Vdesin katër shqiptarë në një aksident automobilistik
GREQI/ Shqiptarët po udhëtonin me dy automjete në kahe të kundërta. Përgjumja e shoferit dyshohet si shkak i aksidentit
Konsulli shqiptar në Janinë konfirmoi aksidentin e ndodhur në orët e para të mëngjesit, 25 kilometra larg Kakavijës
GREQI - Katër shqiptarë mbeten të vdekur në një aksident rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në aksin Janinë - Kakavijë. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërkohë që në këtë aksident u përfshinë dy automjete në të cilat ndodheshin vetëm emigrantë shqiptarë.
Mësohet se tre ka qenë numri i të vdekurve menjëherë pas aksidentit, ndërsa viktima e katërt ka ndërruar jetë në spital. E gjithsesi janë edhe dy fëmijë të plagosur që ndodhen në spital, si dhe drejtuesi i mjetit ku ata udhëtonin.
***
Viktima të këtij aksidenti tragjik mësohet se janë Vasil dhe Drita Bezati, si dhe Pirro Nuredini e Valentina Bezarti. Kjo e fundit, nënë e dy fëmijëve ka ndërruar jetë në spital në orët e vona të pasdites duke rritur kështu edhe numrin e viktimave të kësaj tragjedie. Dy automjetet që u përplasën ishin një "Tojota" dhe një "Pezho".
Burime nga policia bëjnë të ditur se dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë një përgjumje e shoferit që drejtonte automjetin tip "Tojota", udhëtarët e të cilës humbën jetën në vend. Mësohet se automjeti tip "Tojota" me targa ZMT 5493 po udhëtonte nga Greqia drejt Shqipërisë, ndërsa automjeti tip "Pezho" me targa ZMM 1729 lëvizte në kahun e kundërt. Ato janë përplasur kokë më kokë me njëra-tjetrën çka ka çuar edhe në numrin e lartë të viktimave.
Aksidenti është konfirmuar nga konsulli shqiptar në Janinë, Eshref Shehu, i cili deklaroi se aksidenti i rëndë ka ndodhur në Janinë të Greqisë, në vendin e quajtur Kroi i Pashait, 25 kilometra larg pikës kufitare të Kakavijës. Sipas Shehut, dy automjetet me targa greke në të cilat udhëtonin shqiptarë janë përplasur me njëra-tjetrën. Ai tha se në makinën tip Tojota ndodheshin Vasil dhe Drita Bezati, si dhe shoferi Pirro Nuredini, të cilët humbën jetën.
Ndërkohë Apostol Hila, Valentina Bezarti dhe dy fëmijët e saj Endriti dhe Romina, përkatësisht të moshës 19 dhe 15 vjeç ndodheshin në automjetin tjeër. Gruaja ka humbur jetën më pas në spital. Ndërkohë, mësohet se në orët e vona të mbrëmjes Endrit Bezarti doli nga salla e operacionit pas një ndërhyrjeje kirurgjikale së cilës iu nënshtrua për disa orë rresht.
"Mjekët thonë se pas daljes nga operacioni në shtyllën kurrizore, Endriti ka dhënë sinjal të mirë dhe aksidenti nuk do të ketë pasoja për të", bën të ditur konsulli shqiptar. Emigrantët kanë nnumrin më të lartë të aksidenteve me vdekje edhe në Shqipëri, ndërkohë që përgjumja dhe shpejtësia me të cilën ata lëvizin janë konsideruar si shkaqet më të shpeshta të këtyre aksidenteve.