“Kryeministri të dëgjojë qytetarët!”- Arbana Osmani reagim të fortë kundër Ramës: Mjaft, respekto popullin tënd! Më dhëmb të shoh të rinjtë të rrihen, dhuna nuk është zgjidhja
Moderatorja e njohur, Arbana Osmani, ka reaguar publikisht për situatën politike në vend dhe protestat që kanë përfshirë kryeqytetin prej 5 ditesh, duke përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo dënon dhunën, shpreh shqetësimin për të rinjtë e lënduar dhe dëmtimin e Tiranës, ndërsa i bën thirrje kreut të qeverisë të dëgjojë qytetarët. Osmani shpjegon se ka zgjedhur të mos flasë gjatë ditëve të fundit, për të kuptuar më mirë zhvillimet.
Sipas saj, situata që po kalon vendi nuk duhet trajtuar si një spektakël apo si një mundësi për të tërhequr vëmendje në rrjetet sociale.
“Kam zgjedhur të hesht këto ditë, për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh; sepse mendoj se ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është një reality show që duhet komentuar me tifozllëk nga divani i shtëpisë, as një mundësi për t’u shfaqur populiste me statuse për më shumë ‘likes’ në Instagram. Duhet kuptuar, për të reaguar.
Si një nënë e 3 fëmijëve, më dhëmb të shoh të rinjtë e pashpresë, disa prej tyre në moshën e djalit tim, të rrihen dhe lëndohen duke marrë dhunën si të vetmen përgjigje për kërkesat e tyre legjitime, ashtu siç më dhëmb të shoh Tiranën të digjet për të satën herë në këto 30 vite.
Unë nuk kam besuar dhe nuk besoj kurrë se dhuna është zgjidhja. Këtë e mendoj qoftë për ata policët që tentojnë të shpërndajnë turmat me shkopinj gome, qoftë për ata që shkatërrojnë institucione e biznese që iu përkasin të gjithëve, qoftë dhe për plot miq e mikesha të Instagramit që me statuset e tyre populiste justifikojnë dhunën
Por si qytetare e këtij vendi ku kam vendosur të rris fëmijët e mi, sot më shumë se kurrë ndjej t’i them me zë të lartë kryeministrit: ‘Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje.”, shkruan moderatorja.
