E Shtunë, 31 Tetor 2026

Standardet “grisen” edhe nga gërshërët

Shqetësimet për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të pritshme janë bërë jo vetëm evidente, por edhe komplekse. Nëse tri javë më parë, zëvendësministri i Brendshëm komunikoi në një konferencë shtypi, se po punohej intensivisht për t’u pastruar listat zgjedhore, tashmë këto “përpjekje” duken qartë si një blof që pushteti politik kërkon t’i bëjë elektoratit shqiptar dhe faktorit ndërkombëtar, në favor të uzurpimit të rezultateve të këtyre zgjedhjeve. Që këtej ka filluar shkelja e standardeve demokratike në kundërshtim flagrant edhe me Kodin tonë Zgjedhor, për të vijuar me masa të tjera drastike antiligjore, të cilat bashkërisht hedhin poshtë “pretendimet” dhe “përbetimet” e kryeministrit Berisha, sipas të cilit qeveria e tij do të bëjë zgjedhjet me standardet më të lartat ndërkombëtare(?!).
Mirëpo, llafet s’kanë më vlerë dhe as mund t’u mbushin mendjet ndërkombëtarëve, se Sali Berisha paska hequr dorë nga grabitjet dhe manipulimet e votave të qytetarëve të vet, në mënyrë permanente. Ndonëse vëmendja e tyre aktualisht është përqendruar te domosdoshmëria e rikonstituimit të KQZ-së, duke u shprehur së fundi se, me cungimin e formatimit të tij nuk mund të shkohet në zgjedhjet e 23 qershorit, sidoqoftë as ky fokusim nuk mund të sfumojë edhe probleme të tjera tepër serioze për mbarëvajtjen e tërë procesit elektoral.
Konkretisht, edhe pse komunikimet e mëparshme të një prej zyrtarëve të lartë përgjegjës të organizimit të këtyre zgjedhjeve, Ferdinand Poni, më 3 prill u morën me rezerva, tani mjafton t’u përmbahesh qoftë edhe vetëm atyre të dhënave që të kuptosh se sa të ulëta janë ritmet për të riparuar defektet dhe sa të mëdha dhe të dukshme janë mangësitë në hartimin e listave të zgjedhësve. Sa të mëdha dhe të dukshme janë ato, që komprometojnë rëndë veprimtarinë e organeve qeverisëse. Atëherë, pra tri javë më parë u tha që emrat e dubluar të votuesve në këto lista kanë mbetur vetëm rreth 2 mijë dhe të atyre pa ndonjë adresë të saktë - 405 mijë. Shifra këto tronditëse, që vinin në dyshim efikasitetin e ndreqjeve plotësisht të mundshme deri në shpalljen e listës përfundimtare të zgjedhjeve, pas së cilës ligjërisht nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje dhe ndreqje.
Ky dyshim, ditëve të fundit vërtetohet tërësisht me daljen në dritë të të dhënave që përmbajnë raportet e auditëve teknicienë të zgjedhur nga organi më i lartë i administrimit zgjedhor. Madje, gjetjet e këtyre auditëve për periudhën mars – prill të këtij viti ndeshen, përplasen dhe kundërvihen në të atilla shifra, saqë nuk mund të mos vihet një pikëpyetje e madhe për fatin e zhvillimit të një prej kthesave të mëdha historike në jetën e këtij populli dhe në zhvillimin e këtij vendi. Për shembull, sikurse mësohet, nga auditimi i teknicienit të propozuar prej ish-nënkryetarit të KQZ–së evidentohen mbi 33 mijë rekorde të dyshuara si të dubluara. Ndërsa, sipas atij të propozuar prej kryetares së KQZ–së, të tilla rekorde nuk qenkan 2 mijë (sikurse deklaroi më 3 prill zëvendësministri i Brendshëm), por 30 për qind më shumë. Dhe, ajo që të bën më së shumti përshtypje është diferenca 10-fishe e këtyre shifrave, që t’i shuan pothuajse të gjitha shpresat se qeveria shqiptare do t’u përmbahet vërtet standardeve demokratike në organizimin dhe në zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Një konkluzion i tillë mbështetet edhe nga fakte të tjera, siç janë ata që tregojnë se edhe në rastet kur janë pastruar dublimet, numri personal i shtetasve është i ndryshëm; se ka zgjedhës që mbajnë në xhep dy karta identiteti; se ka zgjedhës pa adresë në të paktën 500 qendra votimi, të cilat janë ngritur apo duan t’i ngrenë jashtë të gjitha kritereve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor; se ka plot qendra votimi, se ka mbi ose nën limitin e përcaktuar të numrit të zgjedhësve për secilën prej tyre etj., etj.
