E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Presidentin e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, profesorin Felix Unger

Kryeministri Berisha priti sot në një takim, Presidentin e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, në Austri, Profesorin Felix Unger, i  cili ndodhet në vendin tonë, në kuadër të bashkëpunimit të kësaj Akademie me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Në tetor të këtij viti, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, me rastin e 40 vjetorit të krijimit do të mbledhë në Tiranë, presidentët e të gjithë Akademive të Shkencave dhe Arteve, në Evropë.

Gjatë takimit, zoti Unger e informoi kryeministrin Berisha lidhur me raportin kërkimor që do të publikohet së shpejti në lidhje me shëndetin, i cili është pjesë e strategjisë dhe baza e programit të veprimit për mbrojtjen e shëndetit 2014-2018. Ky raport ndër të tjera do të jetë i vlefshëm edhe për Shqipërinë në strategjinë e saj të shëndetit.

Në takim u diskutua edhe lidhur me mundësitë për një menaxhim më të mirë të spitaleve, për të cilën zoti Unger u shpreh se Akademia Evropiane e Shkencave dhe Arteve, mund të japë kontributin e saj në këtë drejtim, për edukimin e punonjësve të mjeksisë në menaxhimin spitalor.

Kryeministri Berisha i shprehu zotit Unger mirënjohjen per mbështetjen e dhënë nga ana e qeverisë austriake në fushën e shëndetsisë dhe më konkretisht për ndihmesën e ofruar Qendrës Spitalore Nënë Tereza në programin e e-health.

Profesori Unger e ftoi Kryeministrin Berisha të marrë pjesë në një takim të Senatit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, ftesë të cilën kryeministri Berisha e priti me kënaqësi, duke falenderuar zotin Unger.


19/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›