E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne tifozët që përfaqësojmë Barcelonën në Tiranë

Flet administratori i fun club-it shqiptar të Barcelonës

Çdo të diel në gazetën Tirana Observer, do të gjeni rubrikën Tifozi shqiptar, që do tu dedikohet tifozëve që kanë ngritur fan clube për ekipet e tyre të zemrës, ku ata janë shumë të përfaqësuar në rrjetin social Facebook. Sot në rubrikën tonë flet administratori i faqes në Facebook Barcelona gjithmonë kampione. Bledi 22 vjeçar tregon se pse është bërë tifoz i Barcelonës dhe se si organizohen tifozët e ekipit spanjoll në Tiranë. Ai vë në dukje se Barça ka shumë tifozë edhe tek shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë.

535447_2942180931255_944881533_nJu jeni themelues i grupimit të tifozëve Barcelona gjithmonë kampione në Facebook, pse e krijuat këtë faqe dhe si iu lindi ky pasion për këtë ekip?
Po, unë jam themeluesi i këtij grupit të mrekullueshëm. Gjithmonë kam pasur dëshire të jem në kontakt me blaugranët që flasin gjuhën shqipe dhe mendova se duke hapur një faqe të tillë, do të ishte një hap i sigurt drejt plotësimit të dëshirës sime. Sa i përket pasionit tim për ekipin katalanas, është shumë e thjesht për ta shprehur. Ishte vetë ekipi me veprimet e tyre, që e shfaqi ketë ndjenjë dhe pasion tek unë për futbollin dhe në veçanti për Barcelonën
Sa kohë keni që bëni pjesë në këtë grupim?
Kjo faqe është hapur më 29 mars 2010 dhe jam pjesë e saj që nga fillimi.
Na tregoni diçka për mënyrën e si funksionon, sa anëtarë që jeni, si veproni?
Jemi munduar të bëjmë shumë gjëra të bukura për blaugranët tanë. Gjëja që duam me shumë është ti argëtojmë dhe të japim informacione për ekipin e tyre të zemrës. Kemi përkthyer video, punuar foto, jemi munduar që të frymëzojmë çdo tifoz me punime të ndryshme dhe shumë gjera të tjera. Jemi pesë adminë, ku dy nga ne janë edhe dizajnera të talentuar.
Kur do të bëni fan club zyrtar i Barçës? I keni nisur procedurat?
Për momentin nuk kemi bërë asnjë lëvizje, pasi kërkohen shumë gjëra dhe unë personalisht akoma nuk kam vendosur se ku do qëndroj, në Shqipëri apo ndonjë vend tjetër.
Mbrëmja e ndeshjes më e veçantë që ju keni krijuar?
Kemi përjetuar shumë mbrëmje të veçanta, por si festë e madhe (në rrjetin tonë Facebook) ishte nata 29 nëntorit 2010. Ishte nata që Barcelona fitoi 5-0 kundër Real Madrid dhe me shkrimet tona dhe me mesazhet e tifozëve, krijuam një natë të paharrueshme tek grupi.
Keni udhëtuar ndonjëherë në Camp Nou?
E vërteta është qe kjo mbetet një ëndërr e paralizuar për mua. Plani ishte të shkoja ne ndeshjen e fundit kundër Malagas për të shikuar ekipin duke ngritur trofeun, por gjithçka ndryshoi pasi e bëri në ndeshjen e fundit këtë gjë (kundër Valladolid). Mbetet që të pres sezonin tjetër dhe shpresoj që të jetë sezoni i realizimit të ëndrrës sime.
Si është një mbrëmje normale kur ju të gjithë mblidheni për të parë një ndeshje?
E vërteta është se nuk kemi tentuar shumë të mblidhemi, pasi grupi ynë ka edhe tifozë nga Kosova dhe Maqedonia. Të themi të drejtën janë një numër i madh tifozësh nga këto dy vende. Njëherë jemi mbledhur edhe atëherë humbëm 2-0 kundër Milanit. Pra ishte një startim i ‘keq’ për ne, që na preu edhe dëshirën pak. Por mendoj se duke vazhduar në sezonin tjetër, mund të shohim ndonjë El Classico në Prishtinë.
Më thuaj ndonjë tifoz të veçantë dhe VIP që është pjesë e grupimit tuaj
Nuk e di! Duhet të ketë ndonjë VIP në mesin tone, por nuk është qe jemi në kontakt me ndonjërin. Di që është një këngëtar që ka arritur shumë sukses kohët e fundit, i cili quhet B2N.
Idhulli yt në futboll dhe pse je bërë me Barçën?
Idhulli im për momentin është Xavi Hernandez. Me pëlqen gjithçka që bën ai në fushën e blertë. Ndërsa arsyeja është Patrick Kluivert. Atë që bënin sulmuesit e tjerë me këmbë, ai gjithmonë e bënte me kokë.
Futbollistit i ekipit të zemrës që ke bërë një fotografi, apo ke një fanellë?
Për fat të keq e kam pasur mundësinë, por e kam humbur. Bluza të futbollistave kam, por foto jo.
Momenti futbollistik që të ka ngel më shumë në zemër?
Goli i Andres Iniestës kundër Chelseas në Stamford Bridge. Më rrënqethet mishi sa herë e shoh atë gol.
Sakrifica më e madhe që ke bërë për ekipin?
Tatuazhi me logon e saj, në këmbën time.
Sa është numri i vajzave anëtare dhe a janë aktive ato?
Nuk mund të them që janë aktive aq sa djemtë, por ka vajza që interesohen shumë për të rejat rreth ekipit të tyre. Është një gabim qe të nënvlerësohen si tifoze, pasi kohët e fundit janë duke i kushtuar shumë vëmendje këtij sporti të bukur.
Si grupim ju ka ndodhur që të keni konflikte me grupimet e tjera shqiptare të tifozerive? Apo paqja është pjesë e filozofisë tuaj për të bërë tifozllëk?
Ka ndodhur shumë herë. Edhe nëse unë dua, në tifozeri nuk ekziston paqja. Mbase kam bërë gabim ose kam vepruar drejt, edhe unë jam përgjigjur disa ofendimeve drejt nesh, sipas mënyrës sime. Konfliktet janë vetëm në ndeshjet kundër Real Madrid.
Një mesazh të fundit për të gjithë tifozët e ekipit tuaj
Qëndroni të bashkuar dhe besoni ne ekipin e Barcelonës ose siç më pëlqen mua ta quaj Në mrekullinë e 8 të botës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›