80 mbrojtësit golashënues
Detyra e tyre thelbësore është mbrojnë portën e tyre nga pësimi i golave, t’u mbyllin çdo shteg sulmuesve kundërshtarë, të bllokojnë ofensivën e rivalëve, të bëhen digë e pakalueshme. Por, në futbollin modern shumë prej mbrojtësve, me aftësi shpërthyese, janë shndërruar në “bombera” të vërtetë, duke shënuar emrin e tyre në protokollet e ndeshjeve si golashënues, “matchwinner” apo dhe MVP (Most Valuable Player – lojtari më i vlefshëm). Instituti Ndërkombëtar i Statistikave dhe Historisë në Futboll, IFHHS, publikoi listën e top-80 mbrojtësve më të mirë të gjitha kohërave përsa u përket numrit të golave që ata kanë realizuar gjatë karrierës së tyre futbollistike. Në listën e 80 mbrojtësve më të mirë golashënues janë emra të tillë si Ronald Koeman (Holandë, 193 gola), Daniel Passarella (Argjentinë, 134 gola), Fernando Hierro (Spanjë, 110 gola), Egardo Bauza (Argjentinë, 108 gola), Paul Breitner (Gjermani, 103 gola), Laurent Blank (Francë, 95 gola), Hoze Albreht (Argjentinë, 95 gola), Gari Llojd (Uells, 90 gola), Frank Soze (Francë, 89 gola), Juan Rokia (Argjentinë, 86 gola) apo dhe të tjerë si Derk Shnajder (80 gola), Bernard Dietx (77), Adrian Mansveld (77), Manfred Kalc (77), Enco Trosero (76), Edson Tortolero (75), Erik van Meir (74), Bojil Kolev (74), Hans-Peter Brigel (68), Robert Murdok (68), etj..
RONALD KOEMAN
Holandezi Ronald Koeman, ish-lojtari i Groningenit, Ajaksit, PSV Eindhovenit dhe Fejenordit në kampionatin holandez dhe i Barcelonës në kampionatin spanjoll, është dhe mbrojtësi që ka shënuar më shumë gola gjatë karrierës së tij, që përshin një periudhë 17-vjeçare, nga viti 1980 dhe deri në vitin 1997, gjatë së cilës specialisti i goditjeve të lira realizoi 193 gola në 533 ndeshje. Ish-futbollisti i Kombëtares së Holandës shënoi respektivisht 33 gola për Groningenin (në 89 ndeshje), 23 gola për Ajaksin (në 94 ndeshje), 51 gola për PSV Eindhovenin (në 98 ndeshje), 67 gola për Barcelonën (në 192 ndeshje) dhe 19 gola në 60 ndeshje me fanellën e Fejenordin, ekipin ku dhe mbylli karrierën e tij. Ronald Koemani shënoi me një goditje të lirë golin fitues të Barcelonës në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 1992. Ronald Koeman është vëllai i Ervin Koemanit, ish-mesfushorit të Holandës, dhe të dy këta janë djemtë e Martin Koemanit, një ish-lojtar i Kombëtares holandeze. Të tre kanë luajtur në fillimet e tyre sportive me Groningenin. Interesant është fakti, se mbrojtësi Ronald ka shënuar më shumë gola se vëllai i tij mesfushor, Ervin Koeman, ky i fundit realizoi 92 gola (në 472 ndeshje), përkundrejt 193 golave të Ronaldit. Ronald Koeman realizoi 14 gola në 78 ndeshje me Holandën.
DANIEL PASARELA
Argjentinasi renditet i dyti në listën e mbrojtësve golashënues: 134 gola në 451 ndeshje, në një periudhë 15 vjeçare: 1974-1989. Qendërmbrojtësi i lindur në Cakabukuo, në një provincë të kryeqytetit Buenos Aires, ishte kapiteni i Argjentinës, skuadrës që fitoi Kampionatin Botëror të vitit 1978. Aktualisht është presidenti i klubit River Plejt, pas fitimit të zgjedhjeve në dhjetor të vitit 2009. Pasarela ka qenë ish-trajner i Argjentinës dhe Uruguait. Pasarla e nisi karrierën me Sarmiento për të cilën shënoi vetëm 9 gola, ndërsa më pas u bashkua me River Plate ku shënoi 90 gola në 220 ndeshje. Fiorentina në Itali ishte stacioni i radhës: 26 gola në 109 ndeshje për “El Gran Capitan”, nofkë që i ishte vendosur në kujtim të heroit të Pavarësisë së Argjentinës, Hoze de san Martin. Gjithsesi, “El Kaiser” argjentinas, në dallim nga “Der Kaiser” gjerman, Franc Bekenbauer, për shkak të aftësive të lidershipit të tij, pasionit dhe organizimit në fushë, luajti edhe me Interin: 9 gola në 44 ndeshje. Pasarela ishte efektiv në lojën ajrore, si në mbrojtje ashtu dhe në sulm. Ai shënoi shpesh me kokë pavarësisht gjatësisë mesatare të tij, 1.73 metra. Ai ishte një gjuajtës cilësor i goditjeve të lira dhe një penalltist i pagabueshëm, por ishte i famshëm edhe për përdorimin e bërrylave ndaj rivalëve. E mbylli karrierën te River Plejt në Argjentinë.
