E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri serb Daçiç: Shqipëria në BE para nesh? Vetëvrasje kolektive

BEOGRAD- Kryeministri serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar dje se Serbia duhet të bëhet sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian, pasi nëse e tejkalon Shqipëria, atëherë serbët duhet të bëjnë vetëvrasje masive. Sipas Daçiç, emri Shqipëri është sinonim i një vendi me standard të ulët jetësor. “Nëse Shqipëria na tejkalon në zhvillimin ekonomik, kjo do të thotë se ne si popull duhet të kryejmë kolektivisht “harakiri” (nga japonishtja do të thotë vetëvrasje).Ky vend gjithmonë ka qenë sinonim i standardit të dobët jetësor”, - tha kryeministri serb.

Ai ka sqaruar se nuk ka asgjë kundër Shqipërisë, por duke folur mbi dobitë ekonomike që sjell anëtarësimi në Bashkimin Europian, shefi i ekzekutivit serb nënvizoi se shteti i tij është në avantazh të theksuar krahasuar me Shqipërinë. Në një analizë për Televizionin Publik Serb, Daçiç po ashtu vlerësoi se firmosja e marrëveshjes së Brukselit është vendim historik, por hodhi poshtë zërat se ai e ka shitur Kosovën në këmbim të marrjes së datës për fillimin e negociatave me BE-në. Sipas tij, me nënshkrimin e marrëveshjes Prishtinë- Beograd është shpëtuar “ajo çka mund të shpëtohej” dhe qëndrimi i një pjese të opinionit publik se “Kosova është shitur për hir të datës”, është farsë. Për Kryeministrin e Serbisë, hyrja në Bashkimin Europian është interes kombëtar e shtetëror i këtij shteti. “Ky popull duhet të jetojë më mirë, sepse Rusia është larg, sepse ne nuk mundemi vetëm, të rrethuar me NATO-n dhe BE-në dhe sepse nuk mund të kemi një të ardhme më të mirë jashtë integrimet”, deklaroi Daçiç. Sa i takon integrimit, ai në fund nuk e përjashtoi mundësinë që në negociatat me BE-në të paraqiten edhe kushte të reja për të marrë anëtarësimin dhe ndaj “duhet luajtur mirë loja”, përfundoi Daçiç. 

ANETARESIMI 
Tri ditë më parë Komisioni Europian miratoi propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Lajmin e dha Komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fyle në rrjetin social “Twitter”. Vendimi i rëndësishëm nga Komisioni Europian erdhi pak orë pasi baronesha Catherinë Ashton mori konfirmimin se Kosova dhe Serbia miratuan marrëveshjen historike midis dy vendeve, e nënshkruar të premten më 19 prill. Marrëveshja me Kosovën ishte ndër kushtet kryesore që duhet të përmbushte Serbia në këmbim të fillimit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Serbia ka aplikuar për anëtarësi të plotë në vitin 2009 dhe është konfirmuar si vend kandidat në muajin mars 2012-të. Progresi i këtij shteti drejt Bashkimit Europian ka qenë i ngadaltë. Serbia arriti të merrte statusin ‘kandidat’ vetëm pasi në muajin shkurt të një viti më parë bëri lëshime mbi Kosovën, duke e lejuar të marrë pjesë në takimet rajonale në Ballkanin Perëndimor.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›