo përbën bazën më të shëndoshë, më solide”, - është shprehur Berisha.
Zgjedhjet
“Jam shumë i lumtur që kam sot këtu me ne, në Samitin e PPE, kryeministrin Berisha, i cili pati takime shumë të suksesshme me të gjithë liderët kryesorë të PPE. Kryeministri Berisha ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyer me zbatimin e reformave, të cilat janë shumë të rëndësishme për rrugën europiane të Shqipërisë. Unë e kujtoj shumë mirë ditën e fundit të fushatës zgjedhore kur ai u fliste qytetarëve me bindje dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatin e atyre zgjedhjeve. Një gjë duhet të pranohet nga opozita që këto zgjedhje ishin të ndershme dhe ajo duhet të pranojë rezultatin e tyre”, - është shprehur presidenti i PPE-ve, Martens. Ndërsa Berisha garantoi se edhe në të ardhmen Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Shqipëria, vitin që shkoi zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zoti president, më lejoni t’ju njoh me rezultatet e fundit të hetimit të Prokurorisë së Shkodrës. Ata gjetën përputhshmëri të plotë pasi numëruan çdo votë, pasi këqyrën çdo procesverbal, se ka pasur zero devijim nga e vërteta dhe realiteti. Dhe ju siguroj që Shqipëria do të votojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si çdo komb europian. Ky është angazhimi im i plotë”, - është shprehur kryeministri shqiptar.
Ekonomia
Gjatë fjalës së tij Berisha bëri një panoramë të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, ndërsa premtoi se këtë vit Shqipëria do të shënojë një rritje ekonomike më të madhe se 3.5%. “Vitin që shkoi Shqipëria kishte një rritje ekonomike prej 3.5 përqindësh. Këtë vit do të kemi një rritje më të madhe dhe jo sepse nuk është globale, është hiperglobale. Ne fakt, kur je i vogël, je i dënuar të jesh hiperglobal. Ekonomia e saj është e vendosur në standarde të shëndosha. Ne e kemi luftuar me zero tolerancë korrupsionin. Më lejoni t’ju informoj se që nga viti 2005 deri në vitin 2009 kemi dyfishuar të ardhurat buxhetore. Në vitin 2007 ato ishin 87 miliardë dhe në 2009-n ishin 188 miliardë. Shqipëria u ngjit 27 pikë më lart se mesatarja e vendeve të OECD-së për fillimin e biznesit, 5 për qind më lart se mesatarja e OECD-së për investimet. Pesë vite më parë, indeksi i penetrimit të internetit ishte ndër më të ulëtit, me vetëm 4.8 për qind. Këtë dhjetor ishte mbi 50 për qind dhe do të vazhdojë të rritet në vitet që vijnë”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare.
Opozita vazhdon turin e protestave në qytetin e Vlorës
Opozita e Bashkuar ka rinisur pasditen e djeshme protestat në qytetin e Vlorës. Pas protestës së 6 dhjetorit në Pogradec dhe asaj të 14 dhjetorit në Durrës, Opozita e Bashkuar u shpreh e bindur se protestat do të jenë të pandalshme për të çliruar vendin nga kthetrat e oborrit të korrupsionit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përpara simpatizantëve të qytetit të Vlorës akuzoi kryeministrin Berisha se ka dështuar me qeverisjen e tij, duke i lënë shqiptarët në baltë. “Shqiptarët po varfërohen. Berisha ka dështuar duke i lënë ata në baltë”, - tha Rama. Duke deklaruar se kryeministri i këtij vendi nuk e lë popullin të zgjedhë, Rama deklaroi se ende ekziston shpresa për “të besuar në një Shqipëri europiane”. “Opozita e Bashkuar është më e fortë se kurrë. Prandaj i duhet opozita shqiptarëve, që të largojë Berishën”, - theksoi Rama. Kreu i socialistëve garantoi se pavarësisht se javën e ardhshme nis hetimi parlamentar i zgjedhjeve, opozita do të vazhdojë protestat për shkak se në vend ka shumë arsye të tjera për të protestuar. “Protestat janë pjesë e opozitës, pasi sot ka 1001 arsye për të protestuar. Hetimi i zgjedhjeve është imperativ dhe për të hyrë në një proces normalizimi në funksion të procesit normal të zhvillimit të demokracisë. Hapja e hetimit në datën 23 dhjetor, edhe pse kjo është një çështje e lënë për çastin e fundit, tregon se nuk ka vullnet për zgjidhje.