FERNANDO HIERRO
110 gola në 541 ndeshje. Vendi i tretë për spanjollin e famshëm, ish-mbrojtësin e Realit të Madridit. Me fanellën e bardhë të “mbretërorëve” madrilenë, Fernando Hiero, luajti 439 ndeshje, nga 541 të tilla në total, përshirë dhe ato me Valadolin (58 ndeshje, 3 gola), Al Rajann(19 ndeshje, 3 gola) dhe Boltonin (29 ndeshje, 1 gol). 89 ndeshje me Spanjën, duke shënuar 29 gola, duke qenë golashënuesi i tretë më i mirë, pas David Vijës (45 gola) dhe Raul Gonzalesit (44 gola). Fernando Hiero kishte aftësinë të ishte lideri në organizimin e një mbrojtjeje solide, pro dhe me talentin për të shënuar gola befasues, duke e shndërruar atë në një tmerr të vërtetë për mbrojtjet kundërshtare. Me Realin e Madridit ai fitoi pesë kampionate spanjolle dhe tre Liga të Kampioneve gjatë 15 viteve të karrierës së tij futbollistike.
HANS-PETER BRIGREL
Nga mbrojtësit e përfshirë në “Top-80”, me gjermanin Helmut Kremers që mbyll listën, autor të 50 golave në 273 ndeshje, ndodhet edhe ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Hans-Peter Brigeli, i cili ka shënuar 68 gola në 346 ndeshje gjatë karrierës së tij 14 vjeçare, nga viti 1975 e deri në vitin 1988, kur vari këpucët në gozhdë. Brigeli renditet i 24-ti në listën e hartuar. Brigeli ishte një ndër lojtarët më popullorë në kohën e tij. Sporti i parë i tij ishte atletika, ku ai ishte i suksesshëm në shumë disiplina, si në kërcimin së gjati, trehapëshin, e veçanërisht në pesëgarësh. Në moshën 17-vjeçare ai dha lamtumirën atletikës për t’u bashkuar përfundimisht me futbollin. Pasi dështoi të bëhej një sulmues, ai u bë një mbrojtës i shkëlqyer. Tre janë skuadrat e tij si lojtar: Kaiserslauterni (240 ndeshje, 47 gola), Verona (55 ndeshje, 12 gola) dhe Sampdoria (51 ndeshje, 9 gola). Brigeli fitoi titullin kampion në Serinë A me Veronën në vitin 1985. Me Gjermaninë ai luajti në 72 ndeshje, duke shënuar 4 gola. Gjashtë ekipesh klubesh dhe 2 ekipeve kombëtare, Shqipërinë dhe Bahreinin, ka Brigeli në pasaportën e tij si trajner. Interesant është fakti, se Brigeli lë pas edhe “Kaiseri” Franc Beknbauer.
ROBERTO KARLOS
Roberto Karlos, sot 37 vjeç, është i vetmi nga mbrojtësit golashënues që është ende në aktivitet, dhe ka shënuar deri tani 68 gola në 626 ndeshje, duke u renditur në vendin e 27-të. Braziliani aktualisht luan me Korinthiansin, ndërkohë që me Realin e Madridit ai luajti për 11 vjet (47 gola), duke fituar katër kampionate në Spanjë, tre Liga të Kampioneve dhe dy Kupa Interkontinentale. Ai është gjithashtu një nga gjashtë lojtarët që ka zhvilluar më shumë ndeshje në Ligën e Kampioneve. Roberto Karlosi njihet për shpërthimet e tij të fuqishme, 34 km/orë, apo nga 0-100 metra i bënte për 10.6 sekonda, goditjet e tij të jashtëzakonshme me topin që merrte një trajektore bananeje e që kapte një shpejtësi prej 170 km në orë, por dhe gjuajtjet e tij të forta deri në distanca nga 36 metra. Roberto Karlos fitoi “Këpucën e artë” në vitin 2008, dhe është një nga 125 lojtarët më të mëdhenj që janë gjallë, një listë e hartuar nga Pele në vitin 2004.
10 golashënuesit më të mirë
1. Ronald Koeman (Holandë) 533 193
2. Daniel Passarella (Argjentinë) 451 134
3. Fernando Hierro (Spanjë) 541 110
4. Egardo Bauza (Argjentinë) 499 108
5. Paul Breitner (Gjermani) 369 103
6. Laurent Blank (Francë) 500 95
7. Hoze Albreht (Argjentinë) 506 95
8. Gary Lloyd (Uells) 515 90
9. Frank Soze (Francë) 483 89
10. Juan Rokia (Argjentinë) 396 86
17 Dhjetor 2010