E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri ne inaugurimin e rikonstruksionit te rruges Rreshen-Urake

Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Rrëshen-Urakë.
Duke marrë fjalën para të pranishmëve në këtë ceremoni, Berisha garantoi se dhe gjatë katër viteve të ardhshme qeveria do të vijojë me investimet në infrastrukturë duke garantuar shërbime të njëjta në si në qytet ashtu edhe në fshat. 
“Ju garantoj se kjo rrugë do të ecë drejt Burrelit, Kurbneshit, Kthellës,  Lurës. Katër vitet që vijnë anekënd Mirditës e Lezhës do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë ku ju jetoni. Do të bëjmë gjithçka që ju në çdo lagje e fshat të keni infrastrukturën e lagjeve të qytetit. Katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për punësimin, për rritjen e rrogave dhe pensionit. Mirdita, nga lashtësia deri më sot ka qenë një pasuri e pashtershme e mineraleve më të vlefshme si, bakri, polimetalet dhe tani së fundi floriri. Ju jap fjalën se do të jenë mirditorët të parë ata që do të përfitojnë nga pasuritë e tyre”, vuri në dukje Kryeministri. 

Por inaugurimi i kësaj rruge dhe premtimet e kreut të qeverisë për projektin e katër viteve që vijnë u pritën me entuziazëm nga banorët e zonës, entuziazëm që sipas Berishës, sjellin jo pak pështjellim në kupolën rozë. 
"Ai (Edi Rama) pak ka qenë, por këto rrugë e kanë sëmurë fare. Mos u çudisni në se ndonjë ditë do ta shikoni në krahun tim, duke prerë ndonjë shirit që ta shërojë. Le tja heqim frikën se e ka kapur një sëkëlldi e jashtëzakonshme për rrugët që po ndërtojmë. Por ne do të ndërtojmë rrugë, ne do të krijojmë vende pune, ne do të rrisim rrogat. Ai zotëria me akuza, me mohime, me mashtrime, me bllokime, ndërsa ne me rrugë, me shkolla, me ujësjellësa, me kanalizime, me grante për fermerët, ne merremi me zhvillimin", u shpreh Berisha.
Madje ndalur në përballjen mes dy alternativave, Kryeministri ftoi qytetarët që në 23 qershor të zgjedhin alternativën e djathtë që ofron zhvillim, përkundrejt asaj të aleancës së majtë, që përfaqëson vetëm mashtrimin e bllokimin.  

"Në zemrat tuaja, në mendjet tuaja të mençura, është foleja e mandatit të ardhshëm, mandatit të pestë. Ju bëj thirrje, me votën tonë të bëjmë çdo gjë për të merituar mandatin e pestë. Shqipëria pret nga ju, mandatin  e pestë, mandatin  e fitores së thellë të PD-së, mbi koalicionin e 1 prillit, të koalicionit të Partisë demokratike, koalicionit të vlerave, koalicionit të vizionit evropian, koalicionit të së ardhmes", theksoi Kryeministri.
Nga ky investim me vlerë 1.31 miliardë lekë përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth 15 mijë banorë të komunave Kthellë, Rukaj, Selitë dhe Lurë. Rruga, me gjatësi 18.7 kilometra, përbën lotin e parë të segmentit rrugor Rrëshen-Burrel. Së bashku me segmentin  Urake – Ura e Shoshajve, Burrel (po punohet ) do të plotësojnë lidhjen  midis rrugës së Kombit dhe rrugës së Arbrit, do të sigurohet për herë të parë lidhja midis rretheve të Mirditës dhe Matit. 
Rruga, që fillon në dalje të qytetit të Rrëshenit dhe kalon nëpër fshatrat Tarazh, Prosek, Perlat Qendër të komunës Kthellë dhe përfundon në fshatin Urakë të komunës Rukaj, do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë e pemëtarisë, në zhvillimin e turizmit malor, veçanërisht në Parkun Kombëtar të Lurës.  Segmente të tjera të rëndësishme që përkojnë me këtë aks rrugor dhe që kanë një impakt të konsiderueshëm te banorët e këtyre zonave janë : 1. Rikonstruksioni i rrugës Perlat – Kurbnesh – Lurë 2. Rikonstruksioni i rrugës Tarazh - Malaj 3. Ndërtimi i Unazës së qytetit të Rrëshenit – Lidhja me Rrugën e Kombit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›