Kryeministri takon z. Tomicah Tillemann, Këshilltar i larte i Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, për shoqërinë civile dhe demokracitë e reja

Kryeministri priti sot në një takim, zotin Tomicah Tillemann, Këshilltar i larte i Sekretares se Shtetit Hillary Clinton për shoqërinë civile dhe demokracitë e reja, i cili shoqërohej në këtë takim edhe nga ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, zoti Aleksandër Arvizu.
Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Tillemann për mbështetjen dhe ndihmën që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në procesin e demokratizimit dhe modernizimit të vendit. Në këtë kuadër, Kryeministri vlerësoi ndihmën për zhvillimin dhe forcimin e shoqërisë civile në Shqipëri.
Zoti Tillemann u shpreh i impresionuar nga progresi që ka bërë Shqipëria dhe se ndihma e qeverisë së SHBA-ve për popullin shqiptarë ka qenë dhe është ndihmë e sinqertë. Ai vlerësoi konferencën për shoqërinë civile të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme dhe shoqërinë civile, si një tregues i qartë i asaj që mund të arrihet nga bashkëpunimi midis qeverisë dhe shoqërisë civile.
Kryeministri Berisha e çmoi si të një rëndësie themelore rolin dhe kontributin që shoqëria civile ka luajtur dhe luan në demokratizimin dhe hapjen e shoqërisë shqiptare. Ai theksoi nevojën për mbështetje financiare për shoqërinë civile, në mënyrë që ajo të jetë sa më aktive. Në këtë kuadër qeveria shqiptare alokon një fond vjetor, i cili ndahet në mënyrë të pavarur nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.
Kryeministri theksoi se pavarësia e shoqërisë civile dhe paanshmëria e saj janë elementë të rëndësishëm, ndërkohë që shoqëria shqiptare përfiton nga ekspertiza që organizatat e shoqërisë civile gëzojnë tashmë. Ai theksoi se fushë prioritare është forcimi i aktivitetit të tyre në luftën kundër korrupsionit.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet më të fundit politike. Kryeministri Berisha vlerësoi përpjekjet e bëra në drejtim të trajtimit të rekomandimeve të BE dhe konfirmoi gadishmërinë e mazhorancës për të vazhduar në këtë drejtim me konsensus e vullnet të mirë politik, me synim konkretizimin e reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE.
10/11/2011