Kryeministria çlirohet nga pushtimi/ Rama shemb murin rrethues
Është një gjest simbolik, por që flet shumë.
Kryeministri i ri ka vendosur që të shembë murin që rrethonte kryeministrinë dhe që u ndërtua fillimisht nga Fatos Nano.
Rama jo vetëm që çliroi zyrat nga Berisha, por ka vendosur që të çlirojë të gjithë godinën nga pushtimi.
Kangjellat u vunë për herë të parë më 21 shkurt 2004 kur opozita në atë kohë, e drejtuar nga Berisha, organizoi një protestë të madhe me rastin e përvjetorit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha.
Gjatë protestës nën moton Nano ik u qëllua me gurë e armë dhe kryeministri i atëhershëm Nano mori vendimin menjëherë pas protestës për të ndërtuar gardhin rrethues.
Opozita e asaj kohe akuzoi Nanon se po e kthen kryeministrinë në bunker. Megjithatë Berisha u struk në këtë bunker për tetë vite.
Dy kryeministrat që drejtuan përpara Ramës kanë përjetuar sulm mbi godinën e kryeministrisë, njëri më 14 shtator 1998 dhe tjetri më 21 janar 2011.
Por ndërsa Nano u largua duke e lënë godinën të plaçkitej, Berisha qëlloi mbi protestuesit duke vrarë katër të tillë.
Madje Berisha tha se ata po pushtonin institucionin, duke e identifikuar kryeministrinë me tullat edhe letrat./ep