E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në tryezën e rrumbullakët, "Thjeshtimi i proçedurave të licensimit në fushën e Bujqësisë dhe Ushqimit

Sot, Kryeministri Berisha mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë "Thjeshtimi i proçedurave të licensimit në fushën e Bujqësisë dhe Ushqimit. Ky takim i organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës si dhe grupi i liçensimit u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga organizata të ndryshme të biznesit, si Shoqata e Investitorëve të huaj, Konfindustria, Këshilli i Agrobiznesit etj. Takimi u zhvillua në kuadrin e reformës rregullatore në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe u përqëndrua në analizën e punës së bërë nga grupi i liçensimit për thjeshtimin e liçensave e lejeve në sektorin e ushqimit dhe bujqësisë.

Duke hapur diskutimet, Kryeministri Berisha vuri theksin në rëndësinë e një zhvillimi të qëndrueshëm rural dhe zhvillimin e bujqësisë, pa të cilat zhvillimi i vendit në tërësi dhe shkëputja e tij nga varfëria do të ishin të pamundura. Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të ketë në vëmendje kryesore fermerët dhe do të përmirësojë në vazhdimësi projektet e saj për tu ardhur në ndihmë atyre.

Duke vijuar me fjalën e tij, Kryeministri, ndër të tjera u shpreh:

"Pa një zhvillim të bujqësisë dhe pa një zhvillim të qëndrueshëm rural, të lidhura këto pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën, zhvillimi i vendit dhe ndarja e tij nga varfëria është vetëm iluzion. Shqipëria rurale dhe Shqipëria urbane janë dy Shqipëri tejet larg njëra- tjetrës. Shqipëria rurale është një Shqipëri e cila në tërë thellësitë e saj shkon drejt kohërave të largëta, ndërsa Shqipëria urbane përballet me probleme, por e vërteta është se është një Shqipëri krejtësisht tjetër. Kemi të bëjmë me një problem shumë madhor kombëtar, i cili kërkon zgjidhje dhe përpjekje të mëdha e të qëndrueshme për tu vendosur në rugën e zgjidhjes. Në këtë konteks mbështetja e zhvillimit të agrobiznesit në vend është një mekanizëm nga më të sigurtit për të mbështetur Shqipërinë rurale, apo Shqipërinë e cila ka një frakturë të thellë, në Shqipërinë urbane.
Ky biznes ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe përbën për qeverinë një nga objektivat më kryesorë të saj. Në këtë kontekst shtoj se qeveria është e detyruar të përpunojë, të adaptojë , të përshtasë qëndrime , të cilat nxisin , inkurajojnë, lehtësojnë këtë biznes, më shumë se çdo biznes tjetër në vend.

Alternativa e fermerëve shqiptarë është një alternativë e disfavorshme për vendin. Kushtet i detyrojnë, më mirë të shkojnë dhe të punojnë si argatë në fermat e Kalabrisë apo në ishujt e Egjeut, se sa të punojnë tokën e tyre shumë herë më pjellore, shumë herë më cilësore se toka që shkojnë pë të punuar dhe kjo vetëm për mungesën e politikave që duhet të ngjallin interesin, përfitimin e këtij fermeri, për të punuar tokën e tij. Ndaj dhe Minisria e Bujqësisë duhet të punojnë me shpejtësi planin e veprimit, i cili synon të ngushtojë hendekun midis dy Shqipërive, sepse në thelb harta e varfërisë është në tërësinë e saj harta e Shqipërisë rurale.

Sot ne jemi mbledhur për të debatuar për këto probleme. Njëri prej tyre është liberalizimi i lejeve dhe licensave dhe kjo është një gjë shumë pozitive, pasi është bërë liberalizimi i licensave për hidrokarburet, për industrinë farmaceutike, diskutohet këtu liberalizimi i licensave për agrobiznesin. Sigurisht kjo është një ndihmë që thjeshton burokracinë,por probleme shumë të mëdha lidhen me veprimtarinë në këtë fushë dhe problemet më kryesore janë të sigurisë së ushqimit. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që standartet e prodhimeve të kësaj industrie të arrijnë standartet më të mira ndërkombëtare. Vendi i cili është i njohur në të gjitha kohërat si prodhuesi i produkteve më të shijshme, duhet ta ruajë këtë avantazh të madh, këtë dhuratë të çmuar. Ruajtja e saj kërkon respektimin e kritereve rigoroze, në interes të shëndetit dhe të garancisë së shëndetit të konsumatorit, në interes të emrit të prodhuesit dhe të vendit. Po ju sjell një shembull. Dëgjoj me kënaqësi kur të huajt më thonë se djathi i bardhë i juaji është më i miri. Ky produkt është i famshëm , por është akoma më aromantik djathi i bardhë i jugut. Ky ishte thjesht një shembull, por shembujt janë të panumërt.

Duhet ti kushtojmë rëndësi certifikimit. Qeveria është e vendosur t'ju ndihmojë ju në procesin e certifikimit, të subvencionojmë certifikimin, të përpiqemi të tërheqim kompanitë më serioze, në mënyrë që prodhimet dhe produktet tuaja të marrin certifikatat më të sigurta, më të mira. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm, por gjithashtu është një kusht, përpjekja e madhe që duhet të bëhet për të ruajtur standartet. Ne kemi bërë një hap të vogël drejt vreshatrisë, do të bëjme një hap tjetër me ullirin. Jemi duke studiuar se në çmënyrë do të ndërhyjme për të mbështetur, për të marrë përsipër, mbrojtjen biologjike nga insektet ose procese të tjera shumë të rëndësishme për fermerët për ta përballuar punën e tyre, pra do të bëjme një ndërhyrje, por vetëm ndërhyrja jonë nuk mjafton. Vendosmëria për të ruajtur standartin, vendosmëria për të ruajtur nivelin e aktivitetit, për të ruajtur shkallën e pastërtisë janë të pazëvendësueshme, në mënyrë që ne të bëhemi kompetititvë në treg. Dua të theksoj se këtu ka rëndësi shumë të madhe promocioni. Duhet të promovojmë prodhimet e vendit sepse edhe promocion nuk bëhet sa duhet.

Një rrugë e gjatë na pret sepse ky sektor ka qenë shumë i braktisur. Subvencioni i naftës duhet të përqëndrohet me përparësi në këtë sektor. Skema që ne ndërrmorrëm për shpërndarjen e saj, ajo çka funksionoi, ishte vetëm pjesa e adresuar këtij sektori, e serave, pjesa tjetër është abuzive, spekulative dhe duhet që vitin e ardhshëm të ndërrohet patjetër, duhet gjetur një mënyrë tjëtër për ti ndihmuar fermerët. Po nuk i ndihmuam këta fermerë, atyre u mbetet vetëm një alternativë ajo e largimit nga vendi ku jetojnë. Në këtë konteks edhe projekti për gjashtë mijë kilometra rrugë do të jetë një ndihmë për ta, por gjashtë mijë kilometra mbulojnë pak me shumë se një të tretën e këtyre territorëve. Dy të tretat kanë nevojë për gjashtë mijë kilometra të tjera e kështu me rradhë. Dueht tu ofrojmë një shkallë të caktuar uranizimit edhe atyre.

Qeveria do të përqëndrohet shumë në mbështetjen tuaj. Sivjet keni bërë një hap më të mirë drejt eksportit. Dëshiroj që vitin e ardhshëm ta keni më të madh këtë hap.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›