Topi: “Raporti i Dik Martit është i pabazuar në fakte, i dëmton shqiptarët”
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka reaguar dje në lidhje me përmbajtjen e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Martit, duke i cilësuar të pabazuara në fakte akuzat e bëra publike për Shqipërinë dhe Kosovën. Nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, institucioni i Presidentit të Republikës i dënon ashpër këto akuza të pavërteta, të cilat, sipas tij, janë gatuar në kuzhinën e qarqeve të caktuara ultranacionaliste. Në reagimin e Presidentit të Republikës vihet në dukje se raporti është hartuar nga ish-prokurori Marti, i cili njihet si antishqiptar dhe si një nga personat që ka qenë kaherë kundër pavarësisë së Kosovës. Më tej në deklaratë kujtohet se këto akuza janë rrjet thashethemesh që vijnë nga një territor ku ende strehohen kriminelë lufte dhe që kërkojnë të hedhin baltë mbi Shqipërinë dhe Kosovën. Në përfundim të reagimit të tij, Presidenti i Republikës shpreh gatishmërinë e institucioneve shqiptare për të bashkëpunuar me cilindo institucion ndërkombëtar për të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe për t’u dhënë fund njëherë e mirë këtyre akuzave të pabaza.
Reagimi
“Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas shqyrtimit të hollësishëm të projekt-rezolutës së djeshme të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dëshiron të shprehë publikisht qëndrimin zyrtar lidhur me këtë çështje shumë të ndjeshme, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por edhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të rajonit dhe mirëqenien e popujve tanë. Duke pasur parasysh këtë projekt-rezolutë, që erdhi si rezultat i Raportit të përpiluar nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ish-prokurori Dik Marti, Presidenti i Republikës së Shqipërisë dënon ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete”,- është shprehur zëdhënësja për shtyp e presidentit, Mimoza Koçiu. Në deklaratë theksohet se këto akuza nuk janë gjë tjetër vetëm thashetheme të gatuara nga rrjete të caktuara antishqiptare. “Këto janë pandehma të endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalë mode të qarqeve të caktuara ultranacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan, në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të gjenocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Këto akuza fantazmagorike, shumë herë të ngritura edhe më parë e të hetuara, por asnjëherë të vërtetuara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar, identitetin e tij, si dhe shtetin e ri shumë etnik dhe demokratik të Kosovës dhe drejtuesit e tij legjitimë, të certifikuar jo vetëm nga qytetarët kosovarë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, - është shprehur zëdhënësja Koçiu.
Sipas saj, këto akuza të rrezikshme dëmtojnë e kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit tonë. “Institucionet e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë bashkëpunuese me institucionet e specializuara ndërkombëtare për të hetuar rreth dyshimeve që ringrihen në projekt-rezolutën e përpiluar nga Dik Marti, i cili e ka bërë të njohur botërisht, prej kohësh, pozicionimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës. Rruga më e mirë për të mbyllur përfundimisht një kapitull të mbushur me akuza të pabazuara, shpifje dhe dashakeqësi, është që të bashkëpunojmë sërish me organet e specializuara të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, UNMIKU-u, EULEX-i si dhe prokuroritë e vendeve të ndryshme, sado që kanë hetuar me imtësi në të kaluarën, nuk kanë arritur të gjejnë prova bindëse e të mjaftueshme për të vënë ndokënd para drejtësisë. Duhet patjetër që e vërteta e kulluar të dalë e tëra në dritë ashtu siç ka ndodhur në Kosovën e martirizuar, ku shqiptarët e Kosovës kanë ditur të falin, por jo të harrojnë. Kjo në mënyrë që mbi askënd të mos rishfaqen më hijet e dyshimit, si makthe që na rikujtonë periudhën e trazuar të konflikteve dhe genocideve etnike dhe fetare – të cilat rajoni ynë, i projektuar i gjithi drejt botës euro-atlantike, i ka lënë pas një herë e mirë”,- ka përfunduar reagimi zyrtar i Presidentit të Republikës.