Po vetë zgjedhësit, a kanë akses për verifikimin e emrave të tyre në listat përkatëse të afishuara? Edhe kjo është një pyetje, që në masë të madhe merr përgjigje negative. Brenda një familjeje ka nga ata që u duhet të bredhin, së paku në Tiranë, sa andej–këndej derisa t’u “shkrihet gjaku” se nuk i paskan ndarë për së gjalli, pa dëshirën e tyre. Pa përmendur këtu kusuret që heqin shumë shtetas në këtë drejtim, si edhe indiferencën e imponuar të shumë të tjerëve për të matur më nge rrugët e kryeqytetit, nuk mund të mos theksohet që Ministria e Brendshme, as tani dhe me sa duket asnjëherë, nuk e vë ujët në zjarr për të lëvruar fondin e nevojshëm që duhet t’u shpërndahet njësive të qeverisjes vendore, në bazë të numrit të zgjedhësve që ato kanë të regjistruar brenda juridiksionit të vet. Në këtë plan, prej kohësh nuk kanë munguar rekomandimet e organizmave ndërkombëtarë. Mjafton të kujtojmë këtu ato të Komisionit të Venecies dhe të OSBE/ODIHR–it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, për detyrimin që të njoftohet çdo zgjedhës, të cilëve duhet t’u sigurohet informacioni i nevojshëm për listat e afishuara ku figurojnë emrat e tyre dhe qendrat e votimit ku janë caktuar për të votuar.
Të gjitha këto shqetësime të pajustifikuara zmadhohen çdo ditë e më tepër, kur fushata elektorale ka startuar që me fillimin e këtij viti, ku shpenzimet nga buxheti i shtetit rrjedhur lumë. Shpenzime që nuk kanë vajtur në destinacionin e duhur, por janë devijuar sipas diskrecionit të Partisë në pushtet dhe liderit të saj – Kryetar i Qeverisë, për të siguruar me çdo mjet fitoren e tyre dhe, njëkohësisht, për të shkelur me të dyja këmbët parashikimet dhe obligimet ligjore. Nga kjo gjendje mund të veçohet dukuria, se përfaqësues të mazhorancës qeverisëse po përdorin intensivisht dhe padrejtësisht, për qëllimet e zhvillimit prej tyre të fushatës paraelektorale, institucionet e depolitizuara, si shkollat, shumica e nxënësve të të cilave nuk e gëzojnë as zotësinë juridike për të votuar, por mjafton t’u hedhin “trutë e gomarit” prindërve të tyre, vëllezërve dhe motrave më të rritura. Sali Berisha shkon edhe në universitete, zhvillon takime me pedagogë dhe me studentë, duke u propaganduar disiplinën ushtarake që duhet ta karakterizojë këtë fushatë për të siguruar fitoren e Partisë Demokratike(?!).
Por ka edhe një mënyrë tjetër, jo për të prerë standardet ndërkombëtare, por për t’i “grisur” fare ato. Pra, gjatë kësaj fushate kryeministri po përdor gjithashtu edhe një palë gërshërë të mprehura mirë për të këputur edhe shirita të bëra copë–copë, për të inauguruar rrugë ende të papërfunduara, objekte bujqësore dhe punishte të ngritura me investime tërësisht private, si ajo e bimëve mjekësore në Maminas. Ose të atilla të financuara nga ndihmat e dhëna popullit shqiptar prej qeverive të vendeve mike, siç është për shembull impianti i pastrimit të ujërave të zeza në Durrës, që ka filluar të ngrihet që në vitin 2000 dhe ende nuk ka arritur të plotësojë qëllimin për të cilin janë derdhur paratë.
Dhe, ç’është më e keqja, më shumë sesa ujërat e ndotura kundërmon në këto “inaugurime” goja e Kryeministrit, kundërmon si ato ngjalat e rezervuara në të thatë. Veprime të tilla, vërtet nuk i lejon ligji, por si do ta “ngopë” ai një popull të tërë, kur me përjashtim të rasteve të parashikuara në Kod ndalohet vënia në përdorim e subjekteve zgjedhore, e mjeteve dhe materialeve të ndryshme – pronë shtetërore, si edhe burimet njerëzore të administratës publike të çdo niveli?! Edhe në këtë drejtim nuk kanë munguar asnjëherë rekomandimet, apo tërheqja e vëmendjes nga ndërkombëtarët. Kështu pra, në Raportin e OSBE/ODIHR–it për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të kaluara (28 qershor 2009), midis të tjerash lexohet se: “Qeveria përdori në mënyrë të përsëritur aktivitete zyrtare për qëllime fushate, duke e zbehur dallimin ndërmjet veprimtarisë së shtetit dhe fushatës, në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit” (faqja 14)
Po rezultatet e zgjedhjeve të pritshme, nëse këto do të zhvillohen në datën e dekretuar, a do të përsëriten si produkt i parregullsive, grabitjeve dhe manipulimeve të kësaj qeverie? Kjo është pyetja që po mundon çdo ditë e më shumë mendjet e zgjedhësve shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›