Kryeministri kroat: Memorandumi me Kosovën dhe Shqipërinë nuk ka karakter armiqësor

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç ka deklaruar se në memorandumin e nënshkruar mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes nuk ka asgjë armiqësore.
Ky qëndrim i Plenkoviç vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi këtë memorandum si shkelje të marrëveshjes rajonale dhe pretendoi se NATO nuk ishte informuar për këtë dokument.
Megjithatë, kryeministri kroat i sugjeroi Vuçiçit që të marrë pesë minuta kohë për të lexuar tekstin e memorandumit.
“Memorandumi nuk ka karakter armiqësor. E kuptoj që Vuçiç ka nevojë të gjejë probleme diku tjetër, por ato nuk mund t’i gjejë në tekstin e memorandumit. Si Kroacia, ashtu edhe këto dy shtete e morën këtë vendim bazuar në vlerësimet dhe interesat e tyre, prandaj nuk kanë nevojë të pyesin askënd: as Serbinë e as NATO-n”, ka theksuar Plenkoviç.
Plenkoviq ka shpjeguar më tej se memorandumi është pjesë e bashkëpunimit që Kroacia ka me Kosovën dhe Shqipërinë.
Sipas tij, ai do të ndihmojë thelbësisht përpjekjet e këtyre dy shteteve në reforma, shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.
/rtsh.al/