Reagimi
Rama: “Dik Marti nuk është gjë tjetër veçse një sharlatan”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka cilësuar anëtarin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Martin, se nuk është gjë tjetër veçse një sharlatan. Në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, kryesocialisti Rama tha se raporti i Dik Martit për luftën e Kosovës, për akuzat mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, është ndërtuar mbi shpifje dhe se përbën një fyerje ndaj shqiptarëve. “Përfaqësuesit e Partisë Socialiste do të bashkohen me ata të Partisë Demokratike për të rrëzuar raportin e Martit në Këshillin e Europës. Ne do të unifikojmë plotësisht qëndrimin me përfaqësuesit e PD-së në Këshillin e Europës, kur të diskutohet në Asamble ky raport i mbushur me shpifje e me baltë, dhe do të bëjmë detyrën ndaj së vërtetës për ta kthyer mbrapsht atë shpifje”, - u shpreh dje për mediat kryetari i Partisë Socialiste, Rama. Më tej ai shtoi se hartuesi i këtij raporti është një sharlatan dhe që ndikohet nga qarqe që kërkojnë të dëmtojnë Shqipërinë dhe Kosovën. “Në pikëpamjen tonë, hartuesi i këtij raporti është thjesht një sharlatan që i shtohet zogorisë së sharlatanëve që në histori kanë bërë keq e shumë më keq për të goditur shqiptarët në çështjen e tyre”, - tha më tej Rama.
Ministria e Jashtme
“Përmbajtja e raportit është e pavërtetë, spekulative dhe shpifëse”
Edhe ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar dje kundër raportit të Dik Martit. Në një deklaratë për mediat, ministria e Jashtme e cilëson raportin e Martit të njëanshëm, të pabazuar në fakte dhe që përbën abuzim me autoritetin e Këshillit të Europës. “Raporti është totalisht i pabazuar në fakte, prova apo realitet, çka dëshmon qartë për anësi politike të autorit, duke përbërë abuzim me autoritetin e Këshillit të Europës. Një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe maturisë që përçon Këshilli i Europës. Rikujtojmë se në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Më tej, kjo ministri i cilëson pretendimet e ngritura në raport të pavërteta dhe spekulative. Në përfundim kjo Ministri shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo institucion ndërkombëtar për të nxjerrë në dritë të vërtetën. “Përmbajtja e raportit të z. Marti, si dhe pretendimet se autoritetet shqiptare nuk kanë bashkëpunuar në hetim janë krejtësisht të pavërteta, spekulative dhe shpifëse. Institucionet e Republikës së kanë bashkëpunuar ngushtë me grupin hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në vitin 2004 dhe i kanë ofruar bashkëpunim të plotë edhe vetë z. Marti, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2009. Ministria e Punëve të Jashtme përsërit publikisht gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa asnjë rezervë me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në këtë çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe me Këshillin e Europës”, - shkruhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Alibeaj: “Serbët sollën si provë romanin e Del Pontes”
Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pranon të ketë refuzuar kërkesën e prokurorit serb për hetime në Shqipëri, në lidhje me trafikun e organeve. Alibeaj thotë se kërkesa nuk përmbushte asnjë pikë të Konventës europiane në fuqi. “Prokuroria serbe kishte regjistruar një çështje penale me objekt krime kundër njerëzimit, baza e vetme e provës ishte libri i Del Pontes. Prokuroria serbe nuk kishte treguar asnjë fakt dhe asnjë provë”, - tha Alibeaj. Ish-ministri deklaron se në kërkesë nuk saktësohej se çfarë i kërkohej Prokurorisë shqiptare. Ndërkohe që shton se Prokuroria e Burrelit kishte kryer dy hetime të njëpasnjëshme dhe nuk rezultonte të kishte qoftë edhe një provë për këtë trafik. “Kërkesa nuk përmbushte asnjë prej dy kërkesave të konventës së Këshillit të Europës. Duhet të tregoheshin burimet e provave dhe të tregohej saktësisht se çfarë ka ndodhur. Prokuroria shqiptare e ka bërë këtë detyrë që në vitin 2002 dhe nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt shkencor”, - shton Alibeaj. Alibeaj deklaron se, vetëm pak kohë më vonë i dha të drejtën e hetimeve UNMIK-ut, i cili paraqiti një kërkesë ligjore, si dhe Ministria e Drejtësisë i ka dhënë të gjithë infrastrukturën e nevojshme në mjete dhe njerëz edhe Dik Martit për të kryer hetimet e tij. Për Alibeajn e gjithë kjo histori ka shtysë vetëm librin e Del Pontes dhe asnjë të vërtetë tjetër. “Kam respekt për dellin poetik të prokuroreve edhe kur ata janë të dështuar në profesionin e tyre. Ky është një roman policesk, më tepër se sa juridik”, - shtoi Alibeaj.
18 Dhjetor 2010