Kryeministri s'u jep romakëve ç'u takon ilirëve
Zbulimi i Apolonisë ekspozohet për kreun e qeverisë, Sali Berisha: "Dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptar"
Busti i atletit në mermer, një vepër arti ndër më të rëndësishmet të zbuluara nga nëntoka arkeologjike e Apolonisë qysh kur s'mbahet mend, është ekspozuar dje për herë të parë në mjediset e muzeut arkeologjik në Tiranë. Prezantimi është bërë posaçërisht për kreun e qeverisë, Sali Berisha.
I veshur sportiv, nën shoqërinë e bashkëshortes, ai është pritur nga drejtuesit e Qendrës së Studimeve Albanologjike, specialistë të departamentit të arkeologjisë, dhe sigurisht nga drejtuesit e ekipit shqiptaro-francez që bëri zbulimin, profesorët Faik Drini dhe Jean-Luc Lambeley.
Profesori Lambeley ia ka prezantuar kryeministrit këtë zbulim si "një kryevepër, një nga skulpturat më të bukura të repertorit botëror të periudhës romake të shekullit të dytë të erës sonë dhe një dëshmi tjetër e zhvillimit të lartë kulturor të Apolonisë në kohën e artë të lulëzimit të saj në shekullin e dytë pas Krishtit".
Kryeministri u ka shprehur mirënjohje të thellë arkeologëve dhe, siç njofton faqja zyrtare e qeverisë, ka thënë: "Vlerat e tij janë të jashtëzakonshme në rrafshin krijues, skulptural, artistik, në rrafshin historik, por gjithashtu janë akoma më të mëdha, si dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptarë.
Një përjetësi e bazuar në vlera të qytetërimit perëndimor. Shqipëria është një vend i vogël, por me një pasuri të jashtëzakonshme në gjirin e saj, ky territor ka njohur qytetërime të shumta, perandori dhe perandor, por ajo që e bën shumë të veçantë është se në të gjitha kohërat eci si një komb me identitetin e tij të sotëm.
Dua të rikujtoj këtu një historian të shquar austriak, i cili ka shkruar njërin nga librat më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në mënyrë të përsëritur Johanes Hans shtron pyetjen, çfarë janë këta shqiptarët?
Dhe ajo që është shumë mbresëlënëse shumë impresionuese ta jep përgjigja, se tek shqiptarët gjen element jo të paktë të kulturës helenike, të kulturës romake dhe dikush mund të mendojë se këto janë huazime të shqiptarëve nga këto kultura.
Ky historian i shquar ka mendim tjetër, ai mendon së ilirët morën njëlloj si helene dhe romakët apo trashëgoi njëlloj si helenet dhe romakët nga popullata pre helene, pre romake, shumë nga ata element që sot u atribuohen helenëve apo romakëve.
Komentet e mia nuk kanë lidhje me skulpturën e mrekullueshme, sepse të gjitha vlerësimet do t'ia bëni ju mbi kriteret më të sakta shkencore, por unë dhe njëherë dua t'ju shpreh mirënjohjen më të thellë, ju z. profesor, Qeverisë franceze, Ambasadores, për këtë ndihmë jashtëzakonisht të çmuar."
Po dje, e përditshmja italiane, "La Repubblica" në versionin e saj on line, i ka kushtuar një seri fotosh zbulimit të Apolonisë, busti që paraqet një atlet, i gjetur në sektorin e vilës romake. Është vërtet një kokë e bukur.
Arkeologët janë shprehur se "duhet të jetë bust i shtatit të një atleti sipas shëmbëlltyrës që i jepte arti romak i antikitetit, por studimi i mirëfilltë do të përcaktojë edhe atributin final të kësaj statuje".
Kështu që kryeministri nuk është dhe aq dakord që t'ua japë romakëve çfarë u takon ilirëve.