Kryeministri sulmon rëndë Ramën: Je i sëmurë psikik
Kryeministri prezantoi kandidatët për deputetë të PD-së në Shkodër
Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar pasditen e djeshme kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha lëshoi një mori akuzash ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Premtimi
Kryeministri Sali Berisha premtoi nga qyteti i Shkodrës se Shqipëria do të marrë brenda katër vitesh statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Duke u ndalur te arritjet e qeverisë gjatë këtyre viteve, Berisha u shpreh se, “bizneset e shkodranëve janë rritur me dy herë e gjysëm më shumë, ndërsa janë ndërtuar qindra km rrugë në mbarë qarkun”. “Ne po ndërtojmë kudo infrastrukturën që ju meritoni. Numri i studentëve në universitetin e Shkodrës po shkon drejt dyfishimit. Ne ndërtuam dhe rindërtuam në këtë qark mbi 120 shkolla për fëmijët tanë, dhjetra ujësjellësa dhe vepra të tjera publike. Shkodrën e përjetshme e bëmë sërish të njohur në mbarë Evropën. Me qindra mijëra turistë vizitojnë këtë qytet të mrekullueshëm, pasuritë e saj kulturore”, tha Berisha, ndërsa premtoi se “4 vitet që vijnë do të jenë më të artat në tërë historinë tonë”.
Vizat me SHBA-në
Kryeministri Berisha i është rikthyer edhe njëherë premtimit të tij për liberalizimin e vizave me SHBA-në, duke theksuar se 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të liberalizuar vizat me SHBA-në.
Akuzat ndaj Ramës
Nga Shkodra, kryeministri Berisha ka hedhur edhe një lumë me akuza ndaj liderit të opozitës, Edi Rama. Rama këtu nga Shkodra meriton përgjigjen e çdo shqiptari, sepse të krahasosh rilindasit si Sami Frashëri, Pashko Vaso, Filip Shiroka etj, me skuadrën e bllokmenëve të rinj në autobuzin mavi do të thotë se ka fyer çdo shqiptarë, ndaj do të marrë ndëshkimin më të rreptë në 23 qershor. Në autobuzin me xhama të zinj nuk shëtit vepra e Sami Frashërit, por me ty janë dekretet mizore dhe aktet çnjerëzore që kanë bërë etërit e tu mbi shqiptarët”, tha Berisha. Duke akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama se e shikon Shqipërinë me syzet e zeza të etërve të tij, Berisha tha se “ai u deklaroi shqiptarëve se NATO-ja është natë”. “Të deklarosh një gjë të tillë, apo të thuash se mësuesit misionarët e dijes janë injorantë dhe nxënësit janë dele që futen në klasë do të thotë se, ose je i sëmurë psiqik, ose je biri i etërve të tu, që urrejnë njerëzit e lirë dhe forcën e lirisë së tyre”, tha Berisha.
Hoxha i Shkodrës i pret fjalën Berishës
Kryeministri Sali Berisha është përballur me një ngjarje të rrallë gjatë bashkëbisedimit të djeshëm me gazetarët në Shkodër. Ndërsa ka nisur të flasë me gazetarët, ka filluar të këndojë hoxha i qytetit, duke qenë se ka qenë ora e faljes së besimtarëve myslimanë. Për këtë arsye, Berisha është detyruar që ta ndërpresë fjalën për disa minuta. Vetëm pas përfundimit të këngës së hoxhës, Berisha ka vijuar bashkëbisedimin me gazetarët.
Lista e kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Shkodrës
1. JOZEFINA TOPALLI
2. HELIDON BUSHATI
3. VOLTANA ADEMI
4. NARD NDOKA
5. GJOVALIN BZHETA
6. NDUE PALUCA
7. BARDH SPAHIA
8. GJOK ULDEDAJ