Ndoka: “Kutitë u hapën në mungesë të transparencës”
Kreu i demokristianëve ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme me akuzat drejtuar Prokurorisë së Shkodrës. Në një deklaratë për mediat, Ndoka tha se kutitë u hapën në mungesë totale të transparencës. Madje, sipas Ndokës, Prokuroria e Shkodrës, nga frika se mos dalin edhe 5 “Ruzhdie” të tjera, nuk ka hetuar kutitë e denoncuara nga PDK-ja. “Kutitë u hapën në mungesë të transparencës së plotë, pa praninë e përfaqësuesit ligjor të PDK-së, KQZ-së dhe pa praninë e medias. Prokuroria, nga frika se dalin edhe 5 ‘Ruzhdie’ të tjera, nuk ka hetuar kutitë e materialeve zgjedhore dhe nuk ka verifikuar parregullsitë esenciale në procesin zgjedhor. Kutitë e tërhequra nga Prokuroria janë manipuluar në bodrumet e Lundrës nga KQZ-ja, nën kujdesin e Topallit. Prokuroria u bë palë në manipulimin e zgjedhjeve, duke u përpjekur të legjitimojë manipulimin e tyre”, - është shprehur Ndoka. Madje ai i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës që të ndikojë në kthimin e normalitetit në institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme. “Prokuroria e Përgjithshme bën deklaratë politike në mbrojtje të shkelësve të ligjit dhe të manipulimit të zgjedhjeve, njësoj si PD-ja. Presidenti të ndërhyjë për kthimin e normalitetit në institucionin e Prokurorisë se Përgjithshme. Situata është alarmante. Për fat të keq, Prokuroria e Përgjithshme funksionon si prokurori politike në duart e kryeministrit”, - është shprehur Ndoka.
KQZ: “Ndoka shpifi për rezultatet e zgjedhjeve në Shkodër”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cilësoi shpifje dhe deklarata të çekuilibruara ato të kreut të demokristianëve, Nard Ndoka, për manipulimin e kutive që Prokuroria e Shkodrës hetoi së fundi. Sipas institucionit kryesor të administrimit të zgjedhjeve, Prokuroria vërtetoi edhe atë që KQZ-ja, në prezencë edhe të Ndokës, faktoi në një rinumërim të një kutie tjetër në vitin 2009, ku Partia Demokristiane kishte marrë vetëm 3 vota. Edhe Prokuroria dje i ka cilësuar deklaratat e kreut të PDK-së, Nard Ndoka, si politike dhe keqinformuese. Konkretisht, Ndoka ka akuzuar Prokurorinë e Shkodrës se ka manipuluar provat në hetimin e rezultatit të zgjedhjeve në këtë qark, në KZAZ-të 40 dhe 42 dhe se është dorëzuar pas presioneve të politikës.
Partia Demokristiane, në shtator 2009, ka bërë denoncim në Prokurorinë e Rrethit Shkodër për falsifikim të rezultatit zgjedhor në qarkun e Shkodrës në KZAZ-të 40 dhe 42, duke kërkuar hapjen e pesë kutive të votimit. Nga ana e Prokurorisë është vendosur sekuestrimi i kutive të votimit dhe më 17 shtator 2010 janë tërhequr nga KQZ-ja kutitë me materialet zgjedhore, ndërsa më 20 tetor 2010 janë tërhequr nga KQZ-ja kutitë me fletët e votimit. Procesi i numërimit të votave dhe shqyrtimi i tyre është bërë gjatë muajit tetor duke respektuar të gjitha normat ligjore dhe dispozitat procedurale dhe në ushtrim të kompetencave hetimore të Prokurorisë.
18 Dhjetor 2010