E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri"harron" përsëri

Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës vëren me shqetësim që qeveria shqiptare vazhdon në rrugën e saj të faljes ose shitjes 1 euro të territorit të Gjirit të Vlorës, për qëllim gjenerimi energjie e biznesesh të huaja pa pyetur e përfillur aspak komunitetin e këtij gjiri. Konkretisht pardje është nënshkruar nga kryeministri Berisha një marrëveshje me kompaninë italiane "Moncada Construzioni" për ndërtimin në zonën Radhimë – Orikum – Karaburun të një parku energjitik që do të eksportojë energji në Itali me anë të një kablli nënujor.
Sadoqë këtë herë burimi energjitik është era, skema e koncesionit është e njëjtë: kompanitë e huaja, duke qenë se e kanë të pamundur ose shumë të vështirë të gjejnë tokë të lirë në vendet e tyre, vijnë dhe ngrenë industritë ose bizneset e tyre në Shqipëri, ku toka "dhurohet", duke na i lënë neve ndotjet dhe problemet mjedisore, sikurse do të ndodhë me TEC-et me naftë a qymyrguri, me Petroliferën etj., po u lejuan këto, dhe vetë marrin energjinë e pastër. Komuniteti vendës nuk pyetet për asgjë, kryeminstri harron që Radhima dhe Orikumi janë zona të dedikuara sot kryesisht turizmit dhe që ky i fundit është një qytet antik me vlera të veçanta historike-kulturore, ku çdo ndërhyrje në peizazh është me pasoja të rënda.
Të gjitha këto vendime janë në shkelje flagrante të Konventës së Aarhusit, nënshkruar nga vetë qeveria shqiptare më 2001, e cila kërkon që të informohet publiku e të tërhiqet pjesëmarrja e tij në vendimmarrje për vepra të mëdha që kanë ndikim mbi mjedis.
Natyrisht që përdorimi i erës si burim energjie është për t'u përshëndetur, mirëpo e gjitha duket si një element shtesë që u shtohet TEC-ve me naftë e me qymyrguri, për ta kthyer Gjirin e Vlorës në një pellg energjie dhe shitblerjeje të naftës.
AQMGJV konstaton me keqardhje që kryeministri shqiptar nuk po mëson asgjë nga kundërshtimi që zjen sot në Vlorë. Komuniteti i gjithë kësaj zone është i vendosur të mos lejojë asnjë vepër që cënon perspektivën e Gjirit, ta pengojë çdo lloj sipërmarrjeje me thelb neokolonialist, ku të fundit që përfillen janë qytetarët e prekur.
*Ky tekst është një deklaratë e përcjellë dje në redaksi nga AQMGJV (Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›